“Ata që nuk i shkëpusin lidhjet rrezikojnë pasoja të rënda”, paralajmërimi i fortë i Donald Trump. Ja për kë

Aug 6, 2018 | 21:14
SHPËRNDAJE

Presidenti Donald Trump nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv që rivendos disa sanksione ndaj Iranit, duke thënë se politika e SHBA-së do të imponojë “presion ekonomik maksimal” ndaj Teheranit.

Urdhri ekzekutiv vjen tre muaj pas tërheqjes së Presidentit Trump nga marrëveshja bërthamore për Iranin.

2049E96B-5923-4D71-A00B-7D44C669FFF3_cx0_cy9_cw0_w1023_r1_s

Në një deklaratë, zoti Trump tha se marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 për të ngrirë programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ishte një marrëveshje “e tmerrshme dhe e njëanshme”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të ndërmarrin hapa të tillë për ta bërë të qartë se regjimi iranian përballet me një zgjedhje: ose të ndryshojë sjelljen kërcënuese, destabilizuese dhe të riintegrohet me ekonominë globale, ose të vazhdojë rrugën e izolimit ekonomik”, tha Presidenti Trump.

Ai paralajmëroi se ata që nuk i shkëpusin lidhjet e tyre ekonomike me Iranin “rrezikojnë pasoja të rënda” në bazë të sanksioneve të rivendosura.

Presidenti e cilësoi Teheranin si “një diktaturë vrastare që vazhdon të përhapë gjakderdhjen, dhunën dhe kaosin”.

Ai tha se sanksionet e reja synojnë sektorin e automjeteve të Republikës Islamike, tregtinë e saj të arit dhe metaleve të tjera të çmuara, së bashku me monedhën e saj, dhe transaksione të tjera financiare.

Presidenti amerikan tha se më 5 nëntor, SHBA do të rifillojnë sanksionet kundër transaksioneve iraniane të lidhura me energjinë, si dhe bizneset e institucioneve të huaja financiare me Bankën Qendrore të Iranit.

Nga vendpushimi i tij i golfit në Bedminster të Nju Xhersit, Presidenti ripërtëriti sulmin ndaj paktit ndërkombëtar bërthamor, duke e quajtur atë “një marrëveshje të tmerrshme dhe të njëanshme” që “nuk arriti objektivin themelor për bllokimin e të gjitha shtigjeve për krijimin e një bombe bërthamore iraniane, “duke i dhënë Iranit” një litar shpëtimi me heqjen e sanksioneve të mëparshme.

“Që kur u arrit marrëveshja, agresioni i Iranit vetëm sa është shtuar,” tha Presidenti Trump. Ai tha se Irani ka përdorur “mundësinë për akses te fondet e mëdha që iu vunë në dispozicion për të ndërtuar raketa të afta për mbushje bërthamore, për të financuar terrorizmin dhe për të ushqyer konfliktet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”.

Presidenti shtonte: “Edhe sot e kësaj dite, Irani kërcënon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, minon sistemin financiar ndërkombëtar dhe mbështet terrorizmin dhe militantët që e përfaqësojnë në mbarë botën”.

Presidenti iranian Hassan Rouhani, në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror, tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të besohen sepse u tërhoqën nga pakti ndërkombëtar, nënshkruesit e tjerë të të cilit e mbështesin ende atë. Ai tha se Teherani gjithmonë ka besuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë diplomatike.

Presidenti Rouhani tha se thirrja e zotit Trump për negociata direkte me Iranin ishte “vetëm për konsumin e brendshëm në Amerikë … dhe për të krijuar kaos në Iran”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili ashtu si zoti Trump është një kundërshtar i vjetër i marrëveshjes, e përgëzoi Presidentin amerikan për sanksionet e reja.

“Ky është një moment i rëndësishëm për Izraelin, SHBA-në, rajonin dhe gjithë botën”, tha zoti Netanyahu.

Në Uashington, zyrtarët e lartë të administratës thanë se ndërsa kritikët e tërheqjes së zotit Trump nga pakti me Iranin parashikonin se kërcënimi i sanksioneve të njëanshme të vendosura nga SHBA do të ishte pa efekt, realiteti ka treguar të kundërtën.

“Pas tre muajsh, ne kemi një tablo shumë të ndryshme para nesh, me papunësi më të lartë, protesta të gjera, probleme sociale dhe trazira”, tha një zyrtar i administratës Trump.

Një nga zyrtarët tha se gati 100 firma ndërkombëtare kanë njoftuar synimin e tyre për t’u larguar nga tregu iranian, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe financave.

Zyrtari tha se SHBA pret që Irani ta fajësojë atë për çdo vështirësi të re, duke thënë se ‘ata kanë gati 40 vjet që e bëjnë këtë.’ Por, tha zyrtari, “unë mendoj se populli iranian po fillon të shikojë qartë. Ne do të dëshironim të shihnim një ndryshim në sjelljen e regjimit dhe mendoj se iranianët kërkojnë të njëjtën gjë.”

Bashkimi Europian, i cili mbetet mbështetës i paktit bërthamor trevjeçar me Iranin, tha se po ndërmerr kundërmasa për të zbutur ndikimin e sanksioneve të reja.

BE tha se po zbaton njëkohësisht një “statut bllokimi”, duke ndaluar kompanitë europiane që të pajtohen me sanksionet e SHBA nëse nuk kanë leje për ta bërë këtë. Ai gjithashtu bllokon efektin e veprimeve të gjykatave amerikane në Evropë në lidhje me sanksionet.

Shefja e punëve të jashtme e BE-së Federica Mogherini dhe ministrat e jashtëm francezë, gjermanë dhe britanikë thanë se shprehnin keqardhje të thellë për veprimin e Presidentit Trump.

VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura