Atentati ndaj biznesmenit Demir Backa/ Mister porositësi, vrasësit qitës profesionistë erdhën nga Vlora! Çfarë zbulon ekspertiza mbi trupin e 57-vjeçarit

Oct 26, 2021 | 14:44
SHPËRNDAJE

Zgjerohen pistat e hetimit për ekzekutimin e biznesmenit Demir Backa.

Mësohet se hetuesit përveç konflikteve të vjetra po hetojnë edhe një pistë tjetër, atë të një konflikti të ndodhur kohët e fundit me një person të njohur dhe me influencë në Fier.

Nuk përjashtohen edhe dyshimet për konflikte pronësore, por kjo është pista më pak e dyshuar sipas burimeve hetimore. Po ashtu, burime nga hetimi tregojnë se automjeti me të cilin është kryer atentati ka qenë i vjedhur në muajin qershor në Kosovë, çka tregon se autorët e vrasjes kanë pasur muaj që po përgatiteshin për këtë atentat.

Në vrasjen e Demir Backës mbrëmjen e së shtunës dyshohet se kanë marrë pjesë tre persona, njëri ka qenë në drejtim të mjetit, ndërsa dy të tjerët dyshohet se janë qitës profesionistë nga qyteti i Vlorës, pasi është provuar se autorët kanë ardhur në Fier nga Vlora dhe janë kthyer sërish në qytetin bregdetar. Autorët e vrasjes dyshohet të jenë qitës profesionistë.

Ndaj tij u shkrepën plumba të shumtë, duke e goditur në pjesën e kokës dhe atë të gjoksit. Baçka u dërgua me urgjencë në Spitalin e Fierit, por nuk ka mundur të mbijetojë.

EKSPERTIZA

Mjeku ligjor tha se tre plumba e kanë prekur në zonën e qafës dhe kokës dhe rreth 15 të tjerë në kraharor, duke mos i dhënë asnjë mundësi mbijetese 57-vjeçarit.

Dy autorët qëlluan Demir Baçkën nga një makinë tip “Benz” në lëvizje, me targa kosovare, të cilat dyshohet të jenë gjithashtu të vjedhura. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, në anën tjetër të qytetit, një mjet po “Benz” u gjet totalisht i djegur, ndërsa mendohet se u përdor nga autorët e ngjarjes e më pas u braktis dhe iu vu zjarri për të humbur gjurmët.

Brenda “Benz”-it të djegur u gjet një kallashnikov dhe një pistoletë, të cilat janë dërguar për ekzaminim. Backa ishte pronar i një lokali të njohu në Fier. Viktima është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, Demir Backa, i cili u vra në vitin 1997 në Levan, bashkë me 23 persona të tjerë.

Policia ka shoqëruar deri tani 15 persona, të cilët janë marrë në pyetje mbi ngjarjen, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen dhe pasi janë shoqëruar, janë lënë të lirë.

Mes të shoqëruarve kanë qenë edhe persona që mendohet se kanë parë nga afër ngjarjen e rëndë, por deri më tani nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me vrasësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura