Asnjë ëndërr nuk është krejtësisht ëndërr!

May 8, 2015 | 11:33
SHPËRNDAJE

Arthur Schnitzler
…dhe as realiteti i një nate të vetme nuk mund të barazohet me të gjithë të vërtetën e qenies së njeriut. Ajsbergët janë gjithnjë pika referimi. Vetëdija se gjërat e forta që na ndodhin, janë shpesh larg çdo përpjekjeje për t’i kuptuar ose shpjeguar, na krijon pasiguri. Seksualiteti është shembulli më i qartë për këtë, si ‘vendi’ ku jemi më shumë se kudo, vetvetja; njëherësh të panjohshëm dhe të pashpjegueshëm. Eksplorimi surreal i dimensioneve më intime të martesës në novelën “Ëndërr” të Arthur Schnitzler, do t’ju bëjë të kaloni më shumë kohë duke menduar për të, nga sa iu desh për ta lexuar. Kurioziteti i sinqertë i Fridolinit rreth seksualitetit të së shoqes, vështirë se mund të fitojë mbi xhelozinë. Duket se Schnitzler pyet se si dy njerëz tërheqës e inteligjentë, mund të ndajnë shtratin, një fëmijë e një jetë disavjeçare, ndërsa dëshirat e fantazitë erotike ngelen të pashmangshme. Gatishmëria për të hetuar në fantazitë e njëri-tjetrit, e bën martesën e tyre të pazakontë. Nuk bëhet fort e qartë nëse kjo pazakonshmëri në fund është në të mirë apo po rrezikon lidhjen e tyre. Schnitzler u rrit në një familje hebreje të klasës së mesme. Në praktikën e tij të mjekësisë, ai iu kushtua shpesh psikiatrisë dhe thuhet se është pararendës i shumë prej ideve të Frojdit rreth seksualitetit. Megjithëse i martuar e babai i dy fëmijëve, ai nuk e fshehu asnjëherë dëshirën e pangopur për vajza të reja. Arsye kjo pse puna e tij u dënua nga regjimi nazist, pas vdekjes. Redaktori i novelës, Raphael, pretendon se ‘Ëndrra’ është histori e vërtetë e jetës personale të Schnizlerit dhe se është shkruar kohë përpara vitit 1918, por dështoi të gjente një botues deri në 1926. Raporti me të vërtetën e bën gjithnjë më intrigues tekstin, ngase, ndoshta, në një krijim ‘fiction’, arsyeja jonë është më ‘e qetë’ në përpjekjen për të kuptuar, sepse fundja i përket një krijimi. Realiteti ka efekte të tjera; gjykimet vihen në raport me veten dhe të qenit afër apo larg të vërtetës së shkrimtarit, shkakton njësoj frikëra. Së pari, sepse po të jesh afër, ti do të jesh njësoj si ai, i gjykuar, i ndaluar, i përndjekur. Nëse nuk i ka kaluar asnjëherë mendimeve të tua kjo ‘zbrazje'(dhe është me siguri ky rasti!) do ndihesh i boshatisur. Fundja, a nuk e interpretojmë dhe vlerësojmë ne leximin në raport me veten?! “Kaq shumë kontradikta gjejnë strehë te ne…Përpiqemi vazhdimisht të mbajmë rregull në vete, por kjo përpjekje është e gjitha artificiale. Gjendja jonë e natyrshme është kaos…”, një tjetër karakter i Schnitzler ky, që pohon gjithnjë gjendjen e autorit; asnjëherë në një emocion të vetëm. Novelat ishin forma ideale për autorin, që të shprehte se si ndihesh kur gjaku ‘të pushton kokën’. Arthur ishte shpesh i shqetësuar se mos historitë e tij, duke u lexuar si raste historike përmes elementëve të tyre psikologjikë, rrezikonin të humbisnin gjithçka tjetër. Por, si raste historike, ato fituan aprovimin e Sigmund Frojd, i cili nuk e fshehu zilinë që Schnitzler kishte intuitë për “dijet sekrete” që ai vetë do t’i zbulonte vetëm pas ekzaminimeve të mundimshme.
Nga filmi “Eyes wide shut”, me Tom Cruise dhe Nicole Kidman, bazuar në romanin “Ëndërr” apo “Dream story” me titullin origjinal

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura