Atentati në Tiranë, akuzë e re “të fortit” të Bulqizës

Sep 19, 2017 | 23:20
SHPËRNDAJE

Policia e Dibrës i ka dorëzuar Tiranës 31- vjeçarin, që u arrestua të premten gjatë operacionit të koduar “Zerqani”.

I riu, që u etiketua si “i forti” apo “tmerri” i Bulqizës, në fakt, atje vetëm sa i fshihej drejtësisë dhe jetonte në arrati te shtëpia e gjyshes. Ndërsa krimet për të cilat akuzohej, i kishte kryer në Tiranë.

Ndaj “të fortit” të Bulqizës, Besmir Zenelit, Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë, prej 4 muajsh.

bulqize

Ai akuzohej për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Në maj, ai tentoi të vriste 26-vjeçarin nga Tropoja, Dejvis Rrustemaj, për motive që ende nuk janë sqaruar. Zeneli e qëlloi Rrustemajn me armë zjarr, teksa apo po dilte nga një bilardo.

Që nga ai moment, Besmir Zeneli ka jetuar në arrati, ndërsa Rrustemaj qëndroi për një kohë të gjatë në spital, pasi plumbi i kishte dëmtuar kockën e njërës këmbë. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje u arrestua të premten në Bulqizë, pas informacioneve se qarkullonte me armë pa leje, me një automjet me targa të rreme dhe herë pas here qëllonte në ajër. I arrestuari mësohet se është edhe aksioner i një fabrike të përpunimit të kromit në Bulqizë.

ATENTATI

Personi, që qëlloi me armë 26-vjeçarin Dejvis Rrustemaj, në një atentat në zonën e Kinostudios në Tiranë, më 4 maj të këtij viti, u identifikua dhe u shpall në kërkim nga Policia, 4 ditë pas ngjarjes.

“Nga dëshmia e dhënë nga shtetasi i plagosur dhe nga dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes është mësuar se, dy persona i janë afruar me një motor me ngjyrë të zezë dhe me skafandra në kokë, ku pasagjeri i motorit ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe e ka qëlluar në këmbë 26-vjeçarin”, tha Policia në lidhje me ngjarjen.

Burimet thanë se po hetohej si një pistë edhe hakmarrja e mundshme në lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 2015. Në këtë kohë, më 22 shtator të vitit 2015, Rrustemaj, në bashkëpunim me shokun e tij, Anxhelino Çervanaku, kanë kanosur me armë Andi Fishekun, djalin e një biznesmeni të naftës, për një borxh prej 1 mijë eurosh që nuk ua kishte kthyer.

Megjithatë, edhe pas identifikimit të autorit të kësaj ngjarje, Policia ende nuk i sqaroi plotësisht rrethanat e motivet e ngjarjes. E teksa Policia ishte në kërkim të autorit të atentatit të 4 majit, objektivi i këtij atentati, Dejvis Rrustemaj, organizon një sulm me armë në zonën e “Komunës së Parist”, në fillim të muajit gusht. Ai, bashkë me 3 persona të tjerë, tentuan të vrisnin 25-vjeçarin Lorenc Hoxha, duke qëlluar drejt tij me armë zjarri.

Ky i fundit tha në Polici së ngjarja kishte ndodhur për një motiv banal, pas një konflikti për xhirimin e gomave të makinës. Momentalisht, Rrustemaj dhe 3 shokët e tij ndodhet në qelitë e paraburgimit në lidhje me këtë ngjarje.

ARRESTIMI I AUTORIT

Autori i dyshuar për plagosjen e Dejvis Rrustemajt, u arrestua të premten gjatë operacionit të koduar “Zerqani”, në Bulqizë. Gjatë operacionit për kapjen e tij, i kërkuari Besmir (Sula) Xeneli, ka goditur makinën e policisë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por është bërë e mundur bllokimi dhe arrestimi i tij.

Arrestimi është kryer, bazuar edhe mbi informacionet e marra në rrugë operative se shtetasi Besmir Zeneli po qarkullonte me një automjet “Land Rover”, me targa false, TR 95 65 P, në dalje të qytetit Bulqizë, në zonën e quajtur “Pishat”. Forcat e Policisë kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit, me të cilin ai udhëtonte, si dhe kapjen e arrestimin e tij.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura