Atentati ndaj aktorit, Prokurori kërkon 18 vjet burg për porositësin e vrasësin me pagesë

Jul 10, 2018 | 22:34
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Organi i akuzës shpalli dje pretencën për 4 të akuzuarit e atentatit ndaj aktorit Mishel Prela, ngjarje që ndodhi një vit më parë në Tiranë. Prokuroria ka kërkuar nga 18 vite burgim për porositësin e atentatit, Ervin Zallumi, dhe personin që e kishte paguar për eliminimin e 32- vjeçarit Manoku, shtetasin Shkëlzen Buci.

Mishel Prela (Manoku), që iu bë atentat
Mishel Prela (Manoku), që iu bë atentat

Ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Miklear Tola, dhe personin që përkrahu atentatorin, shtetasin Ermir Tola, nga 1.4 vite burgim. Dëshmitari i drejtësisë, Miklear Tola, i cili mori pjesë në atentat duke spiunuar agjendën e objektivit, fitoi nga marrëveshja dhe u kërkua shpallja fajtor e tij dhe dënimi me 1.4 vite burgim.

Mbi 32-vjeçarin Mishel Prela (Manoku) u qëllua 8 herë me armë zjarri dhe 4 nga plumbat e goditën në pjesë të ndryshme të trupit. Pas luftës për jetën në spital, ai ia doli të mbijetojë, edhe pse nga atentati i organizuar ndaj tij mbeti i paralizuar. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, nga i cili përfitojnë të katër të akuzuarit, prokurori Adriatik Cama propozoi që Zallumi të dënohet me 12 vjet burgim e po kaq edhe Shkëlzen Buci.

ATENTATI

Ngjarja ku mbeti i plagosur 32-vjeçari Mishel Prela (Manoku), ndodhi më 20 korrik të vitit të kaluar, rreth orës 21:10, në rrugën “4 Dëshmorët”, ku kalimtarët gjetën të gjakosur të riun dhe menjëherë lajmëruan Policinë. Dëshmitarët kanë denoncuar në Polici se kanë dëgjuar 8 të shtëna arme zjarri dhe më pas kanë gjetur të plagosur një person, i cili ndodhej i shtrirë në krah të një automjeti të parkuar.

I plagosuri u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës nga një kalimtar i rastit, i cili i erdhi në ndihmë me mjetin e tij. Sipas mjekëve, i riu është paraqitur me plagë arme zjarri në bark dhe në gjymtyrë, por pas ndërhyrjes kirurgjikale e ka kaluar rrezikun për jetën. Mishel Manoku njihet edhe si aktor, pasi ka qenë protagonisti kryesor në filmin me titull “Saimir”, të regjisorit italian Francesco Munzi.

Për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, Policia fillimisht ka nisur verifikimin e precedentëve të mëparshëm të Mishel Manokut. Në vitin 2011, Gjykata e Tiranës e kishte shpallur fajtor për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg. Sipas vendimit të Gjykatës, Mishel Manoku u deklarua fajtor, pasi kishte tentuar të vrasë me thikë fqinjin e tij, Ervin Zallumi, duke e goditur me thikë.

Ngjarja për të cilën ai u dënua ka ndodhur pasditen e datës 24 gusht të vitit 2010. E pikërisht si hakmarrje për këtë ngjarje, u dyshua se Zallumi porositi atentatin ndaj tij, duke paguar 80 mijë euro.

Profili i aktorit që u plagos vitin e kaluar

Emri i Mishel Prelës (Manokut) rezulton të jetë i njohur për qytetarët, si aktor në një film ku ai ka luajtur rolin e një emigranti. I riu që i shpëtoi mrekullisht atentatit me 8 plumba vitin e kaluar në Tiranë, ka qenë protagonist në filmin “Saimir” të Xhevdet Ferrit, pikërisht në rolin e Saimirit. Në film, i ati i tij, Edmondi, (Xhevdet Ferri) transporton emigrantët që zbarkojnë në brigjet italiane, ndërsa Saimiri e ndihmon herë pas here, por gjithmonë e me shumë kërkon lirinë e vet larg të atit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura