Aslaidon Zaimaj: Në moshën time çdo gjë duket e zezë, deri sa kupton se ka edhe më keq

May 19, 2015 | 13:36
SHPËRNDAJE


Shpirtëror dhe me zë të fuqishëm si çdo rocker i vërtetë. Studimet për Psikologji kanë ndikuar që Aslaidon Zaimaj, fituesi i “The Voice of Albania”, të bëjë një udhëtim në skutat më të errëta të vetvetes, për të na sjellë një këngë me titull triumfues “Vetëm do ia dal”. 21-vjeçari i rritur në Itali është një nga konkurrentët më dominantë të finales së “Top Fest 12”. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, ai na zbulon më shumë rreth vetes dhe rivalëve në garë.
Pas famës që more në “The voice”, si ndryshoi jeta jote?
Jam më i përgjegjshëm për veten dhe vazhdoj ta ndiej lumturinë e fitores brenda vetes.
Fitove “The voice” dhe hyre në një konkurrencë tjetër, përsëri në “Top Fest”. Ku ndryshon kjo garë nga e para?
Ndryshimi qëndron te fakti se kësaj here po dal në skenë me këngën time dhe jo me covera. Kështu që këtu nuk vlerësohet vetëm këngëtari, po në radhë të parë kënga.
Konkurron me këngën me titull “Vetëm do ia dal”. Sa për qind të vetes na sjell me këtë fabul, duke pasur parasysh faktin që ke studiuar për Psikologji?
100% të vetes pa diskutim. Kjo këngë përshkruan gjendjen shpirtërore në disa momente të jetës time, por besoj se duke dëgjuar me vëmendje vargjet shumë njerëz mund të gjejnë veten te kënga “Vetëm do ia dal”. Sidomos në këtë moshë që jam unë, ndodh shpesh që në momente të caktuara  çdo gjë të duket e zezë, e paarritshme, e vështirë… Deri sa e kupton se ka edhe më keq, dhe kur del nga situatat e vështira me forcat e tua, fiton besim te vetja.
E synon sërish fitoren, do bije moralisht po të ndodhte e kundërta?
Ndonjëherë e mendoj fitoren dhe është normale ta mendosh. Por e shoh tepër të vështirë për faktin se ka shumë këngë të bukura dhe artistë shumë më me përvojë sesa unë në “Top Fest 12”. Gjithsesi, mbetet një ëndërr!
I ke dëgjuar këngët e tjera dhe cilat të pëlqejnë?
Sinqerisht nuk i kam dëgjuar të gjitha, por këngët e Eugent Bushpepës, Beatrix Ramosajt dhe Rezarta Smajës më pëlqejnë shumë.
Të jesh këngëtar rocku sot është avantazh apo disavantazh?
Të jesh këngëtar rocku do të thotë që mund të këndosh rryma të ndryshme, duke mbajtur energjinë e muzikës rock te zëri. Kështu e mendoj unë rockerin e sotëm. Është një avantazh për mendimin tim dhe nuk dua të kufizohem kurrë në një zhanër të vetëm.
Pas “The Voice” e ke më të thjeshtë të depërtosh në tregun muzikor apo shpesh të duket se e nis nga zero?
Fitorja e “The voice” sigurisht më jep ndihmë të padiskutueshme për të vazhduar. Vështirësia dyfishohet tani që më duhet të krijoj një repertor me këngë të realizuara nga unë. Por gjithmonë besoj se me punë dhe durim arrihet çdo gjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura