Atentati ndaj prokurorit/ Pse dyshohet se makina e autorëve ishte “rreng”, pistat e hetimit shtrihen përtej detyrës së Ndojës

Nov 4, 2019 | 14:31
SHPËRNDAJE

Prova të shumta janë gjetur në makinën e braktisur nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja.

ndoj

Ky i fundit ishte në prani të një personazhi të skeduar nga Policia në momentin e atentatit dhe konkretisht me Aleksandër Lahon. Kjo ka bërë që hetimet të mos përqendrohen vetëm në pistën për shkaqe të detyrës së prokurorit, por të shihen edhe ngjarje ku mund të ketë qenë i përfshirë Laho.

I cili njihet gjithashtu me emrin Pëllumb Muharremi dhe disa vite më parë, u dyshua si i përfshirë në rrahjen e një biznesmeni libanez për pronat në Durrës. Hetimet janë marrë në dorë nga Prokuroria për Krime të Rënda, e konkretisht prokurori Anton Martini, i cili ka qenë i pranishëm në orët e para pas atentatit dhe ka ndjekur nga afër hetimet.

Ndërkohë që është bërë sekuestrimi dhe po bëhet këqyrja e të gjitha kamerave të sigurisë, që hetuesit i kanë parë me interes, disa prova, materiale biologjike si flokë e shenja gishtash janë gjetur në makinën e braktisur. Ato janë duke u ekzaminuar, megjithëse dyshimi se kjo makinë mund të jetë një rreng, në mënyrë që autorët të humbasin gjurmët, vazhdon të mbetet.

Hetuesit kanë shpresë se nëpërmjet kamerave të sigurisë do të rindërtojnë një itinerar të ndjekjes së makinës ku ishte prokurori, Laho dhe shoferi, Andi Maloku. Vetë Ndoja, në dëshminë e parë të dhënë për hetuesit, është shprehur se nuk ka qenë ai shënjestra dhe se nuk i ka parë autorët apo makinën.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të merret dëshmia e Aleksandër Lahos, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe për konfliktet e mundshme të këtij të fundit. Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penale për këtë ngjarje për dy vepra penale, “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Grup kriminal”. Teksa mësohet se targa e makinës së braktisur është vjedhur në Tiranë në një makinë të parkuar, atentati duket i organizuar në detaje. Gjatë orëve të fundit, të shumtë kanë qenë shoqërimet dhe marrjet në pyetje, por deri më tani si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe jo si të dyshuar.

Pasditen e së premtes, makina ku ndodhej prokurori Arian Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi) dhe që drejtohej nga Andi Maloku do të përballej me breshëri plumbash në mbikalimin e Shkozetit.

Pak orë më pas, Policia do të sinjalizohej për një makinë tip “Benz” e braktisur dhe gati për t’u djegur në rrugën e Ishmit, pranë varrezave. Nga breshëria e plumbave mbetën të plagosur prokurori Ndoja, Aleksandër Laho dhe në gjendje më të rëndë për jetën shoferi i makinës, një ish-polic, Andi Maloku.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura