Arvizu foli qartë për SHISH dhe qëndrimin e SHBA

Aug 20, 2012 | 11:44
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ISLAMI

Pas emërimit të kryetarit të ri të SHISH-it është rritur temperatura politike, kritikat, dhe sulmi i opozitës politike e medias opozitare ka qenë i ashpër. Për shkak të historisë së këtij shërbimi dhe të marrëdhënieve të veçanta me shërbimin homolog amerikan, ndër të tjera, janë vënë në lëvizje nga opozita dy teza: Teza e rikthimit në SHIK-un e 1997-s dhe teza e përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-të, për shkak të emërimit të drejtuesit të ri të SHISH-it. Teza e rikthimit në 1997-n është një tezë që rivjen herë pas here në politikën e brendshme shqiptare, por një tezë konsumi politik, me efekte gjithnjë e më të parëndësishme. Kurse teza e “zemërimit amerikan” rimerret sa herë çështja në debat ka lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të apo kur në betejën e brendshme kërkohet avantazh politik ndaj kundërshtarit, duke tentuar të tërhiqet në favorin e tij faktori amerikan. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë SHBA-të, duke u interesuar për progresin demokratik, forcimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor, deri edhe integrimin e Shqipërisë në BE, qëndrojnë të paanshme dhe jo interferuese në debatin e brendshëm midis palëve. Edhe nga qëndrimet e fundit të ambasadorit Arvizu, ndryshe nga çfarë përpiqen të aludojnë simpatizantët e teorive të konspiracionit, rezulton se SHBA-të, duke respektuar vullnetin e popullit shqiptar, do të jenë tërësisht të paanshme në zgjedhjet e vitit 2013.

1.PRITEJ DHE MADJE NXITEJ REAGIMI I AMBASADORIT ARVIZU…

Është bërë traditë që sa herë bëhet fjalë për një çështje delikate apo të diskutueshme, pritet dhe bile nxitet qëndrimi i përfaqësuesit më të lartë amerikan në Shqipëri, ambasadorit Arvizu. Po ashtu, nuk është më çudi që menjëherë pas deklarimeve të tij, gjithnjë do të vijnë komentet subjektive e voluntariste të “analistëve” për të interpretuar sipas oreksit të tyre, apo synimeve politiko-elektorale, atë që ambasadori artikulon qartas dhe pa asnjë dykuptimësi. Nuk shpëtoi edhe këtë radhë pa u interpretuar “sipas qejfit” deklarata e ambasadorit Arvziu. Nga dëgjimi i kësaj deklarate, më rezulton se deklarata ishte elegante, e saktë, në momentin e duhur, e qartë dhe pas asnjë nënkuptim apo dykuptimësi për të krijuar terren për interpretime “sipas qejfit”. Interpretimet, komentet e analizat, dhe sidomos titujt e lajmeve ishin kryesisht nga ana opozitare, në shumicën e rasteve të pasakta dhe në funksion të motivimit të militantëve të tyre. Po përpiqem të formuloj “shqip e troç” atë që tha shumë saktë e qartë në anglisht(në versionin amerikan) ambasadori Arvizu, ndërkohë që në një vend normal, një gjë e tillë nuk do të ishte aspak e nevojshme.

2.SHBA, “…MIRËNJOHJE PËR ISHKRYETARIN E SHISH-IT…”

Ambasadori amerikan Arvizu tha diçka që dihej paraprakisht nga të gjithë ata që merren me politikë, ai përsëriti diçka të njohur, se ishkryetari i SHISH-it ka qenë një partner i besueshëm dhe bashkëpunëtor serioz për SHBA-të. Interesat amerikane janë plotësuar në sajë edhe të kontributit që ka dhënë ishkryetari i SHISH-it për ndërtimin e një bashkëpunimi të fortë midis dy shërbimeve. Konkretisht, ambasadori Arvizu, duke shprehur mirënjohjen e SHBA-ve për bashkëpunimin midis dy shërbimeve, shumë qartas thotë: “… sipas pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara, ai ishte një partner i vendosur, që ka ndihmuar ndërtimin e një bashkëpunimi të fortë mes shërbimit që ai drejtonte dhe tonit. Për këtë ne i jemi shumë mirënjohës…”.

3. “…NJË ZYRTAR I SHTETIT NUK DUHET TË QËNDROJË NË DETYRË PËR NJË KOHË TË GJATË …”

Ndryshe nga çfarë ka komentuar gjatë këtyre ditëve media opozitare apo zëdhënësit opozitarë, ambasadori Arvizu, në përgjigje të pyetjes së medias, ka sqaruar qëndrimin amerikan lidhur me zëvendësimin e drejtuesit të SHISH-it: “Për sa i përket zëvendësimit, ndryshimet janë të mira, pasi një zyrtar i shtetit nuk duhet të qëndrojë në detyrë për një kohë të gjatë …”. Pa dashur të shprehë asnjë rezervë për mënyrën apo kohën e ndryshimit, ambasadori amerikan e konsideron normal zëvendësimin e kreut të SHISH-it, dhe natyrisht nuk mund të jetë ndryshe në një vend sovran, nëse një veprim i tillë kryhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. A është konsultuar apo a duhej të kishte një konsultim paraprak të Kryeministrit Berisha apo të Presidentit Nishani me ambasadorin Arvizu për emërimin e kryetarit të SHISH-it? Për këtë pyetje nuk rezulton asnjë përgjigje publike apo koment direkt nga zoti Arvizu. Ndoshta kjo temë është diskutuar e sqaruar në takimet zyrtare.

4. SHBA-VE “NUK I INTERESOJNË MARRËDHËNIET E QEVERISË ME KËTË PERSON…”

Por, pa dashur të bëhet pjesë e komenteve politiko-partiake, kryesisht opozitare, ambasadori Arvizu i jep përgjigje në mënyrë indirekte edhe pyetjes së mësipërme, si dhe abuzimeve të disa mediave gjatë ditëve të fundit lidhur me “zemërimin amerikan, që mund të kthehet në ndëshkim për Berishën”, për “shkak të mungesës së konsultimeve për emërimin e drejtuesit të ri të SHISH-it” apo të “caktimit në krye të SHISH-it të një njeriu të bindur të Berishës”. Në mënyrë të qartë, ambasadori amerikan deklaron se “… nuk më interesojnë marrëdhëniet e qeverisë me ketë person”. Pra, debati midis qeverisë dhe opozitës për marrëdhëniet e kryetarit të ri të SHISH-it me qeverinë, apo sa afër Berishës është kryetari i SHISH-it, për ambasadorin Arvizu është një debat politik i brendshëm dhe natyrisht një çështje shqiptare, në të cilën ai nuk mund të bëhet palë përmes komenteve të tij. Por, diçka tjetër është shumë e rëndësishme për ambasadorin amerikan dhe SHBA-të…

5. “…SHISH, TEPËR I RËNDËSISHËM PËR MARRËDHËNIET DYPALËSHE DHE PËR RAJONIN…”

Për ambasadorin Arvizu është shumë i rëndësishëm realizimi i interesave amerikane në Shqipëri e rajon. Për rrjedhojë, SHBA-të, pavarësisht vlerësimit maksimal dhe mirënjohjes së lartë për nivelin e bashkëpunimit të realizuar midis dy shërbimeve në kohën kur SHISH-i drejtohej nga Bahri Shaqiri, e ka pritur zëvendësimin e drejtuesit të SHISH-it, natyrisht në përputhje të plotë me kërkesat e Kushtetutës dhe të legjislacionit në fuqi. Por për SHBA-të prioritet kanë ruajtja dhe forcimi i bashkëpunimit të SHISH-it me shërbimet homologe amerikane, sepse ai është i rëndësishëm si i) për marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri- Amerikë, ashtu edhe ii)për të ndjekur çështjet e rajonit. Konkretisht, ambasadori Arvizu lidhur me emërimin e kryetarit të ri, deklaron se drejtimi i SHISH-it “është tepër i rëndësishëm për marrëdhënien dypalëshe, por edhe për rajonin…”.

6. SHISH, “VEPRIMTARI NË PËRPUTHJE ME STATUSIN E VENDIT ANËTAR TË NATO-S…”

Ambasadori amerikan Arvizu, me këtë rast, në mënyrë të qartë e transparente, rithekson rëndësinë që ka SHISH-i në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe njëkohësisht evidenton mënyrën e drejtimit të SHISH-it nga z.Shaqiri, në përputhje me standardet e NATO-s. Konkretisht, ambasadori Arvizu deklaron se “atëherë (bëhet fjalë për vitet ’90, shënimi im) Shqipëria nuk ishte anëtare e NATO-s, tani është dhe është me shumë rëndësi për drejtuesit e SHISH-it ta drejtojnë atë si zoti Shaqiri. Të qenët e Shqipërisë anëtare e NATO-s merr një rëndësi kritike për SHISH-in, që ta zhvillojë veprimtarinë në përputhje me statusin e vendit anëtar i NATO-s”.

7. “BERISHA JEP GARANCI PËR MARRËDHËNIET MIDIS DY SHËRBIMEVE…

A do të përkeqësohen marrëdhëniet midis dy shërbimeve homologe pas emërimit të kryetarit të ri të SHISH-it nga Presidenti Nishani, me propozim të Kryeministrit Berisha? Për këtë pyetje ka dy përgjigje: njëra nga opozita dhe tjetra nga Kryeministri Berisha. Gjatë këtyre ditëve, përfaqësues të opozitës dhe kryesisht analistë opozitarë kanë kritikuar ashpërsisht këtë emërim, duke aluduar se “po kthehet SHIK-u i vitit 1997” dhe se “ndryshimet në SHISH kanë nervozuar dukshëm SHBA…”. Konkretisht, njëra prej gazetave të opozitës shkruan se “Ambasada e SHBA-ve në Tiranë reagoi menjëherë pas shkarkimit të drejtorit të SHISH-it dhe emërimit në atë detyrë të një zyrtari me të shkuar të dyshimtë antiamerikane…”, të shkruaje se “një burim i nivelit të lartë të Ambasadës tha se ‘Njoftimin e mësuam nga lajmet. Koha dhe arsyet përbëjnë pikëpyetje’…”. Dhe më tej vazhdon komenti i gazetës se “…kjo tregon shqetësimin që ka krijuar në Uashington veprimi i Berishës, i cili jo vetëm ka hequr një njeri tek i cili SHBA-të besonin, por e ka zëvendësuar me dikë që SHBA-të e kanë konsideruar të papërshtatshëm”. Pra, për opozitën është e qartë se me këtë emërim “marrëdhëniet midis dy shërbimeve do të përkeqësohen…”. Këtyre spekulimeve u jep fund vetë ambasadori amerikan, kur shprehet se “ne kemi marrë garanci nga Kryeministri dhe të tjerë (shënimi im: nga Zoti Nishani dhe Zoti Basha) se marrëdhëniet (midis SHISH-it e shërbimeve homologe, ky është shënimi im) do të vazhdojnë. Kjo është e rëndësishme për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë”. Pra edhe ky aspekt sqarohet me transparencë nga vetë ambasadori amerikan, duke mos lënë asnjë hapësirë për interpretime dykuptimëshe. Ndërkohë që Berisha, në mënyrë politikisht profesionale, i ka transmetuar ambasadorit amerikan, pikërisht në kohën e duhur, atë ai priste me këtë rast.

8. “…SOT NUK KEMI SHIK TË VITEVE ’90, POR SHISH TË VITIT 2012…”

Një nga boshtet e kritikave të ashpra të opozitës dhe medias opozitare është ai i rikthimit të SHIK-ut të viteve ’90. Shtrohet me të drejtë pyetja: “A do të mund të rikthehen praktikat e SHIK-ut të viteve ’90?” dhe “A synon Berisha të rikthejë me këtë emërim praktikat e SHIK-ut të viteve ’90?”. Ambasadori amerikan, mesa duket, ka ndjekur më shumë vëmendje gjithçka thuhet nga opozita politike dhe media opozitare në këto ditë të nxehta gushti për SHISH-in dhe natyrisht është detyruar të lexojë me vëmendje informacione e raporte mbi veprimtarinë e SHIK-ut në vitet ’90. Po ashtu, dihet se SHBA-të kanë qenë të angazhuara dhe kanë kontribuar konsiderueshëm për ngritjen dhe progresin e SHISH-it, sidomos pas vitit 1997. Pa dashur të bëhet palë në këtë debat politiko-elektoral midis qeverisë dhe opozitës, ambasadori amerikan jep opinionin dhe njëkohësisht mesazhin pozitiv të orientimit drejt së ardhmes, duke deklaruar: “…Ka shumë rëndësi ecja përpara e SHISH-it. Ne kemi punuar shumë për ta zhvilluar këtë institucion. Sa i takon drejtorit të ri, të cilin mund ta takoj kur të kthehem nga pushimet, mund të them se ai trashëgon një institucion që është ndryshe nga SHIK-u i viteve ’90. Sot nuk kemi SHIK-un e viteve ’90, por SHISH-in e vitit 2012..”. Kështu, ambasadori nuk beson se mund të ketë kthim mbrapa, dhe njëkohësisht jep mesazhin për t’u orientuar drejt së ardhmes.

9. NË VEND TË NJË PËRFUNDIMI…

Pas 7 vjetësh në pushtet, që nga viti 2005, Kryeministri Berisha, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi, i propozoi Presidentit Nishani, të zgjedhur pak kohë më parë po ashtu në përputhje me Kushtetutën, emrin e ri të drejtuesit të SHISHit. Presidenti Nishani emëroi, siç kishte deklaruar publikisht, kandidaturën e Kryeministrit Berisha. SHISH, që nga viti 1997, pra që prej 15 vjetësh, drejtohet nga kryetarë të cilët ishin propozuar nga kryeministrat socialistë. Opozita ka reaguar ashpërsisht ndaj emërimit të drejtuesit të ri të SHISH-it, media opozitare ka qenë po ashtu shumë agresive si ndaj mënyrës së emërimit të drejtuesit të ri të SHISH- it, dhe vetë personit që ka marrë drejtimin e këtij institucioni. Natyrisht në shënjestër të opozitës janë vënë Kryeministri Berisha për “uzurpim të të gjitha pushteteve” dhe Presidenti Nishani, si nga lidershipi i lartë i PS-së, ashtu edhe nga media opozitare. Për ta bërë më kompleks këtë debat, dhe me synimin për të tërhequr në këtë debat edhe faktorin ndërkombëtar, veçanërisht atë amerikan, opozita dhe media opozitare janë përpjekur të fusin në analizat dhe qëndrimet e tyre edhe “zemërimin amerikan” për shkak të heqjes së ish-drejtuesit “të preferuar prej tyre” dhe emërimin e drejtuesit të ri “të papërshtatshëm për ta”. “Zemërimi amerikan”, sipas skemave konspirative, arrin deri aty sa një analist opozitar të konkludojë se “Lëvizjet e fundit në SHISH janë fundi i Berishës”. Në këtë kontekst, ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kur shumica janë me pushime, mesa duket i është dashur të japë disa opinione dhe mesazhe njëkohësisht. Mesazhet e tij janë dhënë në mënyrë shumë elegante diplomatikisht, duke prezantuar zëvendësin e tij të sapoardhur në Tiranë. Takimet janë realizuar fillimisht me Lulzim Bashën, më tej me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha dhe së fundmi me drejtuesin e opozitës, prej nga ka dhënë edhe deklaratën për shtyp. Lexohet qartë se SHBA-të nuk duan të bëhen pjesë e debatit të brendshëm politik që në fakt sapo ka filluar të marrë ngjyrime elektorale. Pra SHBA-të duket se do të jenë tërësisht të paanshme në zgjedhjet 2013-s. Po ashtu, lidhur me “çështjen SHISH”, SHBA-të kërkojnë vetëm që të ruhen e forcohen marrëdhëniet midis shërbimeve homologe, si një premisë për marrëdhënie të ngushta midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, gjë të cilën ia ka garantuar Kryeministri Berisha. Mesazhet e ambasadorit amerikan kanë qenë të qarta, duke mos lënë vend për asnjë spekulim apo keqinterpretim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura