“Atentati”/ Doshi del i pafajshëm. Mark Frroku dënohet, por… s’do bëjë asnjë ditë burg

Jul 6, 2018 | 8:53
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU / Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm ditën e djeshme deputetin Tom Doshi për çështjen e atentatit të supozuar ndaj tij.

doshi-bami

Sipas togave të zeza, deputeti Doshi nuk ka bërë kallëzim të rremë. Gjithashtu, Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë me nga 1 vit burg Mark Frrokun dhe Durim Bamin, të cilët u shpallën fajtorë për “kallëzim të rremë”.

Por edhe këta të dy nuk do të bëjnë asnjë ditë burg. Sipas Gjykatës, dënimi i Mark Frrokut zbret në 8 muaj burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe Gjykata vendos ta lërë atë në shërbim prove.

Ndërsa për Durim Bamin, i cili supozohej se do të ekzekutonte Doshin, shuhet dënimi prej 1 viti burg, pasi ka qëndruar përtej asaj kohe në paraburgim. Kujtojmë se procesi ka nisur që në vitin 2016 dhe është zvarritur së tepërmi.

Asnjëri prej të pandehurve nuk ishte prezent në seancën ku u mbajtën edhe konkluzionet e mbrojtjes. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga 1 vit burg për secilin prej të akuzuarve.

VERSIONI I DOSHIT

Sipas dosjes hetimore, Tom Doshi ka thënë se ka qenë Mark Frroku ai që e ka njoftuar për atentatin. Doshi i ka shpjeguar se nuk ndodhej në Shqipëri dhe për këtë arsye ata e kanë lënë takimin, pasi ai është kthyer nga pushimet. Nga aktet e administruara, ka rezultuar se ky takim është zhvilluar nga fundi i muajit gusht 2014, në mjediset e hotel “Sh***” në Tiranë. Në këtë takim, i pandehuri Mark Frroku i ka bërë me dije të pandehurit Tom Doshi se ndaj tij po përgatitej të kryhej një atentat dhe këtë do ta ekzekutonte një shtetas me emrin Durim Bami.

Sipas Mark Frrokut, shtetasit Durim Bami i ishte ofruar shuma prej 500 mijë eurosh për të kryer vrasjen. I pandehuri Frroku ka marrë përsipër gjithashtu që ta prezantojë të pandehurin Tom Doshi me personin që do të kryente vrasjen (Durim Bami) me qëllim që ai të mësonte më shumë detaje për rrethanat e kryerjes së këtij atentati.

Me ndërmjetësinë e të pandehurit Mark Frroku, takimi mes tyre dhe Durim Bamit është zhvilluar disa ditë më pas. Lidhur me këtë takim, Tom Doshi ka shpjeguar se Durimi i ka thënë se porosia për të realizuar vrasjen ndaj tij ishte dhënë nga Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet një personi të quajtur F.S.

VERSIONI I FRROKUT

Mark Frroku ka thënë në Prokurori se nuk ka asnjë njohje me të pandehurin Durim Bami. Në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk ka qenë ai që i ka dhënë këtë informacion deputetit Tom Doshi, për më tepër që të ketë prezantuar këtë të fundit me ndonjë shtetas me emrin Durim Bami.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur lidhur me këtë rrethanë edhe i pandehuri Durim Bami, i cili është ndaluar më datë 03.03.2015, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Ai ka thënë se arsyeja e largimit të tij ishte si rrjedhojë e situatës së krijuar në media, ku deputeti Tom Doshi kishte thënë se personi që është paguar nga Ilir Meta për ta vrarë atë, është filmuar dhe është takuar me ministrin e Brendshëm.

Për këtë fakt, atë e ka njoftuar bashkëshortja e tij në telefon që nga jashtë vendit. Ajo e ka sqaruar për të gjitha deklaratat e bëra nga Tom Doshi dhe gazetarë të ndryshëm.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura