“Atdheu im është një vend i vogël, Shqipëria”/ Samarxhi: Nënë Tereza lindi për ideale të mëdha

Sep 7, 2021 | 9:43
SHPËRNDAJE

samarxhi-nene terezaFERDINAND SAMARXHI
MJESHTËR I MADH

NË VEND TË PROLOGUT…

10 dhjetor 1979. Oslo. Mbretërorja sallë, Nobel, s’ka përjetuar ndodhi më të madhe, të kohëve…

Mbretër, presidentë, burrështetas, shkencëtarë, shpikës, shkrimtarë, emra të mëdhenj të botës, ka përcjellë dhe ka uruar si gjithnjë kjo sallë, Nobelin e saj të Artë.

…Një grua e vogël, mbështjellë me pëlhurë, sar të bardhë, qarkuar me dy shirita blu, me vete mbart legjendë, histori që kompozoi tinguj të pavdekshëm për mbarë njerëzimin, më të ëmbël, për të gjithë dashurinë. Ngjalli buzëqeshje kur ajo njerëzve u qe tharë, u mungonte. Tinguj që sfiduan egërsinë barbare të shekujve; miliarderë që nuk dinë sa kanë e përse jetojnë, të varfër, të vuajtur, të pafat, të lënë mënjanë që deri në qiell ekzistojnë. Tinguj dashurie që sfiduan dhimbje, vuajtje deri në agoni, ku jeta në kufijtë e saj, në limit, s’mund më të ekzistojë.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (1)

…Heshtje. Pllakosje e madhe. Nobeli Mbretëror dëgjon lehtas lëtitjen e sandaleve të varfra të një gruaje, që ecën drejt sallës për të kumtuar histori nga më të padëgjuarat. Oslo pushtohet nga një simfoni e madhe heshtje.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (2)

“…Për kohën, vështirësitë që kalojmë, duhet të lutemi, të falënderojmë Zotin që na ka krijuar për të jetuar në paqe. Zoti, Jezusi, mbi gjithçka u bë njeri, u kryqëzua për të na treguar neve se sa e madhe ishte dashuria e Tij për njeriun, për mua, për ty, për të gërbulurin, për të uriturin që sillet lakuriq rrugëve të Kalkutës, të Afrikës, Nju Jorkut, Oslos. ‘Duajeni njëri-tjetrin si në Ungjill, siç ju desha unë. Siç ju dua. Ju dua siç më deshi Ati’. Nuk mjafton të themi se Zotin e duam, por jo të afërmin. E si mund të dashke Zotin që nuk e sheh, kur nuk do të afërmin, tjetrin që e sheh, e prek, jeton pranë tij?!

… Një ditë vizitova një shtëpi pleqsh. Siç më tha motra ime, sytë e tyre drejtohen gjithnjë sa herë porta hapet. Presin, shpresojnë se një ditë, një prej bijve e bijave, të afërmve, ndonjë njeri, do t’i shohë. E ndiejnë veten të plagosur, të harruar. Pikërisht këtu duhet të trokasë dashuria…

…Një mbrëmje gjetëm në rrugë katër vetë, në kushte tepër të tmerrshme. Mes tyre, një grua. U kujdesa me gjithë dashurinë që kisha në shpirt. I shtriva butë në krevat dhe i pashë në fytyrë një buzëqeshje mirënjohjeje. Gruaja ma mori dorën që akullohej e më tha një fjalë të vetme: Faleminderit! E vdiq! Ç’bëra, e ç’dhashë unë? Ajo më dha më tepër sesa unë i dhashë: Më dha të fundmen dashuri. Ashtu si burri, që gjetëm në kanal, gjysmë të brerë dhe e sollëm në shtëpi. “Jetova në rrugë të madhe, si kafshë, por po vdes si engjëll, në krahë të dashurisë”.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (6)

Besoj se në familjet tona nuk kemi nevojë për bomba, armë atomike që shkatërrojnë, po për paqe dhe dashuri.

…Në një familje me tetë fëmijë prej ditësh nuk kishin ç’të hanin. Në sytë e fëmijëve pashë ethet e urisë dhe mungesë dashurie. Dhurova me sa mundësi kisha oriz si ushqim për to. Për pak çaste ngela si e hutuar, se gruaja më humbi nga sytë. Por mësova gjënë më të madhe, atë që nuk e kisha përjetuar ndonjëherë. Nëna kishte ndarë urinë, kishte dhuruar gjysmën e orizit për fëmijët e një familje tjetër, të mjerë, myslimane. Lexova gëzimin e madh në sytë e saj, dhembjen e ndau me dashuri me të tjerët.

…Paratë që mora me këtë çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata që nuk kanë ku të fusin kokën. E ndjej se vuajtjet dhe mundimet e Krishtit përjetohen sërish kudo.

Prelud i madh përulësie dhe jo lavdie si të gjithë të tjerët, nobelistë. Të pagëzuar nga rrëfimet, bëma që si në përrallëza mund të ndodhin, një zë, një mëkatar, mposhtë heshtjen dhe do t’i drejtohej me një pyetje gruas, që në ato çaste shkruante një histori të patreguar: “Nga vini e nga jeni ju?”.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (5)

“I PËRKAS NJË POPULLI, ATDHEU IM ËSHTË NJË VEND I VOGËL, SHQIPËRIA”

Gruaja thatime, e vogël, krenare për gjenezën, kombin, popullin e saj epiriot, pushtoi botën. Simfonia e saj kapërceu kufijtë, detet dhe oqeanet. Ngjalli zjarr dhe dëshirë për ta bërë gjithkush të sajën. Në sallë iu afrua pasaportë dhe shtetësi amerikane. Gruaja, me modesti fisnike, puthi flamurin dhe shkabën e zezë dykrenare.

LINDJA E NËNË TEREZËS, THIRRJE SI DHURATË E ZOTIT…

26 gusht 1910, Shkup, rruga “Koçina”, nr.13, vilajet shqiptar i kohës, i pushtuar prej Perandorisë Osmane, që në 1 janar 1918, në bazë të traktatit të Varsajës, Shkupi do t’i merrej Shqipërisë dhe do t’i kalonte Maqedonisë.

“…Isha e sigurt se zëri që më thërriste, ishte zëri i Zotit. Zoti tashmë e kishte thirrur atë: Eja, eja, më bart në kasollen e të varfërve. Eja dhe bëhu drita ime”.

Një ditë pas lindjes së saj, u pagëzua në kishën e zemrës së Krishtit, nga famullitari patriot, Don Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si ditë të lindjes së saj.

Gonxhja ishte fëmija i tretë në familjen e Kol Bojaxhiut nga Prizreni dhe Drane Bojaxhiut (Bernaj) nga Novosella e Gjakovës. Frikë të madhe kishte nënë Drania pas lindjes se mos i vdiste fëmija ngaqë dukej me shëndet të ligsht. Nënë Tereza ishte pjesëtare e tre fëmijëve, motrës Agë dhe vëllait të saj, Lazer. Shumë shpejt, në vitin 1919, të atin e Nënë Terezës, Kolën, do ta helmatisnin shërbimi sekret serbo-maqedonas për veprimtari patriotike për çështje kombëtare. Nënë Tereza ishte vetëm tetë vjeç.

12 shtator 1928, kishte shkruar dy rreshta zemre: “E dashura teze Lis, po shkruaj për juve dy-tri rreshta lamtumire. Dëshiroj që Zoti t’ju japë gjithçka që ju dëshiron zemra, dua t’ju fal gjenat më të përzemërta, Gonxhe”.

Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi, në drejtim të Dublinit, Irlandë. Ditë që nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (3)

PËRVUAJTJET, MËSHIRIM I ZOTIT, SAKRILEGJ I PROVONISË HYJNORE…

Kur ishte 18 vjeç, Tereza do t’i shprehej bashkësisë së rregulltareve të motrave të Loretës: “…E ndieja thellë në zemrën time që Zoti më thërriste për një mision… por nuk e dija dhe nuk e kuptoja pse dhe si…”.

Duke udhëtuar në 10 shtator për Darjeelind drejt Himalajeve, në tren dëgjoj zërin hyjnor. Kjo ishte thirrje që duhet të linte kuvendin e Loretës që t’i përkushtohej, më shumë, plotësisht, tërë jetën e saj, të varfërve.

Zoti tashmë thërriste qartë: Eja, eja, më bart në kasollen e të varfërve… Eja, eja bëhu drita ime…

Shpirtërorit Celesti Van Exmit do t’i shkruante: “Kam ardhur në Indi vetëm me shpresë që të shpëtoj shumë shpirtra dhe të fitoj kurorën e martirizimit. Apostulimi im që kam zhvilluar gjatë këtyre viteve më ka ndihmuar më shumë për t’u bërë pjesë e vuajtjeve”

17 gusht 1948 veshi sarin e bardhë dhe filloi jetën e re si një misionare e dashurisë. Kur arriti në Patna, për të mësuar sadopak për të sëmurët, do të shkruante: “…O Jezus, dashuria e vetme e jetës sime. Dua të vuaj atë që vuaj dhe çdo gjë që Ti do të lejosh, të vuaj, nga dashuria e pastër ndaj Teje, jo për merita që mund t’i fitoja apo dhurata që më ke premtuar, por vetëm për të kënaqur Ty, lëvduar Ty, për të bekuar Ty, si në gëzim, ashtu dhe në pikëllim”.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (8)

EJA, EJA NA SHPËTO, NA SILL TE JEZUSI…

“…O Zot, nëse nuk mund të bëj asgjë për këta njerëz të mirë, atëherë më jep së paku fuqi të vdes mes tyre për të dëshmuar dashurinë tënde, pikërisht për ata që i ka shkelur ‘jeta’, varfëria, sëmundja, gërbula”. Leja për këtë, prej Romës, erdhi më 7 shtator 1950. Në prill të 1952, ajo i shkruante Perierit: “… Dua të bëhem shenjtëreshë për të shuar etjen e Jezusit, për dashurinë ndaj shpirtrave. Dua të mbledh rreth vetes shpirtra të tjerë, që të bënin të njëjtën gjë, për t’u shpërblyer të varfërve ndër më të varfër, më të përbuzurit. Miliona njerëz jetojnë nëpër Indi e nëpër botë, duke mos e njohur Zotin dhe Jezusin në mëkate. Do t’i afrojmë Krishtin”.

Pas tridhjetë vjetësh, në 1959, Nënë Tereza do të takohej në Romë me të vëllain e saj, Lazerin, që të dy të brengosur, pasi nuk kishin parë nënën dhe motrën e tyre. Nënë Drania dhe motra Agia shkuan në Shqipëri qysh para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Këtë gjë Nënë Tereza e mësoi shumë vonë, pasi diktatura kishte ndaluar besimin dhe censura egërsisht nuk e lejonte komunikimin mes njerëzve. Në fillim të viteve ’70, kur Nënë Tereza mësoi për gjendjen shëndetësore të nënës së saj, drejtoi sytë nga qielli dhe u lut:

“60 VJET, ENDE NUK JAM LEJUAR TË VIZITOJ VENDIN TIM…”

“…O Zot, unë e kuptoj, por e kam të vështirë të pranoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyme, nuk dëshiron asgjë tjetër, veç të shoh dhe një herë”. Edhe pse shumë letra iu drejtuan Hoxhës nga personalitete të mëdha, si ish-Gruaja e Parë e SHBA, Zhaklin Kenedi, Presidenti De Gol etj., përsëri ajo nuk mund të shihte loken e saj dhe një ditë të keqe do t’i drejtohej motrës së saj: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm të lutem për ju”.

Në 4 korrik të vitit 1972, vëllai i saj, Lazeri, do t’i çonte Nënë Terezës lajmin e kobshëm se nëna e tyre vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte të birin në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Dhe motra e saj, Agia, do të vdiste një vit pas nënës së saj.

Në vitin 1989, pasi i kishte dërguar tri letra Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, iu drejtua Presidentit të Republikës së Shqipërisë të asaj kohe, duke i thënë: “Për 60 vjet kam vizituar shumë vende, jashtë atdheut tim, por vendin tim, Shqipërinë, ende s’e kam vizituar, ende s’e kam parë”.

U desh të vinte viti 1989, kur Europa po përjetonte Gllasnostin, Peristrojkën, ngjarjet e Rumaninë, që të kujtohej qeveria shqiptare t’i jepte një pasaportë diplomatike gruas që tashmë ishte bërë me famë botërore, nobelistes së Paqes me origjinë shqiptare.

Shqiptarja thatime, trupvogël, ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Përmendorja e saj gjendet kudo në botë, Europë, Amerikë. Në Rio De Zhaniero, Brazil përmendorja e Nënë Terezës është vendosur nga filantropisti i mirënjohur, Kadri Morina. Fuqia e saj kalonte përtej vizionit të dhimbjes e dashurisë. Ndalonte luftëra, vendoste armëpushime. U vinte në ndihmë të plagosurve, në fushën e betejës.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (7)

NË VITIN 1991, NËNË TEREZA HAP NË TIRANË MISIONIN E PARË TË BAMIRËSISË…

Pas ardhjes së parë në vitet ’89, pritjes nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Llambi Gegprifti, pritjes dhe drekës nga Nexhmije Hoxha, pritjes nga Razmiz Alia, pas luftës së saj këmbëngulëse për hapjen e misionit të motrave të Nënë Terezës, më në fund, kur tokën tonë e kishte flladitur agu i lirisë dhe simfonia e Altarit të Shenjtë, Ezanit të Zotit, Nënë Tereza hapi më në fund misionin e parë të bamirësisë në Shqipëri. Ajo numëronte më shumë se 517 misione në më shumë se 100 vende të botës.

nene tereza-samarxhi-shenjterimi i nene terezes (8)

NËNË TEREZA HAP KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE…

Në provoninë hyjnore, Nënë Tereza shfaqi dashuri jo vetëm për të varfrit, por etja e saj për të përmbushur etjen e dashurisë së Jezusit, me martirizimin që kish fituar, ndjente dhembje, vuajtje edhe për vëllezërit e saj bektashianë, që dhe pse agu i lirisë kishte flladitur tokën tonë, ende nuk kishin Shtëpinë e Zotit, Faltoren e tyre.

Nënë Tereza do të luftonte, do t’i kërkonte pushtetit komunist, personalisht Ramiz Alisë, që t’u lirohej vëllezërve të saj bektashianë Selia e Shenjtë. 22 mars 1991, Ditë e Shenjtë e Sulltan Nevruzit, rihapet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Mes pjesëmarrësve: Kryegjyshit Botëror, dede Reshat Bardhi; baba Bajram Mahmutaj; baba Selim Kaliçani; nismëtarëve të komisionit, Skënder Gazheli, Hysen Ibrahimaj, Musa Mara, Ibrahim Hasnaj Sekretari i Komsionit Nismëtar, djaloshi Edmond Brahimaj, si promotore dhe pjesëmarrëse në përurim, përshëndet Shenjtorja Nënë Terezë: “Jam shumë e gëzuar që sot ndodhem pranë jush, në këtë Qendër Fetare ku humanizmi zë vendin e parë. Gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit”.

Ndër të tjera, baba Reshatin do ta quante të përvuajtur, apostull të vërtetë të besimit, dishepull të dashurisë dhe provonisë hyjnore të Zotit.

NËNË TEREZA SFIDOI EGËRSINË NJERËZORE, BARBARE TË SHEKULLIT…

Nënë Tereza sfidoi çdo gjë të pamundur. Sfidoi vuajtjet, shekullin në të cilin jetoi. Vetëm dashuria mes njerëzve do ta bëjë botën më të mirë, njerëzimin më të mbarë. Mundohuni të mos ua vritni njerëzve sadopak buzëqeshjen. Varfëria nuk është krijuar nga Zoti. Ne e kemi prodhuar vetë atë. Ju dhe unë, me egoizmin tonë. Sikur të kishte të varfër në hënë, ne duhet të shkonim dhe atje. Varfërinë mund ta gjeni kudo në botë, por duhen sy për ta parë. Kudo në botë gjenden njerëz që nuk i do kush, nuk i ndihmon kush, që janë braktisur dhe harruar nga shumëkush. Kjo, thoshte Nënë Tereza, është varfëria më e madhe, më e tmerrshme. Jam e bindur që braktisja është tortura më e madhe. Vetëm në parajsë do ta kuptojmë se sa borxh u kemi ne të varfërve, sepse ata na kanë ndihmuar të duam Zotin më shumë dhe duke dashur Zotin më shumë, do të bindemi se vdekja është kthim në Shtëpinë e Zotit.

ETJA E KRISHTIT NË KRYQ, ETJA E DASHURISË SË HYUT PËR NJERËZIT, ETJE E DASHURISË SË NËNË TEREZËS PËR TË VUAJTURIT…

Ashtu si Krishti në kryq mbushi etjen e Hyut me etjen e dashurisë për njerëzit, Nënë Tereza mbushi etjen e Krishtit me dashurinë për të vuajturit, globuarit. Vuajti siç vuajti Shën Mëria para kryqit. Vuajti për ata që vuanin duke thirrur Jezusin: “Eja, eja, na shpëto! Kur dhimbjet dhe nata bëhet tepër e errët dhe unë martirizohem për ata që nuk kanë shpresë, më duket se do shkoj në ferr dhe do t’i ofroj veten time Jezusit. Tash, nga vetja gëzohem që hareshëm e kam mbajt Kryqin tim me Jezusin. Kishte shumë vuajtje, kishte çaste që kryqëzimi i kryqit për mua ishte falënderim i Zotit. Vuajtja është e madhe, por me e madhe është dashuria… “Vuajtja vetvetiu, nuk është asgjë, por si pjesëmarrje në vuajtjet e Krishtit, është një dhuratë. Njerëzit që vuajnë janë për ne Jezu Krishti, janë dashuri. Sot, bota është kalvar i hapur dhe ne s’mund të shkojmë te Jezu Krishti pa përqafuar kryqin e tij. Mundimi për ne është shenja se edhe ne ju kemi afruar Jezusit në kryq. Kjo është pavdekësia, që nuk mbaron tek e premtja e zezë, por me ringjalljen e tij. Dhe në sajë të dashurisë do të ringjallim botën dhe do ta shpëtojmë atë

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/