Atentati ndaj “Il Padrinos”, shtohen pistat e hetimit. Dyshohet se u ekzekutua për…

Nov 12, 2018 | 20:16
SHPËRNDAJE

Shtohen pistat e hetimit për atentatin me breshëri automatike në zonën e plazhit në Durrës, ku mbetën të vrarë Edison Harizaj dhe miku i tij Genci Çaçi.

VIKTIMAT, EDISON HARIZAJ DHE GENCI ÇAÇI (MAJTAS)
VIKTIMAT, EDISON HARIZAJ
DHE GENCI ÇAÇI (MAJTAS)

Për shkak se shënjestra e këtij atentati dyshohet të ketë qenë 39-vjeçari Harizaj, hetimorët kanë hapur edhe disa dosje të vjetra ku ai ka qenë i implikuar si autor. Gjithashtu, emri Harizaj, i njohur si mik me Emiljano Shullazin ka qenë i dyshuar në atentatin e bujshëm të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ngjarje e cila nuk iu provua dot. Së fundmi, emri i 39- vjeçarit doli edhe si i dyshuar në zhdukjen e Albano Xhaferrit.

Ky i fundit ishte kthyer nga Belgjika. Edison Harizaj dyshohet se kishte marrë të dhëna se Xhaferri ishte paguar që nga Belgjika që të survejonte lëvizjet e tij për t’u dhënë informacion më pas të interesuarve që kishin qëllim ta eliminonin atë. Por grupi hetimor është duke punuar edhe në pista të tjera që lidhen me qytetin e Vlorës.

Nga mënyra e realizimit, atentati, sipas ekspertëve të Policisë, ishte organizuar për të mos dështuar dhe tashmë ka dyshime të forta se krimi ka lidhje me një luftë për territore mes grupeve rivale në Vlorë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 7 nëntorit, kur viktimat po udhëtonin në makinën “Audi A8” me targa AA 867 TX. Edison Harizaj, 39 vjeç, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit, dhe Genci Çaçi, 33 vjeç, u vranë me armë zjarri në “Unazën e Plazhit”, aks që lidh jugun e vendit me kryeqytetin.

Viktimat po ndiqeshin nga autorët përgjatë autostradës. Pasi kanë derdhur një duzinë plumbash mbi makinën e tyre, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe pak kilometra më tej i vunë flakën makinës që përdorën në atentat.

DINAMIKA E ATENTATIT

Ekspertët e krimeve thonë se atentati ndaj Harizajt është kryer në mënyrë të organizuar. Ekzekutorët, që mendohet se janë më shumë se pesë persona, kanë vënë në jetë një skenar të menduar deri në detaje. Sipas ekspertëve, plani i ekzekutorëve ka qenë i hartuar shumë mirë dhe ka funksionuar në precizion. Ata kanë marrë informacion të hollësishëm se ku ndodhej Harizaj në Tiranë dhe kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e 39-vjeçarit. Më pas e kanë ndjekur makinën e tij, ndërkohë që bashkëpunëtorët e tyre kanë zënë pritën në zonën e Unazës së Durrësit (në afërsi të mbikalimit të Plepave).

Nga mekanizmi i ngjarjes, dyshohet se personat që i ishin vënë nga pas makinës, me të cilën udhëtonte Edison Harizaj dhe Genci Çaçi, informonin për vendndodhjen herë pas here bashkëpunëtorët e tyre, që ndodheshin në afërsi të Plepave në pritje. Sapo Harizaj dhe Çaçi janë afruar në zonën e Plepave, një automjet, ku ndodhej pjesa tjetër e grupit, ka hyrë në kundërvajtje në korsinë ku Harizaj po udhëtonte nga Tirana në Vlorë.

Ai ka ulur shpejtësinë për të shmangur automjetin që po vinte drejt tyre kundërvajtje dhe në një moment devijoi në rrugë dytësore për të evituar përplasjen. Por pikërisht në rrugën dytësore ishin vendosur ekzekutorët, të cilët kanë qëlluar menjëherë në drejtim të makinës së tyre, duke derdhur të paktën dy karikatorë kallashnikovi (60 plumba). Në vendin ku autorët kanë zgjedhur të kryejnë krimin nuk ka asnjë pamje filmike dhe as ndriçim.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura