Astrit Hado, në krye të Institutit të Sigurimeve Shoqërore

Jan 29, 2016 | 8:42
SHPËRNDAJE

Astrit Hado është kreu i ri i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Emërimi i tij në këtë post vjen pas largimit të Vjollca Brahos, e cila prej muajit dhjetor të vitit të kaluar drejton Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.

Hado u propozua nga ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi. Gjatë mbledhjes së djeshme, në unanimitet të plotë anëtarët e Këshillit Administrativ votuan pro propozimit të Klosit për t’i besuar drejtimin e ISSH-së Hados.

hado_1

“Kryetari i Këshillit Administrativ të ISSH-së, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, propozoi Hadon si kreun e institucionit që menaxhon sistemin e sigurimeve shoqërore, propozim i cili u miratua me unanimitet nga të gjithë anëtarët e Këshillit Administrativ”, thuhet në njoftimin për shtyp. Prej nëntë vitesh, përkatësisht nga viti 2007, Hado ka qenë zv.drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Ai është një nga hartuesit e një prej reformave më të rëndësishme, sikundër mund të cilësohet ajo e pensioneve, e cila nisi aplikimin më 1 janar 2015. Kjo reformë e ndërmarrë është përshëndetur edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Gjatë kohës që ka qenë zv.drejtor i Përgjithshëm, Hado ka qenë pjesë e grupit negociator për arritjen e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes shoqërore. Ai është diplomuar në Ekonomi dhe ka kryer “Master në Administrim Publik” në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës dhe është në proces doktorature për “Menaxhimin e Sigurimeve Shoqërore” në Universitetin e Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura