Atentatet ndaj krerëve të shtetit, nga Berisha, Nano e Rama. Ja 11 rastet nga 1996

Feb 13, 2015 | 14:14
SHPËRNDAJE

Sulmet me tritol/ Presidentë, kryeministra e ministra që u është rrezikuar jeta që nga viti 1996. Nga Berisha, Rama, Nano, Teta, Dade e deri te Tahiri. 

Ish kryeministrat Nano dhe Berisha gjate nje takimi mes tyre

Gati ishin harruar sulmet ndaj drejtuesve të shtetit shqiptar që nga viti 1990 e deri më sot. Por shpërthimi i tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nxori edhe një herë në pah betejën më të madhe të këtij çerek shekulli në vendin tonë: atë mes krimit dhe shtetit.

Dhe historia e krimit që ka ngritur dorë ndaj shtetit është tejet “e pasur” që nga viti 1912. Ne kemi 8 kryeministra të vrarë, disa ministra të vrarë dhe dhjetëra deputetë po të vrarë. Por ndërsa deri në 1990-n sistemet politike në Shqipëri në asnjë rast nuk kanë qenë demokratikë, pas vitit 1990 situata është krejt ndryshe.

Që nga ky vit ne kemi deputetë të vrarë, kemi politikanë të vrarë, por si ka qenë raporti i krimit ndaj presidentëve, kryeministrave dhe ministrave? Pra, me ata që kanë qenë në detyrë dhe kanë pasur pushtet ekzekutues? Targeti i parë i epokës postkomuniste është Sali Berisha. Në tri raste jeta e Presidentit të dytë pas rrëzimit të komunizmit është rrezikuar seriozisht.

I pari ka qenë më 9 maj 1996 kur, duke shoqëruar homologun italian, Luigi Scalfaro, në një vizitë në Tiranë, Berisha u gjend në një situatë serioze për jetën kur një i ri me emrin Ilir Buzi e kërcënoi me jetë shumë pak metra afër tij, duke mbajtur një granatë në dorë dhe duke bërtitur se do ta shpërthente nëse Berisha nuk i jepte viston për një kredi. 

Kjo është një arsye për të qeshur sot, por jeta e dy presidentëve ishte realisht në rrezik nëse një djalosh i guximshëm i Policisë me emrin Vaso Sota nuk do ta çarmatoste atentatorin me granatë falë një lëvizjeje alla Chuck Norris.

Edhe më e rrezikuar ka qenë jeta e Presidentit Berisha një vit më vonë, kur në mars 1997, një grup personash sulmuan me armë godinën e Presidencës dhe targeti i tyre ishte Presidenti, por u sprapsën nga grupi i truproajve po me armë.

Por më i rëndi rast ndaj jetës së Berishës shënohet më 4 qershor 1997, në Shkallnuer të Durrësit, kur teksa fliste në një miting, një i ri me emrin Ilir Çeta hodhi në drejtim të tij për ta vrarë një granatë, që për fat nuk shpërtheu.

Duket se Berisha kërcënimet i la pas me detyrën e Presidentit, sepse për 8 vite si kryeministër nuk u shënua asnjë ngjarje analoge, përveç rasteve kur media shkruante se Berisha mbante në trup antiplumb nga frika. Personazhi i dytë në detyrë është një femër.

Arta Dade në detyrën e ministres së Kulturës ka kaluar një situatë jo pak të rrezikshme në vitin 1998, kur një makinë e eskortës së saj, e parkuar në qendër të qytetit, u hodh në erë dhe makinat e tjera u dëmtuan lehtë. Fati e deshi që ministrja të mos ishte aty, por kërcënimi ndaj saj ishte real. I pari ministër i Brendshëm që është bërë target i një sulmi, është Neritan Ceka.

Arkeologu i mësuar të shkonte në vendngjarje 2 mijë vjet me vonesë u bë vetë ngjarja kur një person u preu rrugën, sapo ai doli nga godina e Ministrisë së Brendshme. Por truprojat e Cekës ia prenë në mes hovin atentatorit, duke e neutralizuar dhe arrestuar në pak sekonda.

Ministri i Brendshëm më në rrezik për jetën ka qenë Perikli Teta. Ndaj tij është bërë atentat direkt me armë më 15 shtator 1998 dhe mes atentatorëve dhe truprojave të tij pati një shkëmbim të ashpër zjarri duke e vrarë atentatorin. Për fat, ministri nuk pësoi asgjë gjë.

Për nga numri i atentateve, vetëm Fatos Nano mund ta “konkurrojë” Sali Berishën. Dy bigët e politikës shqiptare në epokën e tyre janë big edhe në aspektin e rreziqeve ndaj jetës. Rasti i parë shënohet në detyrën e Kryeministrit më 14 shtator 1998, kur një turmë prej mijëra vetash sulmuan godinën e Kryeministrisë me automatikë, granata antitank e deri tank për të vrarë Kryeministrin Nano.

Godina dhe zyra e Kryeministrit u shkatërruan, por Garda e largoi Nanon vetëm pak çaste para sulmit duke e strehuar në Maqedoni. Nëse Nano do qëndronte, zor se do i shpë- tonte vrasjes dhe ai do ishte sot heroi i vrarë në zyrë. Disa muaj më parë, Kryeministri Nano kishte marrë një kërcënim për vendosje bombe në zyrën e tij, një ngjarje që duket si përkëdhelje me rastin e dytë.

Nuk i ka shpëtuar atentatit as Kryeministri aktual, Edi Rama. Por në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kishte afro 1 vit si kryetar në këtë detyrë, por një person qëlloi me plumba – jo duke përdorur armën, por forcën e krahut – xhamat e dritares së shtëpisë së tij në afërsi të “21 dhjetorit”.

Mbahet mend edhe sot e kësaj dite batuta e Ramës me plumbat në dorë: Këto janë karamelet e doktor Berishës, si reagimi më me humor që është dëgjuar në një kërcënim për jetën. Edhe Ilir Meta nuk u ka shpëtuar kërcënimeve. Rasti më flagrant ka qenë ai në 2011-n, për të cilin u kryhen edhe hetime serioze pas dy SMS që i kishin mbërritur atij nga jashtë vendit në celularin e tij.

Policia e mori në mbrojtje atë dhe familjen, por autorët nuk u gjetën kurrë. Dhe rasti i fundit është ai ndaj ministrit aktual të Brendshëm, Saimir Tahiri. Një person ka vendosur një lëndë eksplozive në farmacinë e të atit duke sjellë shpërthimin, një ngjarje që më shumë se kaq është kërcënim ndaj jetës së vetë ministrit të Brendshëm.

 

SULMET NDAJ DREJTUESVE TË LARTË TË SHTETIT
9 MAJ 1996
Një i ri me emrin Ilir Buzi kërcënon me një granatë në dorë Presidentin Sali Berisha me homologun italian, Luigi Scalfaro, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Atentatori që kërcënonte se do aktivizonte granatën në këmbim të një kredie, u çarmatos dhe u arrestua.

13 MARS 1997
Shkëmbim zjarri përpara godinës së Presidencës midis një grupi personash që kërkonin të hynin brenda ku ndodhej Presidenti Sali Berisha. Pas disa të shtënash, sulmuesit me armë u larguan.

4 QERSHOR 1997
Në një miting në Shkallnuer të Durrësit, Ilir Çeta hodhi një granatë ndaj Presidentit Sali Berisha në podiumin në të cilin po mbante fjalim, por ajo nuk shpërtheu.

21 SHTATOR 1997
Shpërthen në Shkodër një sasi tritoli në një makinë që ishte pjesë e eskortës së ministres së Kulturës, Arta Dade, që do merrte pjesë në një simpozium. Makina e parkuar u shkatërrua plotësisht.

12 JANAR 1998
Një makinë i zë rrugën eskortës së ministrit të Brendshëm, Neritan Ceka, sapo ai del nga godina e Ministrisë së Brendshme. Autori arrestohet.

12 SHKURT 1998
Një telefonatë anonime në Drejtorinë e Policisë së Tiranës njoftonte që kishte vënë bombë në zyrën e Kryeministrit, Fatos Nano. Pas evakuimit të godinës së qeverisë duke larguar edhe Kryeministrin Nano, rezultoi se gjithçka ishte e rreme.

14 SHTATOR 1998
Sulmohet me armë, granata, tank e antitank godina e Kryeministrisë për të vrarë Kryeministrin Fatos Nano. Ngjarja që ndodhi pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, u cilësua si kryengritje e armatosur, u shoqërua me shkatërrimin e zyrës së tij dhe të gjithë ambienteve të brendshme të Kryeministrisë. Kryeministri Nano u largua për në Maqedoni.

15 SHTATOR 1998
Sulmohet me armë eskorta e ministrit të Brendshëm, Perikli Teta, sapo del nga godina e Ministrisë pak pas mesnate. Truprojat i kundërpërgjigjen me breshëri zjarri dhe autori i sulmit mbetet i vdekur.

13 PRILL 2001
Një person i panjohur hedh disa fishekë në dritaren e banesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në afërsi të “21 dhjetorit”, ngjarje për të cilën policia deklaron se është kërcënim ndaj jetës së Ramës. Vetë Rama deklaron: Këto janë karamelet e doktor Berishës!

19 GUSHT 2011
Në fakt, Ilir Meta nuk kishte detyrë shtetërore kur mori kërcënime. Ai sapo kishte dhënë dorëheqjen si zëvendëskryeministër dhe ministër, por ngjarja lidhej pa dyshim me detyrën që ai kishte. Kreu i LSI-së bëri publike dy SMS të ardhura në celularin e tij, ku është kërcënuar me jetë nga një numër celulari jashtë vendit. Policia merr në mbrojtje Metën dhe familjen e tij.

10 SHKURT 2015
Hidhet në erë me eksploziv farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë, autori ka vendosur tritolin në kondicionerin e farmacisë dhe rreth orës 02:00 e ka aktivizuar.

 ROLAND QAFOKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura