Asgjë e re nga fronti i Reformës Zgjedhore

Nov 1, 2018 | 12:59
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/prec-zogaj Ka kaluar pa vëmendjen e merituar projekti fillestar i Reformës Zgjedhore paraqitur në datë tetë tetor nga bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të kësaj reforme, Bledi Çuçi, sikurse edhe platforma e opozitës “Çlirimi i zgjedhjeve”, paraqitur dy ditë më pas nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Është e vërtetë se të dyja paraqitjet u eklipsuan nga skupet e shumta politiko-mediatike të kësaj periudhe. Por është po aq e vërtetë se Reforma Zgjedhore në Shqipëri nuk ngjall më interes, duke qenë se e ka futur në rutinë fati i saj njëzet e ca vjeçar i rrotullimit në një spirale përmirësimesh e amendamentesh pa mbarim që nuk i kanë rregulluar zgjedhjet. Shqipëria mban rekordin absolut të numrit të zgjedhjeve të prishura. Shqipëria mban gjithashtu rekordin e numrit të komisioneve të përbashkëta parlamentare për Reformën Zgjedhore. Në të gjitha legjislaturat është ngritur një komision i tillë me bashkëkryetarë nga shumica dhe opozita. Krahasimet dhe paralelizmat çalojnë gjithmonë. Si në metaforën e pëlhurës së Penelopës, zgjedhjet tona “thuren” para zgjedhjeve të radhës me amendamente të reja të mbështetura në rekomandimet e OSBE-së dhe “shthuren” pas zgjedhjeve të radhës, duke provokuar rekomandime të reja dhe kështu vazhdimisht.

Shqipëria e ilustron shumë bukur thënien e famshme gjysmë me humor e gjysmë pa humor “sikur zgjedhjet të ndryshonin ndonjë gjë, do t’i kishin ndaluar”. Është edhe kjo në fakt një arsye përse “reformat zgjedhore” pritën me indiferencë nga publiku dhe madje perceptohen si manovra demagogjike të partive. Sepse realisht, zgjedhjet nuk po zgjidhin gjë dhe gjithnjë e më pak po tregojnë një garë alternativash. Vetë rrotacioni po ngjan me shumë si shkëmbim pushteti sesa produkt i një gare të lirë. Elita politike e vendit do ta kishte thyer këtë perceptim nëse do të kishte konceptuar dhe paraqitur një Reformë të thellë Zgjedhore, që e ndryshon në themel ngrehinën ekzistuese të kupolave partiake ku ka ngordhur vetë thelbi i zgjedhjeve në shoqërinë e hapur, që është gara e kandidatëve e gjykuar nga zgjedhësit. Por shihet qartë se qoftë Projekti i shumicës, qoftë Platforma e opozitës, nuk e “zhgënjejnë” pozitivisht publikun skeptik. Projekti mëton të sjellë tri ndryshime apo rregullime.

Depolizitimin e komisioneve zgjedhore në nivel KZAZ-je dhe KQV-je, financimin e fushatës dhe partive, garantimin e ekuilibrit gjinor. Të pesëdhjetë nenet e Projektit këtu vërtiten. Mirë, le të krijohet një trupë administratorësh të depolitizuar të zgjedhjeve. Duket bukur kur e dëgjon dhe e thua. Por të mos harrojmë: Shqipëria e ka provuar në nivel KQZ-ja kompozimin me të depolitizuar para tetëmbëdhjetë vitesh dhe produkti doli pothuajse njëqind për qind rozë. Kjo bëri që OSBE në atë kohë të rekomandonte formulën e balancimit politik të këtij institucioni në vend të formulës së dështuar të depolitizimit. Ka kaluar shumë kohë që atëherë. Nuk them se vendi nuk është gati për t’u dhënë lamtumirën komisioneve politike. Si ide është e mirë, por me rreziqe në zbatim dhe kryesorja, nuk besoj se do të këtë ndonjë ndikim substancial në problematikën që kanë zgjedhjet në Shqipëri.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për çështjet e financimit të partive dhe barazisë gjinore. Kanë rendësi pa dyshim, por nuk shkojnë te plagët, nuk e kapin demin për brirësh. Projekti i shumicës le të pandryshuar sistemin zgjedhor, duke mbajtur sistemin proporcional rajonal të mbyllur. Ky është sistemi kur zgjedhësit nuk kanë mundësi të votojnë kandidatët që vlerësojnë më shumë dhe të përfaqësohen prej tyre. Është sistemi i mbyllur i mbylljes së partive. Është sistemi që u mundëson liderëve politikë dhe kastave partiake rreth tyre të mos votohen kurrë si individë, të mos gjykohen kurrë nga zgjedhësit duke qenë në krye të listave, ta lëshojnë pa duar për këtë shkak. Është sistemi që ka prishur e po prish partitë, ka deformuar rëndë raportin e përfaqësuesve politikë me zgjedhësit, ka asgjësuar plotësisht në shumë e shumë raste përgjegjësinë e të zgjedhurve para misionit dhe zgjedhësve.

Platforma e Bashës, “Çlirimi i zgjedhjeve”, fokusohet me përparësi te problematika e shitblerjes së votës dhe këputjes së lidhjeve të politikës me krimin që janë plagët më të mëdha të zgjedhjeve tona. Platforma është më e avancuar sa i takon përdorimit të teknologjisë, votimit dhe numërimit elektronik, që duhen parë me kujdes për të mos e pësuar si ai që u nis të vinte vetulla dhe nxori edhe sytë, duke qenë se me teknologjinë zgjedhore po abuzohet në forma më perfide sesa pa të. Platforma është më eksplicite edhe në çështjen e financimit të partive. Pavarësisht dallimeve, Projekti dhe Platforma kanë një sektor ku pritën në lidhje me çfarë propozojnë, sektor që mund të zgjerohet nëse do të shkohet ndonjë ditë drejt një drafti të votueshëm.

Mjerisht, Projekti dhe Platforma takohen pikë për pikë në atë se çfarë nuk propozojnë. Që është pikërisht çështja e vlerësimit dhe gjykimit të përfaqësuesve politikë nga zgjedhësit. Edhe Platforma e opozitës e lë siç është këtë çështje bazike të çlirimit të zgjedhjeve. Platforma nuk flet as për kalimin në sistem maxhoritar, as për lista të hapura. Platforma dëshmon një tërheqje të Bashës nga qëndrimet e mëparshme për këtë çështje. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara, ai doli me një paketë të reformimit të shtetit ku kishte një vend nderi rikthimi në sistemin e zgjedhjes me emër të kandidatëve për deputetë. Basha ka pas dhënë disa herë për publikun e gjerë një mesazh-premtim të një lideri me mendësi të reja kur fliste për çlirimin e Parlamentit dhe deputetëve nga roli i padenjë i të qenit noterë të Kryeministrit. Po si mund të ndodhë kjo kur të qenit deputet do të vazhdojë ta përcaktojë përfshirja në pjesën fituese të listës nga kryetari? Si mund të ndodhë kjo kur, siç ka ndodhur e ndodh, kryetarët improvizojnë pa asnjë shpjegim politik individë me zero karrierë dhe kontribute, me diploma të blera apo me rekorde kriminale në listat fituese? Ka gjithmonë arsye pro dhe kundër një sistemi zgjedhor. Përzgjedhja e mirë u përgjigjet problematikave të vendit në periudhën e dhënë. Sot, pas kaq vjetësh, zgjedhjet dhe demokracia jonë kanë nxjerrë në pah si problem shumë të mprehtë çështjen e përgjegjësisë politike përmes gjykimit me votë të drejtpërdrejtë popullore. Kjo çështje themelore injorohet në të dyja dokumentet e paraqitur. Ndaj, nuk e teprojmë po të pohojmë se deri tani nuk ka asgjë të re nga Reforma Zgjedhore. Zgjedhjet e reja do të jenë pak a shumë fotokopje e të vjetrave. Si një parti që mbështetet me përparësi te forca e individit, Partia Demokratike e ka në disfavor këtë sistem të mbyllur nga të gjitha anët. Për momentin, sjellja dhe aksioni i opozitës nuk po përcaktohen nga zgjedhjet. Por zgjedhjet janë të pashmangshme në çdo skenar. PD dhe opozita e kanë jetike motivimin e qytetarëve dhe mbështetësve të tyre tradicionale për të marrë pjesë masivisht në zgjedhje. T’u kthesh atyre mundësinë të votojnë me emër kandidatët përmes sistemit maxhoritar apo me lista të hapura, t’u delegosh veç kësaj të drejtën për të përzgjedhur kandidatët me parimin “një anëtar. një votë”, pa një mori filtrash që vendosen për të “korrigjuar” në zyrë vullnetin e lirë të anëtarëve- të gjitha këto janë sa motivuese, aq edhe të shëndetshme për demokracinë. Kjo duhet bërë. Basha duhet t’i rikthehet bindjes që ka pasur. Në të kundërtën, nuk duhet të befasohet njeri kur të shohë se numri i votuesve do të vijojë të zbresë. Pse të votojnë kur nuk pyetën e nuk vendosin për asgjë?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura