“Askush nuk është mbi ligjin”/ Berisha i përgjigjet ambasadores Yuri Kim: Ndërhyrje e papranueshme në drejtësi! Ja thirrja për DASH

Apr 22, 2022 | 18:03
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha i është kundërpërgjigjur ambasadores amerikane Yuri Kim për deklaratën e bërë sot në konferencë, ku ai u shpreh se diplomatja ka ndërhyrë në procesin gjyqësor për regjistrimin e Statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit.

Sipas Berishës, ambasadorja ka pranuar vetë në reagimin e saj se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë në vend.

Ish-kryeministri e konsideron të papranueshëm dhe të rëndë qëndrimin e diplomates. Berisha i bën thirrje Departamentit të Shtetit amerikan të mos lejojë ndërhyrjet e ambasadores Kim në proceset gjyqësore në Shqipëri.

Postimi i plotë i Sali Berishës:

Gjate këtyre ditëve, në konferencat e mia për shtyp, sot paradite dhe të premten e shkuar, kam njoftuar mediat dhe publikun se Znj Kim, ambasadore e SHBA në Tiranë ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës së paraqitur kundër vendimit të gjykatës së Tiranës per regjistrimin e Statutit te Kuvendit te 11 dhjetorit 2021, ankim i cili eshte ne kundershtim flagrant me kodin e procedures civile dhe praktiken e gjykatave deri me sot. Per nderhyrjen e saj per kete çeshtje ajo ka kerkuar ndihmen e qeveritareve te rendesishem te Partise Socialiste. Sot fill pas denoncimit tim te kesaj nderhyrje, ambasadorja Kim pranoi permes nje tëitter se ka nderhyre ne sistemin e drejtesise.

Duke e konsideruar kete nderhyrje nje akt te rende dhe te papranueshem shtoj se gjykatat prezumohen te jene te pavarura dhe cdo nderhyrje pavaresisht makiazhit perben cenim te hapur te kesaj pavaresie dhe dhunon ligjet e kushtetuten e vendit dhe parimet nderkombetare te drejtesise te pavarur.  Kur presioni dhe nderhyrja vijne nga diplomate te huaj, pervecse shkelin e sovranitetin dhe ligjet e vendit ata shkelmojne gjithashtu dhe konventat nderkombetare qe ndalojne rreptesisht kthimin e diplomateve ne aktore politike.  I bej thirrje Departamentit te Shtetit te mos lejoje nderhyrjet e palejueshme te ambasadores Kim ne proceset gjyqesore dhe pavaresine e drejtesise ne Shqiperi.

REPLIKAT BERISHA-KIM

Më herët gjatë ditës së sotme, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në një konferencë se ambasadorja Yuri Kim ka ndërhyrë në një proces në Gjykatën e Tiranës për vendimin që njohu Statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit në Partinë Demokratike. Berisha e quan të papranueshëm ndërhyrjen e diplomates amerikane në sistemin e drejtësisë.

Pas këtyre deklaratave, me anë të një postimi në Twitter, Kim shkruan se: “Nëse “ndërhyrja në procesin gjyqësor” nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve duke e bërë të qartë se SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne të bëjnë pjesën tonë në luftën kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO! SHBA ka bërë dhe do vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjeve që minojnë demokracinë, përbëjnë interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura