Atentati mafioz/ Si u ekzekutua miku i Shullazit, 50 plumba nga dy armë të ndryshme. Kur e kuptoi që po e ndiqnin…

Nov 8, 2018 | 16:19
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Detaje nga ekzekutimi në atentat në Durrës i Edison Harizaj, i cili dyshohet të jetë implikuar në të paktën tri vrasje të ndodhura vitet e fundit në qytetin e Vlorës, si dhe mikut te tij Genci Çaçi.

Viktimat po udhëtonin në makinën “Audi A8” me targa AA 867 TX. Policia bëri të ditur se Edison Harizaj, 39 vjeç, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit dhe Genci Çaçi, 33 vjeç, u vranë me armë zjarri në “Unazën e Plazhit”, aks që lidh jugun e vendit me kryeqytetin.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së të martës (22:50) në lagjen Nr. 13, e njohur si “Zona e Plazhit”, ndërsa dyshohet se viktimat po ndiqeshin nga autorët përgjatë autostradës.

Pasi kanë derdhur një duzine plumbash mbi makinën e tyre, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe pak kilometra më tej i vunë flakën makinës që përdorën në atentat.

123-6

EKZEKUTIMI

Edison Arizaj dhe Genci Çaçi ishin duke udhëtuar nga Tirana në drejtim të Vlorës me një mjet tip “Audi A8” dhe në afërsi të mbikalimit të Plepave në Durrës, ata u qëlluan ne ecje e sipër nga persona ende të paidentifikuar.

Mbi 50 plumba nga dy armë të ndryshme janë shkrepur në drejtim të tyre, ku 30 plumba kanë prekur makinën dhe të shënjestruarit. Dyshohet se dy të rinjtë e kishin pikasur që po ndiqeshin, ndaj për t’u shpëtuar atentatorëve, drejtuesi i mjetit ka lënë autostradën në një dalje pranë Lagjes 13 në qytetin e Durrësit. Por autorët, që dyshohet se kanë qenë vrasës me pagesë, e kanë kuptuar lëvizjen dhe i kanë sulmuar me breshëri armësh zjarri për më shumë se 30 metra në lëvizje.

Autorët i kanë derdhur plumbat në pjesën e dyerve të para të makinës, duke lënë të vdekur në vend 39-vjeçarin Harizaj dhe plagosur shumë rëndë Çaçin, që ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit. Sipas Policisë, Harizaj ka marrë disa plumba në trup dhe në kokë dhe për pasojë ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje. Miku 33-vjeçar i tij mbeti i plagosur rëndë, me disa plumba në trup e gjymtyrët e poshtme.

Ai u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, por disa orë më pas ndërroi jetë. Autorët, ndërkohë, që sipas skemës së përdorur për atentatin kanë qenë disa persona, janë larguar me shpejtësi drejt Shën Vlashit, ku i kanë vënë flakën makinës që u përdor për vrasjen, e cila rezulton se ishte e vjedhur. Më pas u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura