Atdheu apo Partia? Bushati: Nuk shoh ndonjë dallim të madh

Mar 11, 2016 | 8:16
SHPËRNDAJE

Deklarata e deputetit Ben Blushi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare se mes Partisë Socialiste dhe Shqipërisë zgjedh Shqipërinë, krijoi një seri reagimesh nga disa folës, ministra dhe deputetë nga podiumi i këtij forumi.

Ministri Bushati
Ministri Bushati

Debati me dyer të mbyllura, por që u vendos të bëhej publik nga faqja zyrtare e PS jo bruto, tregon se për disa prej figurave të kësaj partie nuk ka ndonjë ndryshim mes Partisë dhe Shqipërisë.

TAULANT BALLA

I pari që iu përgjigj Ben Blushit ishte nënkryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, i cili tha se partia është e rëndësishme, për faktin se përmes logos së saj çdo njeri merr mbi vete përgjegjësi për të bërë gjëra të mira për vendin.

“Nuk jam dakord as me Benat (Ahmetaj dhe Blushi). Ne nuk kemi zgjidhje tjetër që duhet ta duam Shqipërinë. E them pa asnjë lloj vetëmbajtje, sepse secili nga ne që jemi deputetë, nëse do të kandidonte i pavarur, unë besoj se shanset për t’u zgjedhur deputet do t’i kishte zero. Pjesa tjetër e Asamblesë Kombëtare që nuk janë deputetë, e konfirmojnë një gjë të tillë”, është shprehur Balla.

DITMIR BUSHATI

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në dilemën e zgjedhjes, nuk gjeti asnjë ndryshim mes partisë dhe Shqipërisë. “Nëse shtrohet pyetja kë do të zgjedhim ne, partinë apo shoqërinë, apo Atdheun, unë mund t’i them secilit se nuk shoh ndonjë dallim të madh mes partisë dhe atdheut, ose më duket paksa abuzive si pyetje, apo dilemë që të shtrohet. Sepse të gjithë biem dakord se Partia Socialiste apo partitë në një demokraci janë forca elektorale, edhe në statutin e përgatitur nga grupi i punës i drejtuar nga kolegu Xhafaj, e pashë se ishte pasqyruar shumë qartë elementi elektoral i PS-së, pra janë instrumente për të arritur disa qëllime përgjithësisht të mira për shoqërinë dhe vendin. Nëse ne do të bënim sot një debat se si ishte Shqipëria dhe si është sot, unë besoj se do të arrinim në konkluzionin se secili nga ne e ka memorien pak të shkurtër. Ku do të duhet të ishte Shqipëria, ky është diskutimi që ka të bëjë me të ardhmen, me 2020-n, 2025-n apo 2030-n”, tha Bushati.

PANDELI MAJKO

Pas tij, edhe Pandeli Majko u përfshi në këtë diskutim, duke thënë se ata që kanë zgjedhur Partinë Socialiste nuk e kanë lënë pas dore Shqipërinë. “Nuk jam dakord me Blushin kur thotë se mes partisë dhe Shqipërisë unë zgjedh Shqipërinë. Avash! Ne të tjerët kemi zgjedhur PS-në dhe paskemi lënë Shqipërinë pas dere?! Këto aludime dhe këto lloj udhëkryqesh besoj se nuk shkojnë. Janë të tepërta. Nuk kam dalë këtu të them se Edi Rama është një lider i shkëlqyer, ka edhe ai të metat e veta, ashtu siç i ka pasur edhe Fatos Nano më përpara, ne këtu me Gramozin jemi zënë dhe kemi bërë debate dhe sherre pa fund, por nuk e kemi mbajtur vrapin te media, që të themi se po bëhet nami në PS”, tha Majko.

SAIMIR TAHIRI

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk ka dashur të përfshihet në këtë debat, por nuk ka parë diferenca mes partisë dhe Shqipërisë, edhe pse këtë dilemë e ka parë si grackë të ngritur nga kolegu i tij, Ben Blushi.

“Sa i përket bastit se kush është më e rëndësishme, partia apo Shqipëria, unë e refuzoj fare këtë si ndarje se as qëndron dhe as më duket si ushtrim logjik se cili prej nesh zgjedh partinë dhe cili zgjedh Shqipërinë, sepse janë të dyja njëlloj. Kemi zgjedhur të njëjtën gjë, sepse nuk vijmë në këtë parti për të qëndruar në parti si qëllim në vetvete, por rrimë për sa kohë kemi mundësinë ta bëjmë më të mirë Shqipërinë. Dhe as ekziston fare ky bast. Është grackë logjike që për hir të së vërtetës, as e pëlqeva kur e dëgjova dhe as preferoj ta vazhdoj”, tha Tahiri.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura