“Astiri” e Teatri, dy Heterotopitë që janë kthyer në makthin e Edi Ramës

Nov 14, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

ROLAND BEJKO Roland=Bejko

Sulmi i falangave të Ramës, të pajisur me pushtetin e dhunës ndaj banorëve protestues të Unazës, pati për qëllim jo thjesht prishjen e objekteve dhe demonstrimin e forcës, por edhe një mesazh dërguar Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me nëntekstin se pas kësaj, së shpejti është radha juaj.Prishja e objekteve të Unazës dhe shuarja e një vatre proteste për mënyrën si u përgatit, si u ekzekutua dhe si u menaxhua në tërësinë e vet, ishte një test që i përmbushi me sukses pritshmëritë e Ramës.

Protestuesit ishin të pafuqishëm për t’u vetëmbrojtur. Reagimi qytetar dhe ndërkombëtar ishte zero ndaj dhunës dhe paligjshmërisë. Ndjeshmëria publike ishte e ulët ndaj keqpërdorimit të forcës shtetërore. Reagimi i mediave dhe rrjeteve sociale aq absurd, sa në vend që të merreshin me dhunën e tmerrshme të Policisë, hodhën akuza ndaj opozitës. Kostoja ndaj dhunuesve, zero. Kostoja e jetës së banorëve? Kush po pyet për ta. Në djall nuk kanë shkuar? Ca buburreca më pak, që guxuan t’i prishnin gjumin “elitës” së re të oligarkëve.

Besoj se jemi të qartë. Tani pas rënies së Unazës, çështja e Teatrit do jetë thjesht një histori e shkurtër e kohës së tashme nga njëra anë dhe përdhosje e ndërgjegjes kombëtare nga ana tjetër.

Për vazhdimësinë e pushtetit absolut të Ramës, shembja e objekteve është fitore morale në sytë e opinionit publik dhe kundërshtarëve politikë. Është njëherësh edhe demonstrim force për të pakënaqurit brenda PS-së dhe siguri për ithtarët e tij.

Por tashmë Unaza dhe Teatri u shndërruan në dy Heterotopi të jashtëzakonshme, të hapura për njerëzit. Aty mund të hyjë kushdo, por me kushtin që kush nuk respekton kodin dhe nderin e protestës, nxirret jashtë si i padëshiruar. Ato inspiruan deri më sot revoltë, kryengritje. Ato u kthyen në institucionin e opozitarizmit. Unaza dhe Teatri inkurajuan qëndresën e gjatë në kushte të vështira dhe mosbindje ndaj pushtetit despotik, kur ai shkel liritë dhe të drejtat njerëzore. Ato sfiduan pushtetin politik të kapur nga krimi. Ato sfiduan vet krimin e organizuar. Ato ishin leksion proteste dhe qëndrese.

Dihet që Heterotopitë janë hapësira lirie të padepërtuara nga tiranitë. Heterotopitë janë ishuj, ku banorët e tyre nuk e njohin autoritetin e diktatorit/tiranit/sunduesit. Aty shfryhet dufi ndaj së keqes. Aty shahet lirshëm tirani/despoti/ diktatori. Ato janë vende ku kryhen edhe shkarkesat psikosociale. Heterotopitë janë ankthi i sundonjësve.

Në rastin konkret, kauzat e protestuesve si tek Unaza dhe te Teatri e nxorën cullak mbretin para botës me megavjedhjet e parave dhe pronave publike. Kauzat e tyre u bënë zë për veshët shurdhë të ndërkombëtarëve, se Shqipëria nuk është një demokraci perëndimore, por një sistem hibrid ku ligjin e bën krimi i organizuar.

Heterotopitë e Unazës dhe të Teatrit ishin të vetmet territore që Rama nuk i kontrollonte dot. Në fillim u përpoq t’i joshte për t’i përçarë. Pastaj t’i përçante për t’i sunduar. Pastaj t’i blinte për t’i thyer. Dhe kur nuk i theu, i goditi pabesisht, siç di ai, natën në gjumë.

Këtë akt e bëri kur u bind se kish hedhur në dorë gjithë pushtetet: Ekzekutivin (qendror e lokal), Legjislativin, Gjyqësorin dhe Mediat.

Rama nuk mund ta pranonte më gjatë bashkëjetesën e pushtetit të tij tinëzar me këto dy Heterotopi lirie në Republikën që sundon. Ato i ishin kthyer në makthin hamletian. Qarkullojnë fjalë se ai nuk ka qenë mirë kohët e fundit. Gojët e liga thonë se e kanë parë të vërdalliset në mesnatë si fantazmë veshur me mantel të bardhë në kopshtin e bunkerit të tij në Surrel. Zbathur.

Prandaj shembja e këtyre dy kështjellave të rezistencës, sado kosto të lartë sociale apo politike të ketë, është jetike për Ramën dhe vazhdimësinë, jo thjesht se mafia e ndërtimit i kërkon haraçin, por edhe se ai nuk jeton dot i qetë me këto dy vatra lirie dhe demokracie nëpër këmbë.

Në rastin e këtyre dy Heterotopive u dëshmua qartë dhe një herë se edhe në tiranitë më të dhunshme, prapë ka oaze shprese, se ka njerëz që guxojnë ta sfidojnë sundimin me jetët e tyre, kur të tjerët pranojnë të bashkëjetojnë apo të luajnë indiferentin absurd përballë saj. E në ndërkohë, një sasi e madhe njerëzish, për fatin e keq, zgjedhin t’i ikin tiranisë, të ikin jashtë vendit në vend që të përballen me të dhe ta mundin.

Shpëtim nuk është ikja, por përballja. Fitorja mbi tiraninë është detyrim !

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura