As të marrë, as të ligj

May 18, 2015 | 12:31
SHPËRNDAJE

AGIM NESHO

   Debati për një diskutim aktiv të politikave të qeverisë është pjesë normale e jetës politike në çdo demokraci liberale. Ai i jep frymë diskutimit të çështjeve më jetike nga shoqëria civile, shpreh interesat e grupeve të interesuara dhe qytetarit, si dhe i jep mundësi një qeverie të përgjegjshme të reflektojë për arritjen e konsensusit më të gjerë.
Në politikën shqiptare ky debat është influencuar gjithmonë nga disa faktorë. Së pari – militantizmi partiak dhe presioni i lidershipit për ta mbajtur militantin të lidhur me qëndrimin e partisë, sidomos në një sistem partitokratik të shoqëruar me mungesën e zhvillimit ekonomik të vendit, ku partitë mund të sigurojnë çdo gjë duke filluar nga punësimi, statusi social, përfitimet ekonomike dhe privilegje të tjera që vijnë nga ky qëndrim. Krijimi i një sistemi klientelist partiak mbyt debatin, ngushton demokracinë e brendshme të partisë dhe kultivon idenë “ose me ne, ose kundra nesh”.
Së dyti – mungesa e demokracisë, lidhja e pushtetit mediatik me interesat e pushtetit politik, duke u vënë në funksion të këtij të fundit, korrupsioni dhe rrjetet klienteliste kriminale që për arsye përfitimi bëjnë presion ndaj shoqërisë, sjellin si rezultat fuqizimin e një personaliteti autokratik në krye të qeverisë, që nuk pranon kritika dhe mendime alternative.
Së treti – mentaliteti i shoqërive lindore, që janë të prira të mos diskutojnë, por pranojnë apriori mendimin e liderit, që është në krye. Mungesa e kulturës demokratike në shoqëritë e vendeve në tranzicion krijon premisa për ta parë debatin politik si një aksion që krijon konflikt e ndarje dhe jo si një nevojë që i shërben funksionimit të demokracisë.
Mungesa e këtij debati, që më së paku gjeneron ide dhe iniciativa të reja, mund të krijojë frustrimin e shoqërisë kur kupton se përfaqësuesit e saj nuk e përfaqësojnë, se mungon transparenca dhe pushteti mbahet me demagogji. Më së shumti, mungesa e këtij debati shtyn në alternativa të tjera, që në vendet pa eksperiencë demokratike mund të reflektohen në ndryshime të dhunshme. Normalisht debati shërben si valvul shkarkuese dhe ofron mundësi për të ndryshuar politikat e sforcuara dhe veprimet e kritikueshme.
Kohët e fundit, një nga deputetët më të spikatur të maxhorancës socialiste, Ben Blushi, po kritikon ashpër thelbin e reformës së qeverisë Rama dhe dështimin e saj në programin social, rritjen e papunësisë, shtimin e varfërisë në vend etj. Kritika parimore dhe konstruktive i kanë ardhur kësaj qeverisjeje edhe nga personalitete të shquara të shoqërisë tonë, si ish-presidenti Meidani, profesor Arben Malaj e shumë intelektualë të tjerë. Por shfaqja e Blushit, jo për penën e tij të fortë, por si një nga liderët e mbetur brenda strukturave të PS-së pas spastrimeve të shumta brenda saj, e bën nervoz Kryeministrin Rama. Z. Rama fatkeqësisht nuk shikon thelbin e kritikave që duhet ta bëjnë qeverinë të reflektojë, por formën e shfaqjes së fenomenit të kontestimit, frikën nga reflektimi i mundshëm brenda partisë, si dhe grisja nga Blushi e gjithë asaj velloje propagandistike, që e mban në këmbë platformën e Rilindjes. Sot jo vetëm nga Blushi, por edhe në rrjetet sociale, në diskutime e qëndrime ndaj qeverisjes së vendit, “Mbreti” gjithmonë e më shumë duket lakuriq.
Edhe ata pak individë, që besonin në atë që u premtua, po përjetojnë një situatë më të pasigurt, më të varfër dhe me një shpresë të pakët për ndryshim. Ashtu si në fushatën elektorale, ku maxhoranca po prodhon një fushatë negative – gjë që tregon se e njeh situatën ku qytetarët masivisht janë të pakënaqur nga qeverisja e tij – Kryeministri Rama shpejtoi të përkufizojë kritikën e bërë, duke i përgjithësuar kritikët si “të marrë ose të ligj”. Një shprehje e artikuluar në nevojë, qesharake në thelb, që më pak se çdo gjë tjetër mund të intimidojë Blushin. “Të marrë” nuk mund të jenë kurrsesi intelektualë e mendimtarë të tillë plot integritet dhe aftësi si prof. Meidani, Malaj, Islami, Blushi etj. Ata e kanë fituar këtë vlerësim nga puna e përkushtimi dhe krijimet e tyre akademike e letrare.
Për Blushin, një nga shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë, “i marrë” mund të jetë ai që bën eksperimente me qeverisjen e një populli të varfër. “Të marrë” mund të jenë ata që me retorikën e veprime nacionaliste, si edhe nga padija apo vetëvlerësimi, mund ta çojnë vendin në një aventurë të mundshme. “Të marrë” janë ata të përdoren si kukulla nga pushteti për të fituar ndonjë kockë dhe përgjërohen se e kanë kuptuar thellë “vizionin” dhe nuk duan komentatorë për t’ua shpjeguar. “Të marrë” janë ata që deklarojnë se janë hapur mbi 80 mijë vende të reja pune në Shqipëri, ndërsa shqiptarët po largohen masivisht nga vendi për të mbijetuar.
Por a mund të jenë të ligj?
Përkufizimi i ligësisë është shumëdimensional. Ndoshta Blushi kërkon t’ia marrë partinë Ramës dhe kjo nuk është ligësi, por garë. Ai po provon se qeverisja nuk po arrin të japë rezultate dhe është në interes të socialistëve për të korrigjuar vetveten dhe mbajtur pushtetin. “I lig” është ai që e mban pushtetin me të gjitha mjetet dhe e ka kthyer atë qëllim në vetvete.
Elita socialiste ka kritikuar vazhdimisht, mbështetur në filozofinë që pushteti duhet të bazohet në moral dhe jo të bëhet palë e të ndajë pushtet me çdo aleancë “qelbësirash”, duke mundësuar të futen në Parlament elementët e inkriminuar. “Të ligj” janë ata që përfitojnë nga e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e popullit dhe e mbushin Parlamentin me klientelën e tyre, përfshirë edhe të inkriminuar. Në Partinë Socialiste nuk është treguar asnjëherë inferioritet në zgjedhjen e ekipeve politike, por është respektuar meritokracia dhe konkurrenca e lirë në parti. Të tjerë kanë qenë që kanë mënjanuar një klasë të tërë politike të përgatitur dhe me eksperiencë për t’u zëvendësuar me “ushtarët” e radhës të liderit, për t’u ndier ai sa më komfort. Nevojë për një gjeneratë të re apo nevojë për të mbytur inferioritetin?! Cilët janë të ligjtë, pra?!
Debati ka edhe moralin e tij, ku debatuesit qëndrojnë fort në pozicionet e tyre parimore. Integriteti dhe fuqia e një debatuesi apo politikani qëndron se sa konsekuent është me mendimet dhe qëndrimet e tij, për të cilat lufton deri në fund. Ajo që kuptojmë nga Blushi, është vërtetësia e parashtrimeve të tij, të cilat janë prezent në çdo diskutim popullor. Ajo që nuk kuptojmë nga ai, është durimi dhe pritja për funeralin e Rilindjes. Pushteti nuk pritet, por merret, në qoftë se ke vullnetin për të ndryshuar gjërat pozitivisht dhe beson në idetë e tua. Ndryshe mbetesh një idealist në kopshtin e asaj partie, së cilës nuk i ka mbetur më asnjë shenjë e Partisë Socialiste. Mbetesh i vetëm midis përfaqësuesve të atij klani, që e transformuan dhe përdorën atë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura