Atentati ndaj tregtarit të peshkut, 8 orë në polici këshilltari i bashkisë: Kur ndodhi ngjarja…

Nov 16, 2018 | 13:10
SHPËRNDAJE

Një ditë pas vrasjes së Fatos Ferracakut dhe plagosjes së kunatit të tij, Fatmir Mehaj, në Shkodër, është shoqëruar në Polici Mustaf Lici, anëtari i Partisë Mendimi i Djathtë Liberal në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.

Mustafa Lici

Efektivë të FNSH-së kanë rrethuar banesën e Mustaf Licit që në orën 06:00 dhe më pas e kanë shoqëruar atë në ambientet e Policisë së Shkodrës. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ai është pyetur rreth vrasjes së Ferracakut dhe motorit që u gjet i djegur në afërsi të banesës së tij.

Por, Mustaf Lici ka mohuar se ka lidhje me vrasjen dhe as që ka dijeni për autorët e mundshëm. “Kur ka ndodhur ngjarja, kam qenë në Tiranë me deputetë të PD-së, në një mbledhje të zhvilluar atje”, është shprehur këshilltari i bashkisë. Pas shoqërimit, familjarët e tij nuk janë lejuar që të kenë asnjë lloj kontakti me të. Ata kanë kërkuar që t’i dërgojnë ujë dhe ushqime, por kjo gjë nuk është pranuar nga Policia. Mustaf Lici u la i lirë pas 8 orësh që është marrë në pyetje në Policinë e Shkodrës.

HETIMI

Zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe një prokuror i Krimeve të Rënda ishin dje në Shkodër për hetimin e kësaj ngjarjeje. Drejtori i Krimeve, Niko Brahimi, nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe drejtor për Rendin, Gjovalin Loka, njëkohësisht ish-drejtor në Policinë Vendore të Shkodrës dhe një prokuror i Krimeve të Rënda kanë mbërritur paraditen e djeshme, nga ku kanë analizuar provat dhe pistat e deritanishme.

Fillimisht po analizohet nëse ngjarja duhet të bashkëlidhet në një procedim për te Krimet e Rënda në kryeqytet apo do i lihet organit të akuzës në Shkodër. Po ashtu, krerët e lartë kanë ardhur në Policinë Vendore të Shkodrës edhe për të analizuar dhe thelluar hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë për zbardhjen e plotë të saj. Viktima Fatos Ferracaku, 40 vjeç, ishte kushëri i afërt me Arjan Ferracakun, biznesmenin 31-vjeçar të vrarë më 1 shtator 2018 po në Shkodër, teksa kalëronte.

Policia tashmë ka dyshime të forta se krimi i dy ditëve më parë ka lidhje me ngjarjen e ndodhur në shtator ku mbeti i vrarë biznesmeni. Sipas të dhënave, në vendin e ngjarjes asokohe ka qenë (si dëshmitar) edhe viktima e dy ditëve më parë. Ai ishte tregtar peshku dhe vinte çdo ditë nga fshati Shtoj i Ri për të shitur peshk në Shkodër. Por pavarësisht kësaj, hetimorët nuk kanë përjashtuar dyshimin se 40- vjeçari ka qenë i implikuar si vrasës me pagesë, pistë e cila tashmë është duke u hetuar.

AUTORET

Burime nga vendngjarja shprehen se autori i vrasjes ka pasur të veshur një xhakete ngjyre të kuqe me të bardhë, ndërsa në kokë mbante një skafandër të kuqe. Ai ka zbritur nga motori shumë shpejt dhe është afruar deri në rreth 10 metër, duke qëlluar në ecje e sipër. Pasi ka qëlluar objektivin Fatos Ferracaku, i është afruar dhe e ka qëlluar edhe dy herë në kokë viktimën për t’u siguruar se ka vdekur. Autori ka qëlluar vetëm me njërën dorë, ndërsa raportohet se ka pasur saktësi të madhe duke qenë preciz, pra, një vrasje profesioniste.

Ai ka qëlluar edhe kunatin e viktimës në këmbë, i cili tentoi të ndërhynte, por dyshohet se ky veprim i autorit është kryer për ta neutralizuar atë dhe jo për ta vrarë. Më pas është larguar duke hipur në motor, që drejtohej nga një tjetër person. Pasi ka hipur në motor, ai ka qëlluar edhe një herë në ajër për të dhënë ndoshta edhe një mesazh. Në duar mbante doreza të zeza për të mos lënë asnjë gjurmë. Gjatë kohës kur qëlloi, autori e ka pasur xhamin e skafandrës të hapur, por sipas burimeve, ai mbante një kapuç, pra, ka qenë i maskuar.

Bëhet e ditur se motori që u gjet duke u djegur në Zooteknike ka qenë ngjyre gri, tip TMAX 550 kubik, mjet që ka një shpejtësi të madhe. Ndonëse në vendin ku ndodhi krimi i rëndë ka pasur shumë njerëz, autori nuk ka gabuar në asnjë prej plumbave, çka dyshohet se vrasja është kryer nga një profesionist i paguar. Në vendin e ngjarjes mësohet se ka qenë rastësisht edhe një efektiv i Policisë, civil. Ai ka tentuar që ta ndjekë autorin duke vrapuar, por motori është larguar me shpejtësi. Edhe personi që drejtonte motorin ka pasur skafandër në kokë dhe sipas dëshmitarëve ka qenë i veshur me rroba ngjyrë gri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura