Atentati/ Çfarë fshihet pas dosjeve që u gjetën në makinën e prokurorit, dyshohet se…

Nov 6, 2019 | 9:57
SHPËRNDAJE

Disa dokumente të grabitura nga Prokuroria e Durrësit dy vite më parë, janë gjetur në makinën me të cilën po lëvizte Arian Ndoja, Aleksandër Laho dhe Andi Maloku, në momentin që iu bë atentati.

ndoj

Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime pohojnë gjetjen e tyre në këtë makinë dhe shtojnë se janë duke u bërë hetime edhe në këtë drejtim. Ndërkohë, Policia njoftoi dje arrestimin e një personi për plagosjen e 3 personave nga breshëria e plumbave të së premtes, ndërsa shtoi se hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Burime pranë grupit të hetimit thanë dje se ka dyshime që shkak për atentatin të jenë bërë çështjet gjyqësore për pronat dhe konstatimi i falsifikimeve të bëra nga një palë në proces në një çështje të pronave në Lalëz.

Kjo gjë do të sillte bllokimin procesit të legalizimit, duke bërë që të ketë përplasje mes grupeve dhe çuar deri në atentatin, që duke iu referuar burimeve, ka dështuar në qëllimin e tij për të vrarë personat që ishin në makinë, për shkak të manovrave të bëra nga shoferi Maloku.

Prej disa ditësh, hetimet për atentatin janë përqendruar në dosjet e pronave dhe gjetja e këtyre dokumenteve në makinë duket se ka përforcuar më shumë dyshimet e hetuesve, që deri më tani kanë identifikuar tre persona që kanë marrë pjesë aktive në atentat, por nuk dihet nëse janë identifikuar persona që mund të jenë porositës të krimit.

Ndërkohë, në komunikimin zyrtar, Policia dhe Prokuroria për Krime të Rënda kërkuan nga mediat që të kishin kujdes në lidhje me informacionin e publikuar, në mënyrë që të mos bëhen shkak të prishjes së hetimeve. “Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkojnë mirëkuptimin e mediave që të tregohen të kujdesshme në dhënien e informacioneve për publikun, të cilat cenojnë vijimin e hetimeve”, shkruhej në njoftimin e Policisë

REAGIMI

Në një reagim për “A2 CNN”, prokurori Arian Ndoja ka pranuar ekzistencën e disa dokumenteve në makinën e tij, por ka shpjeguar se janë të studios së tij ligjore, për të cilën jep edhe konsulencë juridike. “Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që Prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.

Më tej, ky i fundit u është përgjigjur edhe akuzave të bëra nga politika si i lidhur me krimin e organizuar. Arjan Ndoja tha se kurrë nuk ka shpërdoruar detyrën dhe në asnjë rast nuk i ka shërbyer askujt për të përfituar: “Nuk jam ndierë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa për t’u mbrojtur. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në Prokurori duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë”.

Dyshime edhe për dosjen e pronave të gjyqtarit Konomi

Prej dy ditësh, në media qarkullon lajmi se në makinën e gjyqtarit ndër të tjera është gjetur edhe dosja e pronave të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili mbeti i vrarë në një atentat me bombë në vitin 2011. Zyrtarisht ky lajm nuk konfirmohet, por burime të rezervuara pohojnë gjetjen e tyre.

Të njëjtat burime thonë se një nga pistat e hetimit lidhet me konfliktet për tokat e pretenduara nga familja e gjyqtarit, ku disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në Hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale, çka mendohet se ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të Hipotekës, i cili kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni.

Skerdilajd Konomi u ekzekutua me një bombë në vitin 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon në qytetin e Vlorës. Vrasja ende ka mbetur pa autor, ndërsa një nga pistat kryesore të vrasjes së tij mbetet çështja e pronave që zotëronte familja e gjyqtarit në Hamallaj të Durrësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura