Artur Gorishti, ekspozitë pikture në Galerinë e Arteve

Nov 27, 2015 | 15:11
SHPËRNDAJE

Gjithnjë në kërkim të vetes. Mes aktrimit, pikturës, fotografisë, por edhe regjisë.

Edhe pse Artur Gorishtin publiku shqiptar e njeh më së shumti si aktor, ai ka vendosur t’i zbulojë edhe një anë tjetër të profilit të tij artistik.

artur gorishti

Dhe këtë ka vendosur ta bëjë pikërisht “Natën e bardhë”, në 29 nëntor. Ditën e diel, Galeria Kombëtare e Arteve hap ekspozitën vetjake të artistit Artur Gorishti.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti do të prezantojë rreth 70 vepra të përzgjedhura nga 900 punime të artistit të krijuara në një periudhë 25-vjeçare.

Pikturat e grafikat janë peizazhe, portrete, brendi, kompozime e miks media. “Ajo që e bën konkrete veprën time, nuk është të menduarit se jam artist, por të qenët i përulur përpara fjalës së madhe ART, i përulur me dyshime dhe i brishtë si fëmija”, thotë Gorishti.

Dhe veprat që ai do të ekspozojë në GKA janë një “përkthim” i rrugëtimit të jetës së tij, i ditëve me diell dhe me shi; është kërkimi i tij i vazhdueshëm brenda vetes; përpjekja për të qenë i plotë; modestia dhe një lloj “refuzimi” i të konsideruarit të vetes si artist. E ndoshta kjo ekspozitë vjen në të pavetëdijshmen e tij si dëshirë për të rimarrë “konfirmimin” e publikut.

Pas çeljes së ekspozitës në orën 18:00, në GKA do të projektohet filmi i realizuar nga Artur Gorishti “Breath”, i cili u vlerësua si filmi më i mirë debutes me metrazh të shkurtër në edicionin e 13-të të TIFF, e që do të konkurrojë në disa festivale të rëndë- sishme në Europë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 dhjetor 2015.

ARTISTI

Artur Gorishti lindi në vitin 1962, në Tiranë. Në vitin 1982 u diplomua për topografi, por një vit më vonë nisi studimet për aktrim në ish-Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Po në vitin 1983 nisi edhe karriera e tij artistike si aktor, ndërsa sot numëron rreth 40 role.

Në memorien e publikut janë të ngulitura rolet e tij në filmat “Dora e ngrohtë”, “Nxënësit e klasës sime”, “Eja”, “Vitet e pritjes”, “Parullat”, “Gjoleka, djali i Abazit”, “Bota” etj.

Pasioni për fotografinë nis në fillim të viteve 2000, duke e bërë Gorishtin protagonist në disa konkurse dhe ekspozita fotografike. Prej vitit 2005 jeton në Montreal, Kanada, ku ka aktruar në disa prodhime kinematografike dhe televizive.

Në vitin 2013 botoi librin me tregime “Dyert”, të cilat ka nisur t’i realizojë në pelikul si skenarist dhe regjisor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura