Atentati ndaj aktorit, çfarë dëshmoi në polici porositësi dhe ndihmësit

Jul 26, 2017 | 8:13
SHPËRNDAJE

Ervin Zallumi, personi i dyshuar si porositësi i vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Mishel Prelës, mbrëmjen e 20 korrikut 2017, kundrejt një pagese 80 mijë euro, mbajti qëndrim mohues në Gjykatën e Tiranës. Pretendimi i tij nuk bindi gjykatën, e cila caktoi ndaj tij masën “arrest në burg”.

mishel manoku ne film

Ndryshe vepruan të arrestuarit e tjerë për të njëjtën ngjarje. Ata janë “zbërthyer” menjëherë pas shoqërimit në polici, duke rrëfyer çdo detaj që kishte lidhje me planin për ekzekutimin e Mishel Prelës, nga porosia, sigurimi i armës, mbajtja në vëzhgim e “shënjestrës” deri tek mbrëmja e atentatit.

Gazeta “Panorama” siguroi një kopje të kërkesës së Prokurorisë së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë për të pandehurit, ku zbardhen dëshmitë e plota të personave nën hetim për këtë ngjarje, dëshmi që publikohen në vijim.

Sipas dëshmive, përgatitjet për atentatin ndaj Prelës kishin nisur gati dy muaj më parë. Për Shkëlzen Bucin, i akuzuar si autor i atentatit, ekzekutor i ‘porosisë 80 mijë euro’, Gjykata caktoi masën arrest në burg. Për të dyshuarit Ermir Tola dhe Trim Hidri, Gjykata caktoi përkatësisht, masën “arrest shtëpie” dhe “detyrim për paraqitje”.

DESHMIA E ERVIN ZALLUMIT

Deklaron se para 7 vitesh është plagosur me thikë nga shtetasi Mishel Prela dhe më pas nuk ka pasur probleme me këtë shtetas. Ai shpjegon se më datë 20.07.17 nga ora 19:00-21:40 kishte qenë në banesën e tij dhe më pas kishte dalë nga banesa ku më pas kishte pirë kafe me disa shokë te Pazari i Ri. Në lidhje me ngjarjen ai është informuar ne internet ku kishte mësuar plagosjen e Mishel Prelës. Me vetë shtetasit Ervin Zallumi i është gjetur një aparat telefoni i tipit “Nokia”, me numër 06…845, të cilin e kishte aktivizuar ditën e deklarimit. Po ashtu ai ka shpjeguar se nuk mbante mend numrin e mëparshëm. I pyetur nëse Mishel Prenal kishte çuar ndonjë person për t’u pajtuar në lidhje me konfliktin e mëparshëm, ai ka deklaruar se Misheli nuk i ka çuar asnjë person të pajtoheshin.

DESHMIA E ERMIR TOLES

Shtetasi Ermir Tola ka deklaruar se me datën 21.07.2017 rreth orës 16:30 ai i ka çuar mesazh shtetasit Shkëlzen Buci, me të cilin kishte lënë takim te Medreseja. Pasi është takuar me të, ai i ka thënë Shkëlzenit se vëllai i tij ishte futur në birucë për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë dhe e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur, pasi vëllai i tij nuk i kishte treguar gjë, por Shkëlzeni është përgjigjur se nuk ka gjë. Ai i ka thënë Shkëlzenit se “më tha vëllai për ato lekët”, por Shkëlzeni i është përgjigjur që nuk është personi që t’i marrë lekët. Pasi e ka pyetur se çfarë do të bëhej me vëllain e tij, Shkëlzeni ka thënë që “lekët do t’i ketë të paguara, shpenzimet do t’i ketë të hequra”. Po kështu, Ermiri ka deklaruar se gjatë bisedës së zhvilluar me vëllain e tij Miklarin në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, Milkari i ka thënë se ndodhej aty për shkak të ngjarjes së ndodhur te gjimnazi “Partizani”, ku ishte plagosur një person dhe gjithashtu Miklari i ka kërkuar të shkonte të takonte Shkëlzenin dhe t’i thoshte “për ato që ishin 25 apo 30 mijë euro.

DESHMIA E TRIM HIDRIT

Ai ka shpjeguar se është takuar me shtetasin Miklar Tola në orën 21:15 në vendin e quajtur shkolla “Bajram Curri”, ku Miklari i ka thënë që ta çonte me motor te spitali për të marrë ilaçe për nusen e tij. Pasi kanë pirë kafe në një lokal aty afër të dy kanë shkuar te spitali ku pasi kanë marrë ilaçet, ai e ka çuar përsëri te shkolla “Bajrami Curri” dhe më pas është ndarë me të në orën 21:30.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura