Atentati mafioz në Durrës/ Dyshimi, miku i Shullazit u vra me porosi nga…

Nov 9, 2018 | 8:44
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Vrasja e dyfishtë ku mbetën të vrarë Edison Harizaj dhe Genci Çaçi, është duke u hetuar nga Policia e Durrësit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Tiranës dhe të Vlorës.

VIKTIMAT, EDISON HARIZAJ DHE GENCI ÇAÇI (MAJTAS)
VIKTIMAT, EDISON HARIZAJ DHE GENCI ÇAÇI (MAJTAS)

Hetimorët kanë marrë shkas nga një seri ngjarjesh kriminale, që fillesën e tyre e kanë para viteve 2000, në të cilat është dyshuar si i përfshirë Edison Harizaj. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, shënjestër e atentatit ka qenë 39-vjeçari Harizaj, baba i një fëmije 5 vjeç.

HETIMI

Grupi i hetimit është përqendruar në dy pista, por pa përjashtuar edhe të tjera për efekt të së shkuarës kriminale të Harizajt, ku ishte implikuar në vrasje, gjobëvënie dhe trafik droge. Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, një prej pistave kryesore mbetet larja e hesapeve mes grupeve kriminale. 39- vjeçari njihej si mik i Shullazit. Ka dyshime të forta se eliminimi ka ardhur pikërisht për shkak të implikimit të tij në krime të rënda, të ideuara dhe urdhëruara prej Emiljano Shullazit.

Një tjetër pistë që po hetohet është ajo e vrasjes për hakmarrje, pasi emri i Harizajt doli në skenë nga një i penduar i vetëdorëzuar në Policinë e Fierit, i cili deklaronte se Albano Xhaferri, i kthyer nga Belgjika, ishte vrarë në Vlorë me porosi të Edison Harizajt. Burime nga grupi hetimor thanë se ka dyshime të forta se plani për ekzekutimin e 39-vjeçarit kishte nisur kohë më parë, por ishte dekonspiruar.

Për këtë shkak, Harizaj mori masa duke hequr qafe Albano Xhaferrin, i cili sipas të dhënave ishte pajtuar që në Belgjikë që të kthehej në Vlorë për ta mbajtur Harizajn nën vëzhgim.

“Sipas hetimeve të deritanishme, i zhdukuri në Vlorë Albano Xhaferri ishte caktuar që të mbante nën vëzhgim Harizajn dhe mikun e tij, i cili më herët i kishte shpëtuar një atentati për të kuptuar rutinën e tyre. Xhaferri ishte porositur t’i gjente banesat, makinat, vendet që frekuentonin më tepër në mënyrë që të ndërtohej një pritë për t’iu bërë atentat. Për këtë detyrë që ai e kishte marrë nga Belgjika, Xhaferri kishte vënë në dijeni edhe shokun e tij, Elton Troqe. Por vetëm pak ditë pasi Xhaferri erdhi në Vlorë për të kryer porosinë, u zbulua prej Harizajt. Dy të rinjtë humbën kontaktet me familjarët dhe dyshohet të jenë vrarë”, thanë burime nga grupi hetimit, që po analizojnë edhe qelizat telefonike të Harizajt si edhe personat që dyshohet se i kanë nxjerrë në pritë të fortin e Vlorës.

“Dyshojmë se autori është një person me precedentë penalë i dënuar për vrasje, që ka mundur të arratiset nga burgu dhe prej kohësh strehohet në Belgjikë. Ai cilësohet si njeri i rrezikshëm dhe pjesë e një bande kriminale në Vlorë”, thanë burime nga Policia, pa përjashtuar as pistën e një ngjarjeje kriminale që ka lidhje me bandën e Shullazit.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura