Atentati ndaj prokurorit/ Çfarë zbuloi laboratori i Policisë Shkencore tek armët e gjetura në Benzin e vjedhur dy javë më parë

Nov 4, 2019 | 17:58
SHPËRNDAJE

Laboratori Policisë Shkencore pohon se, ka përputhje të lartë ndërmjet gëzhojave të gjetura në atentatin e tipit mafioz në drejtim të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj dhe armëve të sekuestruara në një automjet në Ishëm.

atentati-durres

Ndërkohë janë shoqëruar në drejtorinë e policisë së Tiranës dy persona me origjinë nga Fushë Kruja por, ende nuk dihet roli i tyre në atë ngjarje kriminale ku mbetën të plagosur tre persona.

Armët e zjarrit të sekuestruara në automjetin e braktisur në Ishëm pas atentatit të së premtes në Durrës ku udhëtonte Prokurori Arjan Ndoj dhe dy miqte e tij, sipas Laboratori të Policisë Shkencore kanë ngjashmëri më gëzhojat e gjetura në vendngjarje.

Burime nga grupi hetimor pohuan për ABC News se, – nga kryerja paraprake ka rezultuar një përputhshmëri e lartë, pasi gëzhojat e gjetura në vendngjarje janë qëlluar nga armët tip Kallashnikovë të lëna në mjetin e braktisur në Shkafanë të Ishmit.

Ekspertët e balistikës në Policinë e Shtetit do të bëjnë edhe në një krahasim të dytë për të hequr çdo dyshim mbi përputhshmërinë e gjilpërës së automatikut Kallashnikov model 56 dhe shenjës së lënë në kapsollën e gëzhojave të gjetura te mbikalimi i Shkozetit.

Në atentatin e tipit mafioz të së premtes ndaj prokurorit Arjan Ndoj, shoferit Andi Maloku dhe mikut të tyre Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi apo me pseudonim “Rrumi” dyshohet se u qëllua nga dy armë të ndryshme.

Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje një numër të lartë personash, ku dy prej tyre janë dërguar në Drejtorinë e policisë së Tiranës.

Automjeti që autorët u larguan në drejtim të Ishmit, tip Mercedes Benz me targa AA 342 LM ishte vjedhur në Tiranë dy javë më parë.

Në të njëjtin mjet gjithashtu u gjetën edhe prova të tjera, si maska, fije floku dhe gjurmë papilare të lënë te një bidon plastike me benzinë.

Për të bërë të mundur identifikimin e personave nëpërmjet analizave të AND-së, Laboratori i Policisë Shkencore do të kërkojë të krahasojë nëpërmjet Interpolit, profilit gjenetik të përftuar pasi, autorët mund të rezultojnë të dënuar në vendet e Bashkimit Europian.

Të gjitha veprimet e zinxhirit komandues në Durrës po verifikohen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pasi zona monitorohet me patrulla të lëvizshme policore gjatë 24 orëve.

Pikëpyetjet e grupit hetior janë të shumta pasi, nga koha kur ndodhi atentati rreth orës 16:25, policia mbërriti rreth 20 minuta më vonesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura