Atentati me silenciator/ Biznesmeni u ekzekutua nga një vrasës me pagesë, kamerat fiksuan…

Feb 17, 2018 | 12:20
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Biznesmeni 64- vjeçar, Memli Begalla, është ekzekutuar nga një vrasës me pagesë, që është kujdesur të mos lërë asnjë provë në vendin e ngjarjes.

viktima memli begalla

Policia tha se viktima është qëlluar me një plumb pas koke, nga një pistoletë e kalibrit të vogël, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk është gjetur gëzhoja. Burime nga grupi hetimor thanë dje se janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në tunelin që përdoret si kalim për automjetet, ku shfaqet autori i atentatit.

Megjithatë, atij nuk i duket në asnjë moment fytyra, pasi është kujdesur që të fshihet nga kamerat. Autori ka të veshur një xhaketë dhe mban jakat të ngritura deri sipër mjekrës, ndërsa në kokë mban një kapele, që i ka shërbyer për të fshehur fytyrën. Pasi ka dalë në rrugë, ai ka hipur në një makinë dhe është larguar.

Të njëjtat burime thanë se është verifikuar automjeti tip “BMW”, ngjyrë e zezë, që u pa natën e krimit të largohej nga vendngjarja, por nuk ka rezultuar të ketë lidhje me krimin. Sipas Policisë, makina është e një banori të pallatit, i cili ka qenë duke dalë nga parkingu pak para se të ndodhte vrasja.

RINDËRTIMI I SKENËS SË KRIMIT

Gjatë paradites së të enjtes oficerë të Policisë së Tiranës dhe ekspertë kriminalistë janë rikthyer në vendin ku u vra biznesmeni Memli Begalla, ku kanë kryer veprime të tjera hetimore, sigurim provash dhe rindërtim të skenës së krimit.

Burime nga Policia thanë se Begalla është qëlluar para automjetit të tij tip “Renault”, që e kishte parkuar në sheshpushimin e rrethuar nga të katra anët me pallate, në njërin prej të cilëve jetonte edhe ai vetë. Sapo i është afruar makinës, autori, që sipas Policisë ka qenë duke e pritur aty, i është afruar duke e qëlluar një herë të vetme pas koke, kur ai po hapte derën e makinës.

Askush nuk ka parë e as nuk ka dëgjuar asgjë, pasi trupi i pajetë është parë nga kalimtarët disa minuta pasi kishte ndodhur ngjarja. Kjo, sipas Policisë, edhe për arsye se vendi i ngjarjes nuk ka ndriçim e autori i ka pasur të gjitha mundësitë që të fshihej mirë, por edhe për shkak se ai dyshohet të ketë përdorur një pistoletë me silenciator. Pas krimit, autori dyshohet se është larguar nga një prej tri rrugicave që të nxjerrin nga sheshi mes pallatesh.

Dy prej tyre janë vetëm për këmbësorë dhe kanë dalje në rrugën “Adbyl Frshëri”, pranë Sheshit “Wilson”. Ndërsa dalja e tretë, një tunel që është e vetmja hyrje-dalje për makina, ku ka dhe kamera sigurie, të nxjerr në rrugën “Nikolla Tupe”, pak metra pa shkuar te Minibashkia nr.5.

Sipas Policisë, autori ka pasur edhe një bashkëpunëtor që e ka pritur në makinë, me të cilin ai edhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura