“Ata nuk kanë marrë kurrë lekë”/ Ministrja kërkon një kryetar për SUADA-n, artistët: Të eliminohet! Margariti s’pranon kërkesën për…

Oct 29, 2020 | 15:38
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Artistët i kërkuan këtë të martë ministres së Kulturës, Elva Margariti, shkrirjen e Sporteli Unik për Administrimin e së Drejtës së Autorit.

pjimage (2)

Në takimin e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa u diskutua për drejtorin e ri ekzekutiv që duhet të plotësojë vendin vakant pas dorëheqjes së Erlir Putos, e më pas të Saimir Kumbaros, të dyja palët ranë dakord për faktin se kjo agjenci ka funksionuar në mënyrë të parregullt. Margariti për të argumentuar shkeljet përmendi numrin minimal të subjekteve të cilave u ka mbledhur detyrimet. “Janë vetëm 210 subjekte, në një kohë që duhet të ishin 210 mijë të tilla”, u shpreh ajo. Tjetër problematikë, sipas ministres, është fakti se agjencitë e të drejtave të autorit kanë pasur në “xhepin” e tyre ende fonde të pashpërndara, në një kohë që shumica e krijuesve nuk ka marrë ende shpërblimin vjetor.

Drejtuesi i Forumit të Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit, Saimir Kumbaro, por edhe artistët e tjerë të pranishëm u shprehën se problematikat në shpërblimin e artistëve në baze të ligjit për të drejtat e autorit kanë lindur me krijimin e kësaj agjencie. “Për mendimin tim, do të ishte më mirë të mos ekzistonte”, u shpreh Kumbaro, duke theksuar se agjencitë më herët i kanë mbledhur vetë detyrimet ndaj autorëve dhe kjo metodë ka funksionuar.

Mirëpo Margariti u shpreh se krijimi dhe licencimi i agjencive nuk është kompetencë e Ministrisë së Kulturës, dhe në vend të “eliminimit” të saj, siç kërkojnë krijuesit, ajo propozon rregullime ligjore. Përkatësisht, sipas nenit 138 të ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e sportelit unik, SUADA do të përbëhet nga përfaqësues i të gjitha agjencive të administrimit kolektiv, të cilët do të jenë dhe anëtarë të bordit vendimmarrës. Sipas këtij propozimi, nuk do të ketë një agjenci drejtuese në krye të saj. Po ashtu, drejtori ekzekutiv do të jetë i pavarur dhe nuk do të zgjidhet nga AAK-të dhe nuk do të jetë nga radhët e agjencive të administrimit kolektiv.

Lidhur me fitimet që çdo agjenci do të mbajë për vete, Margariti u shpreh se do të jetë sa 30 për qind e vlerës së lekëve që do të shpërndahen.

Tjetër problematikë që u ngrit gjatë takimit prej përfaqësuesit të Zyrës së Avokatisë ishte edhe kohëzgjatja e mandatit të përfaqësisë së SUADA-s, që tejkalon mandatet e agjencive të tjera.

EDHE KAPEXHIU KUNDËR SUADA-S, KUMBARO: NË BORXH PËR SHKAK TË SAJ

Regjisori Saimir Kumbaro në takimin e djeshëm u shpreh se për shkak të parregullsive të shkaktuara në shpërndarjen e honorarëve nga SUADA, i është dashur që të hyjë në borxh me bankat.

“Çdo njeri që hynë te SUADA e quan veten pronar. Ndërkohë, autorëve të regjistruar në FMAA u janë dhënë 8 milionë lekë të vjetër për dy vjet. Unë s’mund t’i jap Pirro Milkanit 7 mijë lekë të vjetër në vit. Kështu, në agjencinë drejtuese të SUADA-s arrita të marr nga banka 77 milionë të vjetër, nga të cilat 15 ia kam kthyer prapë SUADA-s, për të likuiduar disa borxhe që paraardhësi i kësaj agjencie ua kishte të tretëve. Unë nuk e di se si do të lahen ato borxhe”.

Më tej, kineasti shprehu skepticizmin për ndryshimet e bëra në Ligj, ku përfshihen edhe të drejtat e aktorëve dhe interpretëve të mbrojtura nga Agjencia e Administrimit Kolektiv e të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues. “Ju jepni një licencë ku Robert Ndrenika merr 30 për qind, ndërsa unë 10 për qind. Një vendim absurd i Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Autorit. Ky Këshill është i paaftë të ndërhyjë, sepse mua këtë të drejtë nuk ma ka dhënë as KKDA, as ministrja e Kulturës, por Konventa e Bernës”, u shpreh më tej.

Në idenë e tij për shkrirjen e SUADA-s dhe rishikimin e të drejtave të aktorëve dhe interpretove, Kumbaron e mbështetën edhe artistët e tjerë.

“SUADA vetëm banalizime ka. Unë mendoj se duhet që të mbetemi te shoqatat që kanë qenë deri më sot. Ju mund të bëni çfarë të doni, do të vijë tjetri që ta heqë. Në tagrin e MK është që mos të japë kot licencë”, tha artisti Bujar Kapexhiu, duke kundërshtuar Margaritin sa i përket ekzistencës së një mekanizmi të ngjashëm që njeh të drejtat e performuesve, si të qenë autorë, edhe jashtë vendit.

“Përpos kësaj, në dijeninë time pavarësisht krijimit të AKDIE, aktorët nuk kanë marrë kurrë të ardhura”, shtoi ai.

Tjetër kërkesë e ngritur nga Kumbaro ishte edhe kalimi i administrimit të filmave të para vitit 1990 nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë te FMAA.

Drejtuesi i Qendrës, kineasti Eduart Makri, lidhur me këtë çështje u shpreh se: “Për filmat e para ’90-ës duhet të gjendet një mënyrë që do ta diskutojmë bashkërisht. Sa i përket mbledhjes së të ardhurave audiovizuale, duhet të bëjmë propozime për korrigjimin e ligjeve”.

ESAT MUSLIU: TË SHQYRTOHEN SHKELJET NGA PROKURORIA

Kineasti Esat Musliu ditën e djeshme u shpreh se SUADA duhet të shkrihet, në të kundërt, sipas tij, do të duhej të kalonte në varësi të Tatimeve ose të Ministrisë së Kulturës. Përpos kësaj, ai shtoi se çështja duhet të ndiqet nga Prokuroria dhe përgjegjësit duhet të përballen me ligjin.

“Kam qenë kryetar i FMAA-së prej tetë vitesh dhe kam dhënë dorëheqjen. Unë mendoj që problemi i mosfunksionimit të SUADA-s duhet të marrë fund. Njerëzit qe e kanë drejtuar duhet të dalin para gjyqit. Sekretarja e Ministrisë së Kulturës, Elira Kokona, s’është konsultuar fare me kineastët për ligjin. Ligji s’ka asnjë paragraf që flet për filmin. Filmi nuk është njësoj me veprën audiovizuale. Defekt që e kemi thënë dhe para Komisionit për Median, ku nuk u bë asnjë korrigjim, por u kalua një minutë e më parë. Pa përmendur raportin e tarifave, që është skandaloz. Pas aprovimit të ligjit SUADA hyri në skenë pa një platformë të qartë, duhet të ishin bërë marrëveshje me AMA-n. Unë kam qenë kundër krijimit të saj”, tha regjisori.

Kërkesa e Musliut u kundërshtua nga ministria e Kulturës.

E drejta e autorit është një e drejtë private dhe nuk mund të kalojë në varësinë tonë”, tha Margariti.

DOÇI: DAHIJA, ARAPI E PRODANI, ASNJË QINDARKË PËR KRIJIMTARINË E TYRE

I pranishëm gjatë diskutimit për kryetarin e SUADA-s ishte edhe shkrimtari dhe autori i teksteve të këngëve, Agim Doçi. Edhe ai sikundër kolegët kërkoi që SUADA të mos ekzistonte më si agjenci.

“Shkrijeni SUADA-n, nuk ju kushton asgjë. Ju lutem si Ministri bëni auditin e shoqatave. Sa kanë marrë krijuesit nga autorët? Sa kanë marrë drejtorët nga hajnat? Që edhe ne të jemi të qetë. Mua më vjen keq që Tish Dahija, Tonin Arapi, Agim Prodani nuk marrin asnjë qindarkë. MK-ja mund të sigurojë një fond për të siguruar kontrollin e transmetimeve. Ky institucion ka detyrë në qeveri që të mbështesë shpërndarjen e drejtë dhe të saktë të vlerave që kanë pronat intelektuale edhe të drejtën e ‘Albautorit’. Na takoni dhe flisni më shpesh. Sillni juristët që ta kuptojnë njëherë ata. Se s’mund të më gjykojë mua një njeri që s’ka bërë një këngë“, tha Doçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura