Atentati i tepërt…

Jul 16, 2016 | 11:40
SHPËRNDAJE
Akil Kraja
Akil Kraja

AKIL KRAJA

Kam jetuar pothuajse nëntë vite në Francë dhe sot ndiej dhimbje për viktimat e pafajshme të këtij sulmi barbar e të pabesë, por ndiej po kaq dhimbje për Francën, Europën dhe të gjithë qytetërimin perëndimor. Në fillim ishte “Charlie Hebdo”, një atentat ndaj fjalës së lirë. Më pas ishte koncerti në “Bataclan”, një atentat ndaj kulturës së lirë. Dje ishte Shëtitorja e Anglezëve, një atentat ndaj jetës së lirë. Ky nuk ishte veç një atentat ndaj francezëve, por edhe një atentat ndaj ëndrrës së bashkëjetesës europiane.

Në Nicë ishin me dhjetëra shtetësi që u preken nga ky sulm barbar i pabesë. Por sulmi u krye në Francë, ditën kombëtare të 14 korrikut, nga një tunizian, në një kryeqytet të turizmit Europian. Një miks eksploziv për të ushqyer nacionalizmin populist, verbërinë hakmarrëse dhe përgjithësimet diskriminuese. Në Angli, në Francë,në Amerikë e kudo në vendet perëndimore po rrënjoset fuqishëm fryma anti-europë, anti-emigracion, anti-të huaj, anti-islam.

Ndaj sulmi në Nicë i shërben vetëm ksenofobisë, urrejtjes, dhunës, frikës se të huajt në Europë përbëjnë një rrezik. Një rrezik për punësimin (ata na rrëmbejnë vendet e punës), një rrezik për kulturën europiane (ata po ç’bëjnë kristianizmin europian), një rrezik për sigurinë kombëtare (ata janë burim kriminaliteti ose terrorizmi). Tema këto të përdorura rëndom në dy fushatat elektorale në Angli dhe në SHBA. Ndaj ndiej dhimbje për të pafajshmit, për turistët dhe banorët e Nicës, për miqtë e mi francezë, për miqtë e mi europianë, por ndiej dhe po kaq dhimbje për veten e për Shqipërinë.

Europa po futet gjithmonë e më thellë në ciklonin e një dhune të verbër, një dhune politike dhe terrori. Europa nuk po arrin të frymëzojë qytetarët e saj se modeli aktual është ai i duhuri. Europa nuk frymëzon më besim tek anglezët e te francezët, të cilët e shohin si një rrezik apo si një dobësi për sigurinë e tyre kombëtare. Dhe burimi i kësaj frike europiane është te të “huajt”, dhe në veçanti te të huajt jo të krishterë. Franca, Anglia dhe e gjithë Europa janë në një krizë ekonomike dhe identitare.

Duke kërkuar t’u bëjnë bisht përgjegjësive dhe gabimeve të elitave të tyre kombëtare, ata gjejnë si fajtor një denominues të përbashkët: të huajin. I huaji është shkaktar për papunësinë në rritje, i huaji është shkaktar për degradimin e kulturës europiane, i huaji është shkaktar kriminalitetin në rritje, i huaji është shkaktar për aktet terroriste në Londër, Madrid, Paris, e së fundmi në Nicë. I huaji ishte kryefjalë në fushatën angleze të Brexit. Nga ana tjetër, Shqipëria vazhdon të shohë tek Europa ëndrrën e saj shekullore për t’iu bashkuar familjes perëndimore.

A mundet më? Sërish nga Lindja e largët, buron rreziku që kjo ëndërr të mos realizohet kurrë. ISIS dhe terrori që ai po mbjell në Europë, në emër të Islamit, e në veçanti në Francë, përbën një rrezik real në frenimin e zgjerimit dhe integrimit europian ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë në veçanti. Gjatë fushatës Brexit në Angli, u tha qartazi në një poster elektoral, madje: Nëse Anglia del nga BE-ja, vendi do t’i bashkohet Shqipërisë. Pra ne, shqiptarët, jemi të huaj për Europën e thellë, për Europën populiste, për Europën e papunë, të varfër e të keqinformuar.

Shqiptarët janë burim emigracioni, kriminaliteti e terroristësh islamikë. Dhe pyes veten nëse janë gabim ose jo kur janë plot 100.000 azilantë në Gjermani, kur policia italiane e konsideron Shqipërinë si kryeqendrën e kanabisit europian, kur “New York Times” heton lidhjet e shqiptarëve me ISIS…

Atentati në Nicë është atentati i tepërt, pikërisht atëherë kur nuk duhej. Një sulm terrorist i pështirë, i pabesë, ndaj dhjetëra turistësh e familjesh të pafajshëm që festonin në një mbrëmje korriku, pavarësinë e Francës, në një Europë në krizë. Ai është një atentat ndaj ëndrrës europiane. Për këtë arsye ai është dhe një atentat ndaj Shqipërisë.

Ndaj unë vajtoj për viktimat e pafajshme, për miqtë e mi francezë, për Francën. Por vajtoj dhe për Shqipërinë, e cila gjendet sërish në një udhëkryq, politik, kulturor dhe ekonomik, me sytë dhe shpresën nga Europa dhe Amerika, ndërkohë që as Europa, e as Amerika nuk e kanë kuptuar ende kush jemi në të vërtetë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura