Ata nuk janë njerëzit e Shullazit në media

Apr 20, 2016 | 8:15
SHPËRNDAJE

EDI LESIEDI LESI

Një kob i zi ka mbërthyer rilindjen, çka vihet re në rrathët edhe më të rënduar të Edi Ramës poshtë syve, dallohet një si gjendje mortore në ministra e drejtues. Një pezëm i madh, sikur kanë humbur një njeri të afërt, që pas arrestimit të Emiljano Shullazit. E pritshme deri diku, kur dihet botërisht lidhja e fortë mes tyre, çka prej tri vitesh, as Tahiri, as Rama nuk e përgënjeshtruan një ditë të vetme.

Partia Demokratike ka denoncuar të paktën një herë në javë këtë altar mes Shullazit, Ramës e Tahirit, dhe as Rama e Tahiri, aq më pak Shullazi, nuk kanë bërë një gjysmë deklarate për ta hedhur poshtë. Aq e fortë dashuria, përtej çdo lidhjeje që koha konsumon, çka të bën të dyshosh për ndonjë trini sekrete, me kode të fshehta, e pamundur për t’i dekriptuar, shkurt të pathyeshëm. Zezona qeveritare e ka pra një shpjegim. U fut SHBA në mes, erdhi goditja nga prokuroria, jashtë sinorit të tyre, atëherë kur më pak e prisnin.

E pabesueshme, që nuk ta rrok dot mendja e logjika, është një kor zërash mjaft të njohur të medias, personalitete të spikatura që ngjajnë jo vetëm të patronditur nga seriali i gjobëvënies e krimeve monstruoze, por po aq të pashqetësuar edhe për atë që ishte sak e fundbotshme; kërcënimi prej Shullazit i kandidatit për rektor në Universitetin e Tiranës.

Njëri syresh thotë: Do kisha dalë dorë për dore në rrugë me Shullazin. Tjetri e ka temën e tij të preferuar, shpall se s’ka prova, dhe e gjen si konspiracion kundër tij. Pra na e nxjerr të persekutuar. Një i tretë e rrumbullakos të tërën, duke e konsideruar gjobëvënësin njeri të të gjithëve, gjithë duke hequr me një dorë një kuintal me mëkate e krime. Mjerim i madh intelektual, një befasi e frikshme.

Për ngjarje disa herë më të vogla, ky soj ka ngritur zërin në qiell e ka ndezur altoparlantët e opinionit publik. Shpesh kanë frymëzuar me qëndrime të forta. Po dhe peticione kanë firmosur kur e kur, me emrat e tyre shënuar përfund. Shullazi i nxori paksa zbuluar. Zgjedhje e rëndë duket të dalësh dorë për dore me të. Guxim kërkon ta paralajmërosh se s’ka prova. Dhe bishtnim, erdha sa me la gojën, kur i fut të gjithë në një thes.

Është fakt se Shullazi ka pasur dy kohë. Në 8 vite nuk ka qenë aq i lumtur, pasi është arrestuar dhe ka vuajtur edhe dënim në atë periudhë. Është fakt, se në kohën e dytë, pas 2013- s, ai ka ngritur atë që njihet si perandori. Gjobat e mëdha, lirinë për të hyrë e dalë në zyra, marrje pasurie, përkrahje shtetërore, deri në eskortë të specializuar.

Mosdallimi i kësaj diference, barazimi i këtyre botëve nuk është gjetje e një gazetari të njohur, e një burri të mençur, nuk është hiç një epifani intelektuale. Krim mediatik, ja çfarë është. Sigurisht këta nuk janë njerëzit e Shullazit në media. Atij i kanë mjaftuar njerëzit që ka në qeveri. Njerëz si këta që ruajnë veneracionin dhe vuajnë për arrestimin e tij, njerëz që nuk guxojnë t’ia përmendin emrin, njerëz që nuk gjetën një dakikë të vetme për të dënuar kërcënimin e kandidatit për rektor.

Si kjo Lindita e Arsimit, e cila ka zënë merak për ekranet e shfaqet në mijëra raste të panevojshme, por nuk gjen dy fjalë kur kanoset me jetë kandidati në garën më të rëndësishme akademike në vend. Pra Shullazi ka boll njerëz në qeveri. Nuk ka pse të ketë edhe në media. Mos na bëni të besojmë të kundërtën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura