Atentati në Vlorë/ Si u ekzekutua në tavolinë pronari i basteve dhe shoku i tij

Jul 25, 2016 | 8:46
SHPËRNDAJE

Ekzekutim i dyfishtë në Vlorë për vrasjen e ’97-s. Dy persona humbën jetën nga breshëritë me kallashnikov, ndërsa një tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Krimi u regjistrua në lagjen “Partizani”, pranë Bashkisë së Vlorës, rreth orës 22:05, kur në qytet kishte qarkullim të dendur për shkak të kthimit të pushuesve nga bregdeti.

Viktimë ka mbetur Ilir Deromemaj, rreth 53 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, pronar i një pike eurollotoje në këtë lagje, si dhe Dhimitër Çani, rreth 60 vjeç, banues po në Vlorë. Këta të dy ndodheshin në një tavolinë, në pjesën e jashtme të lokalit të basteve, bashkë me moshatarin e Deromemajt, Krenar Runaj, 53 vjeç, edhe ai banues në lagjen “Partizani”.

Ndërsa ata po bisedonin me njëritjetrin, nuk kanë pikasur një makinë që u është afruar dhe ka ulur shpejtësinë pikërisht para lokalit. Direkt nga ana e pasagjerit autori ka qëlluar me automatik me breshëri drejt tavolinës ku ndodhej Deromemaj, duke zbrazur një karikator të tërë.

Dëshmitarët e rastit të tmerruar kanë lajmëruar policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, duke konfirmuar se dy prej personave, pronari i pikës së basteve dhe një tjetër, kishin ndërruar jetë. Me shpejtësi i mbijetuari i atentatit, Krenar Runaj, është dërguar për në urgjencën e spitalit të Vlorës.

Dy viktimat janë këqyrur paraprakisht në vendin e ngjarjes e më pas janë transportuar njëri pas tjetrit drejt morgut, për ekzaminime të mëtejshme. Nga ana e Policisë, paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të organizuar nga persona që mund të kenë pasur shënjestër të tyre pikërisht pronarin e basteve, Ilir Deromemajn.

QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura