Atentati ndaj biznesmenit në ish-Bllok, Policia shoqëron 5 persona

Jan 15, 2017 | 23:00
SHPËRNDAJE

Një ditë pas atentatit të ndodhur në rrugën “Ismail Qemali”, në zonën e ish- bllokut në kryeqytet, policia ka shoqëruar pesë persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarjen, ku u plagos biznesmeni Artur Aligjoni.

biznesmeni
Artur Aligjoni dhe Halim Hysa

Burime të drejtorisë së Policisë së Tiranës, thanë se të shoqëruarit janë persona që dyshohet se kanë lidhje me Halim Hysën, 35-vjeçari nga Tirana i cili është pronar dhe instruktor i një palestre në Kodër Kamëz.

Ky i fundit ka mbetur i plagosur me thikë në muajin shtator të vitit të kaluar, ndërsa i dyshuar për ngjarjen ka qenë Aligjoni.

Në atë kohë Aligjoni, u ndalua, por për shkak se plagosja qe e lehtë dhe personi nuk pati probleme për jetën, i dyshuari u hetua në gjendje të lirë.

Burimet e policisë thanë se personat shoqëruar kanë pretenduar se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ndërkaq nga ana tjetër i plagosuri, 45 vjeçari Artur Aligjoni, iu tha tha oficerëve të policisë se nuk e kishte parë personin i cili qëlloi ndaj tij, raporton “Tv Klan”.

Pavarësisht pretendimeve të Aligjonit, hetuesit e policisë dyshojnë se ai nuk ka dëshirë të flasë mbi ngjarjen. Hetuesit tashmë janë përqëndruar në marrjen e informacioneve dhe të dhënave të tjera që lidhen me atentatin e mëngjesit të të shtunës ku Aligjoni u qëllua me armë zjarri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura