“Asnjë masë nga ana e qeverisë për koronavirusin” – Vokshi: Mjekët që presin pacientët me grip nuk kanë maska. Urgjenca kishte 24 orë pa ujë

Feb 25, 2020 | 16:16
SHPËRNDAJE

Në kuadër të monitorimit të situatës për koronavirusin ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe ish-nëndrejtori i departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi kanë vizituar ditën e sotme Qendrën Shëndetsore Kamëz.

albana vokshi1

Në një deklaratë për mediat, Vokshi është shprehur se  pas bisedave me mjekët e qendrës shëndetësore u pa se nuk është marrë asnjë masë nga ana e qeverisë.

Vokshi theksoi se në këtë qendër hyjnë të paktën 200 pacientë me shenja gripi në ditë dhe mjeku që është kontakti i parë me të, nuk ka minimumi doreza dhe maskë. Gjithashtu ish-deputetja e PD-së tha se nga informacionet që kishte një ditë më parë qendra shëndetësore e Kamzës kishte qenë 24 orë pa ujë.

“Në këtë qendër hyjnë çdo ditë rreth 200 persona. Kanë mbërritur shumë telefonata në PD dhe tek anëtarët e grupit të punës të ngritur nga zoti Basha, të cilët thonë se nuk është marrë asnjë masë nga ana e qeverisë për pajisje me mjete elementare. Ne erdhëm dhe biseduam me disa mjekë të kësaj qendre shëndetësore, nuk janë pajisur deri më tani as me doreza, as me maska, standard këto të OBSH-së, as me disinfektantë.

Praktikisht mjekët dhe stafi mjekësor jo vetëm i kësaj qendre, port ë gjitha qendrave dhe spitaleve në Shqipëri është në mëshirë të fatit. Qeveria po bën propagandë. Mjeku është kontakti i parë me pacienti, është ai i cili mund ta marri virusin i pari dhe nuk rrezikojë vetëm jetën e tij, por edhe të familjarëve dhe të pacientëve sepse mund të jetë bartës.

Por jo vetëm kjo. Ne dje u informuam se kjo qendër shëndetësore nuk ka pasur ujë 24 orë. Mendoni pak një qendër që qeveria nuk i siguron as ujin. I vetmi njoftim i qeverisë është lani duart, lani duart, por si mund t’i lajnë duart, si mund të bëhen vizitat, si mund të mbahet higjiena e një qendre shëndetësore”, tha Vokshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura