Atentati/ “Dorëzohet” biznesmeni: Autori më ndjek prej 3 javësh. Nga historia e një vrasjeje të dyfishtë deri te dyshimet për konflikte pronash, ja pistat e hetimit

Jan 21, 2022 | 22:26
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Biznesmeni që ra në pritën që iu ngrit katër ditë më parë teksa shkonte në punë ka kërkuar mbrojtje.

Ai ka ndryshuar versionin që dha në fillim në Polici, duke dhënë detaje mjaft të rëndësishme për hetimit. Sipas tij, bëhet fjalë për një ndjekje të vazhdueshme nga persona të panjohur, ndjekje që ai i ka zbuluar që me 23 dhjetor të vitit të kaluar.

Ai ka mohuar faktin që dha në fillim se bëhej fjalë për një ngatërresë mes të rinjsh në rrugë, nën pretekstin e tronditjes, ndërkohë që ka dhënë dëshmi tjetër që lidhet me kërcënimin që i kanoset për jetën.

Sipas të dhënave hetimore policia e prokuroria tashmë kanë fiksuar një sërë pistash ku kanë fokusuar hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë, ngjarje që në fakt u dyshua që në momentin e parë që shënjestra e atij atentati ishte biznesmeni dhe jo ndonjë kalimtar rasti.

Dyshimi lindi që në momentin kur u zbulua detaji i rëndësishëm që lidhej me armën me të cilën ishte qëlluar; pistoletë me silenciator!

NDRYSHIMI I NGJARJES

Ndërsa administratori i shkollës “Willson” ka ndryshuar dëshminë dhe i ka kërkuar mbrojtje shtetit shqiptar, bëhet me dije se janë pyetur me dhjetëra persona që kanë dhe mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Përveç një sërë personash të shoqëruar ditën e ngjarjes dhe të thirrur sërish për të dëshmuar nga Policia, bëhet me dije se është marrë në pyetje edhe vëllai i biznesmenit të shënjestruar.

Policia dhe Prokuroria kanë gjurmuar të shkuarën e familjes Masha, duke u gjendur përballë një ngjarjeje të rëndë të ndodhur 26 vite më parë dhe që mban autorësinë e vëllait të shënjestrës së atentatit.

Policia ka kryer të gjitha verifikimet dhe ka kërkuar të marrë në pyetje këtë person, ndërkohë që kanë dëshmuar edhe dy djem të rinj, të cilët janë gjendur nga policia në vendin e ngjarjes. Po ndërsa vëllai i biznesmenit ka dhënë detaje që lidhen me të shkuarën e tij dhe jetën e qetë që bën në Shqipëri, aktualisht dy të rinjtë janë lënë të lirë, pasi nuk kanë dhënë asnjë shenjë që kanë lidhje me ngjarjen.

Biznesmeni Lulëzim Masha i ka qëndruar versionit për pamjen vizive të të riut që i kishte zënë pritën në rrugën që e çonte për te shkolla, pronë e tij.

Në bazë të të dhënave të tij, Policia ka mundur të krijojë një lloj identifikimi për atentatorin, ndërsa sipas burimeve janë kaluar në sitën e Policisë një sërë personash të ngjashëm që janë të skeduar prej tyre në Tiranë. Ende nuk dihet nëse është shoqëruar ndonjë i dyshuar për të mundësuar paraqitjen për njohje nga biznesmeni Masha, por bëhet me dije se hetimet janë përqendruar në një sërë pistash për të mundësuar zbardhjen e motivit të atentatit.

DËSHMIA E BIZNESMENIT

Të dhëna hetimore bëjnë me dije se Lulëzim Masha ka pranuar të dëshmojë gjithë frikën e tij në lidhje me persona të panjohur që e kanë ndjekur prej ditësh.

Ai ka bërë me dije se prej datës 23 dhjetor e deri në fund të muajit, ka qenë i frikësuar pasi ka shquar persona të dyshimtë që e ndiqnin dhe e ruanin edhe te shkolla në të cilën ai është administrator.

Ai i ka thënë Prokurorisë se i riu i ka dalë para dhe diçka ka folur, por nuk ka mundur që ta kuptojë. Më pas e ka qëlluar me tre plumba, ku në mjet kanë rënë dy prej tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura