Arvizu: KQZ me 4 anëtarë nuk certifikon rezultatin

Jun 13, 2013 | 8:57
SHPËRNDAJE

Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu
Ambasadori i SHBA flet për marrëdhëniet me Berishën. “Qesharak dhe turpërues fotografimi i votës në zgjedhje, të numërohen drejt”.

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje në emisionin “2013 Show” në Vizion Plus të gazetarëve Adi Krasta dhe Lutfi Dervishi, se KQZ me katër anëtarë mbetet një shqetësim, pasi nuk mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve. Arvizu foli dhe për marrëdhëniet me Kryeministrin Berisha, po ashtu ka quajtur si qesharak fenomenin e fotografimit të votës.

Në qoftë se ndalemi pak te raporti i OSBE/ ODIHR-it, duket se ka probleme serioze, dhe një nga problemet serioze është çështja e KQZ-së. Në ç’masë çështja e KQZ i rrezikon zgjedhjet dhe në dritën e vëzhgimit të mprehtë të raportit të ndërmjetëm, ku thuhet që KQZ ka marrë vendime me katër vota, kur duheshin 5 anëtarë?

Mendoj që do të ishte e drejtë të thosha që ne dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, si dhe shqiptarët gjithashtu, kanë shprehur një shqetësim për zhvillimet me KQZ-në, dhe kjo është larg ideales. Situata me të cilën përballet KQZ-ja, nuk është skicuar të funksionojë me katër anëtarë, por është menduar që të funksionojë me shtatë anëtarë. Ajo që më shqetëson mua është që mekanizmi është i ndryshuar dhe duhet të punojmë së bashku për ta kapërcyer këtë situatë. KQZ po operon me katër anëtarë, dhe ata kanë marrë disa vendime, të cilat i janë referuar Kolegjit Zgjedhor, që ka pasur dy raste në të cilat vendimi fillestar i komisionerëve nuk është miratuar dhe më pas është miratuar në favor të opozitës. Kjo është një shenjë inkurajuese. Nuk e shoh çështjen e KQZ-së si të pakapërcyeshme, por duhet të jem i sinqertë, është një burim i vazhdueshëm shqetësimi, sepse në një pikë zgjedhjet do të duhet të certifikohen, rezultati duhet të bëhet me një shumicë të cilësuar, pra 5 anëtarë, dhe KQZ nuk mund ta bëjë këtë, kështu që do të duhet të shkojë në Kolegjin Zgjedhor. Çfarë do të ndodhë nëse do të kishte një rezultat 70 me 70? Çfarë do të ndodhë sikur të kishim 69 me 68? Me tri qarqe të pavendosura ose në ngërç? Çfarë do të ndodhte më pas? Do të doja që njerëzit ta kishin menduar më shumë këtë më 15 prill, kur Parlamenti votoi shkarkimin e zotit Muho.

Si Ambasadë jeni përgatitur dhe për variantin më të keq të mundshëm. Cili është skenari më i keq i mundshëm që ju parashikoni në këto zgjedhje?

Ka skenarë nga më të këqijtë, të llojeve të ndryshme, por ajo që ne kemi kujdes dhe realitetin aktual është mundësia e një ngërçi. Përsa u përket skenarëve të vështirë, mundësitë e një ngërçi, interpretime të ndryshme mbi ligjet dhe si ndiqen rregullat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, dhe përsëri mbetemi te problemi me KQZ-në. Kemi dëgjuar ambasadorin Sekui, që zhvillimi dhe sjellja e aktorëve kryesorë, institucioneve, aftësia për të parë një interes më të gjerë në të mirën e vendit është vërtet kryesorja dhe në SHBA do të shohim aktorët, institucionet, që të nxisin lojën e tyre që të veprojnë në përputhje me ligjin, që të mos ndërmarrin vendime kapriçoze. Flasim për skenar të vështirë, kjo është njëra prej tyre. Një shqetësim tjetër ka lidhje me dhunën. Kemi parë nga kjo në fushatë.

Populli është i shqetësuar se marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin janë përkeqësuar pa kthim këto kohë, zoti ambasador. Janë zbutur gjërat, apo vazhdoni ta shmangni njëri-tjetrin?

Ne të dy kemi punën tonë për të kryer dhe ndiej se kam një marrëdhënie që bazohet në një mirëkuptim të asaj që duhet të bëjmë. Ai është Kryeministri dhe unë përfaqësoj Presidentin e SHBA-ve dhe popullin amerikan këtu. SHBA-të dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të shkëlqyer, kështu që një prej përgjegjësive të mia kryesore, mbi të gjitha është të prezantoj vendin tim dhe Presidentin tim mirë, që të bëj pjesën time në mënyrë që të sigurohem që kjo marrëdhënie të jetë produktive dhe të mund të përfitojnë të dy popujt. Si kreu i qeverisë së Shqipërisë, ai e kupton që nuk ka nevojë as ta kuptojë se ai e ndien, ai e di që kjo pasqyrohet në atë që ai thotë dhe atë që ai bën, që miqësia dhe partneriteti më Amerikën është më kryesorja dhe shkëlqyeshëm që është aty. Por cilido që aspiron që të qeverisë Shqipërinë, duhet ta bëjë këtë një përparësi kryesore. Kështu që kemi pasur ndryshimet tona, herë pas here po. Kjo është në rregull, madje është përsosshmërisht. Por të dy fokusohemi që vendet tona të punojnë së bashku, ndërkombëtarisht e në rajon. Ai më kupton mua shumë mirë, unë e ndiej që po e kuptoj atë më mirë, dhe nuk parashoh ndonjë vështirësi në këtë fushë.

Nëse zgjedhjet kontestohen, cili është qëndrimi i SHBA-ve?

Nuk besoj që do të jetë një mister kur disa njerëz do të thonë nuk ishte i drejtë, i lirë dhe ndershëm, dhe disa të tjerë do të thonë që këto zgjedhjet ishin më të mirat që janë zhvilluar ndonjëherë. Unë besoj se konsensusi do të lindë. Kemi dëgjuar për mënyra të ndryshme si duhet të votojnë njerëzit. Nëse unë do të merrja para, më duhet të shkoj dhe të sigurohem që kam votuar në atë formë. Më duhet të marr celularin dhe t’i bëj një fotografi fletës së votimit si një provë që unë kam votuar në atë formë të caktuar. Kur e dëgjova për herë të parë këtë, unë thashë: e keni seriozisht?! Kjo është shaka. Dhe jo më thanë, kjo është serioze, dhe ka persona që po u thonë të tjerëve që kjo është mënyra se si do t’i mësojmë dhe unë kam thënë se ka një term në gjuhën angleze, që në shqip do të thotë është një skemë që përdoret nga trupeshqit, ndërsa në anglisht është një skemë që përdoret nga dikush që e ka trurin të vogël sa një lepur. Kjo është qesharake, kështu që nëse vëzhgoni votimet, nëse shikoni dikë që po nxjerr celularin, atëherë thoni: Shiheni atë person. Nuk mund ta imagjinoj që do ndodhë një gjë e tillë. Kjo është turpëruese. Shqipëria në vitin 2013 nuk ka nevojë që të ketë këtë farë marrëzie, që votat e tyre të numërohen siç duhen dhe në kohën e duhur. Bëjeni të thjeshtë, mos e bëni të komplikuar, dhe të gjitha gjërat do të funksionojnë pastaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura