Atentati ndaj Lul Berishës, Gjykata rihap çështjen. Ç’kërkon personi që u pagua 80 mijë euro për ta vrarë

Sep 14, 2018 | 15:11
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që të rihapë dosjen e atentatit ndaj Lulzim Berishës. Ky vendim është marrë, pasi shtetasi Ahmet Ajeti, i cili u ekstradua dy muaj më parë nga Kosova, kërkoi rihapjen e çështjes. lul-berisha

Togat e zeza të Krimeve të Rënda kanë pranuar kërkesën për rishikim të vendimit ndaj Ahmet Ajetit, i dënuar me 20 vite burg në mungesë për atentatin e dështuar ndaj Lulzim Berishës. Atentati ndodhi 13 vite më parë në Durrës.

Burimet thonë se i ekstraduari nuk ka folur për prokurorët, por ka kërkuar vetëm rishikimin e vendimit. Sipas hetimeve, Ahmet Ajeti dhe shtetasi tjetër kosovar, Osman Karpuzi u porositën nga Adriatik Coli dhe Endrit Dokle për të eliminuar fizikisht Lulzim Berishën, kreun e bandës rivale në qytetin e Durrësit.

Atentati ndaj Lul Berishës dështoi pasi Ahmeti, para se të arrinte te vendi ku ndodhej kreu i bandës, u konfliktua me një person dhe nxori armën dhe u vetëplagos. Pas 13 vitesh në arrati, Ajeti u ekstradua në Shqipëri.

ATENTATI

Në gusht të 2005-s, 35- vjeçari së bashku me Osman Karpuzin, udhëtuan nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën, por atentati dështoi. Nga hetimet rezultoi se kosovari u pagua 80 mijë euro që të vriste Lul Berishën.

Por një konflikt banal dhe një vetëplagosje mbrëmjen e 30 gushtit 2005 bënë që atentati të dështonte. Sipas dosjes, rezulton se në datën 28.08.2005, Endrit Dokle dhe Adriatik Coli kanë kontaktuar dhe më pas kanë lidhur marrëveshje me Osman Korpuzin dhe Ahmet Ajetin për vrasjen e Lulzim Berishës.

Ata janë takuar në Tiranë dhe atentatorëve u janë treguar të dhëna për Lulëzim Berishën dhe lëvizjet e tij. Pasi ranë dakord, ata janë sistemuar në një hotel në Durrës dhe janë pajisur me armë zjarri të llojit pistoletë, ku njëra ishte me silenciator. Bashkë me armët, ata kanë marrë edhe një fotografi të Lulzim Berishës. Mirëpo, ditën e atentatit, Ahmet Ajeti mbeti i plagosur në afërsi të lokalit ku qëndronte Lulzim Berisha.

Sipas hetimeve, ai është grindur me një person dhe në nerva e sipër ka nxjerrë armën, duke e shkrepur dhe u vetëplagosur. Në ndihmë të tij, kanë shkuar bashkëpunëtori Osman Korpuzi dhe një shtetas tjetër, që i shoqëronte me inicialet S.S., të cilët i kanë marrë pistoletën. Shtetasi S.S. ka marrë dy armët e zjarrit dhe është larguar menjëherë, ndërsa Osman Korpuzi ka njoftuar Policinë me qëllim që të dërgonte në spital të plagosurin Ajeti.

Ahmet Ajeti është shoqëruar për në Spitalin Rajonal Durrës dhe nga pyetja e tij si dhe e Osman Korpuzit, nga ana e Policisë Gjyqësore, e cila filloi menjëherë veprimet hetimore për ngjarjen, prej këtyre shtetasve nuk është treguar qëllimi i vërtetë i ardhjes së tyre nga Kosova, duke u justifikuar me arsyen e pushimeve në plazhin e Durrësit.

Ndaj këtyre shtetasve kosovarë është ushtruar kontroll fizik nga ana e Policisë Gjyqësore, prej nga ka rezultuar se në portofol i është gjendur një fotografi e të gjykuarit Lulëzim Berisha e mbështjellë, e cila së bashku me celularin i janë sekuestruar.

POROSIA

Prokuroria thotë se atentatin e dështuar ndaj Lulzim Berishës e ka porositur Endrit Dokle, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i dënuar me burgim të përjetshëm. Dokle dhe Lulzim Berisha dikur ishin miq, por banda u përça për akuza të ndërsjellta për eliminimin e disa anëtarëve të saj. Kështu, Dokle i ndihmuar edhe nga Adriatik Coli kontaktuan dy shtetasit kosovarë për të kryer atentatin ndaj Lulzim Berishës, i cili dështoi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura