Artriti, ushqimet që ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes. Çfarë këshillon dietologia

Oct 21, 2019 | 16:42
SHPËRNDAJE

Artriti Reumatoid është një sëmundje inflamatore autoimune ku sistemi imun i organizmit lufton indet e veta dhe në rastin e artritit, kyçet dhe organet e tjera të trupit. Nuk ka një shkaktar të identifikuar, por mendohet që personat të cilët kanë një predispozitë familjare, pra që kanë një familjar të rrethit të parë dhe të dytë që vuan nga kjo sëmundje, janë më të predispozuar për t’u prekur nga artriti.

artriti

Nga ana tjetër, edhe faktorë të tjerë të ambientit, konkretisht viruset, bakteret, myket, përdorimi i duhanit etj., ndikojnë duke i dhënë pikënisjen sëmundjes. Veç medikamenteve, rëndësi ka edhe regjimi ushqimor. Dietologia Enkeleida Ferrollari na njeh me ushqimet të cilat mund të lehtësojnë simptomat e artritit. “Dieta mesdhetare është parë si dieta më e mirë për të sëmurët me artrit.

Dieta mesdhetare përmban në përbërjen e saj mishin e pulës, peshkut dhe e kufizon konsumin e mishit të kuq. Dieta mesdhetare përmban shumë fruta dhe zarzavate të pasura me vitaminë, kripëra minerale dhe fibra; përmban drithëra të papërpunuara, të pasura me vitaminë, proteina bimore dhe fibra. Baza e indyrës së dietës mesdhetare është vaji i ullirit. Shumëllojshmëria e ngjyrave në tavolinë do të thotë më shumë vitamina dhe antioksidantë që ndikojnë në uljen e inflamcionit dhe në përmirësimin e simptomave të të sëmurëve”, vë në dukje dietologia.

DIETOLOGIA ENKELEIDA FERROLLARI 

Artriti është një sëmundje inflamatore kronike që prek shumë organe të trupit, por kryesisht gjymtyrët. Ushqyerja ndihmon në përmirësimin e shëndetit të personave të prekur nga artriti dhe mund të përmirësojë simptomat e tij. Një dietë e ekuilibruar dhe një ushqim i shëndetshëm ndihmon në rënien nga pesha dhe në ruajtjen e një peshe të shëndetshme trupore. Mbipesha dhe obeziteti mund përkeqësojë sëmundjen dhe të vështirësojë kurimin, duke bërë të paefektshme mjekimet dhe kurat. Rënia nga pesha ose ruajtja e një peshe të shëndetshme trupore mund të realizohet duke kontrolluar ushqimin dhe duke kryer një aktivitet të rregullt fizik.

Një faktor i rëndësishëm për ushqyerjen e personave që vuajnë nga artriti është ndryshimi i llojit të yndyrnave të dietës. Personat që vuajnë nga artriti kanë një rrezik më të madh të preken nga sëmundjet e zemrës, krahasuar me ata që nuk vuajnë. Lloji dhe sasia e yndyrës së përdorur në gatim dhe në ushqim ndikon në rritjen e kolesterolit në gjak, si dhe ndikon në përkeqësimin e dhimbjeve të kyçeve dhe të inflamacionit. Prandaj, është shumë e rëndësishme reduktimi i konsumit të yndyrnave shtazore si gjalpi, dhjami etj.. Duhet të zëvendësohen me yndyrna bimore me vajin e farave, vajin e ullirit, misrit, lulediellit etj.. Duhet të kontrollohet jo vetëm cilësia dhe lloji i yndyrës, por gjithashtu edhe sasia nuk duhet të kalojë 30% qind të kalorive ditore.

Përveç yndyrnave shtazore, duhet të reduktojmë edhe konsumin e proteinave shtazore, kryesisht mishi i kuq, i viçit, i derrit, i dhenve etj. (jo më shumë se një herë në jave, dhe zëvendësimi i tij me mishin e pulës apo peshkun). Peshqit e yndyrshëm si sardelja, skumbri, salmoni etj., janë të pasur me acide yndyrore omega-3.

Acidet yndyrore omega-3 jo vetëm që ndikojnë pozitivisht për sëmundjet e zemrës, por ndihmojnë edhe në uljen e inflamacionit, gjë që ndihmon në pakësimin e dhimbjeve. Në dietën e personave që vuajnë nga artriti duhet të shtohen të paktën 2 racione nga 150 gr peshku të yndyrshëm në javë. Burimi më i mirë i omega-3 është nga peshku.

Dieta mesdhetare është parë si dieta më e mirë për të sëmurët me artrit. Dieta mesdhetare përmban në përbërjen e saj mishin e pulës, peshkut dhe e kufizon konsumin e mishit të kuq. Kjo dietë përmban shumë fruta dhe zarzavate të pasura me vitamina, kripëra minerale dhe fibra. Përmban drithëra të papërpunuara, të pasura me vitamina, proteina bimore dhe fibra. Baza e ndyrës së dietës mesdhetare është vaji i ullirit.

Në përbërjen e dietës mesdhetare gjejmë bishtajore në formën e fasuleve, thjerrëzave, qiqrave etj.. Të gjitha këto bëjnë që ushqyerja me një dietë mesdhetare të mundësojë furnizimin e organizmit me yndyrna të pangopura dhe omega-3, me kripëra minerale, vitamina dhe fibra. Gjithashtu, një dietë mesdhetare është e varfër me yndyrna shtazore. Të gjitha këto bëjnë të mundur në uljen e inflamacionit dhe si pasojë përmirësimin e simptomave të artritit. Për të ndjekur një dietë mesdhetare duhet të konsumojmë të paktën 3 racione zarzavate dhe 2-3 racione fruta në ditë.

Shumëllojshmëria e ngjyrave në tavolinë do të thotë më shumë vitamina dhe antioksidantë që ndikojnë në uljen e inflamcionit dhe përmirësimin e simptomave të të sëmurëve. Një nga simptomat më të zakonshme te personat e sëmurë me artrit është gjendja e lodhjes, e cila mund të përkeqësohet edhe nga anemia. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme sigurimi i sasisë së nevojshme ë hekurit nëpërmjet ushqimit. Për të ndihmuar në marrjen e sasisë së nevojshme të hekurit duhet të konsumojmë rregullisht ushqime të pasura me hekur si: mish të kuq pa dhjamë (1 herë në javë), vezë (tri herë në javë), zarzavate me gjethe jeshile, fasule, thjerrëza dhe qira.

Hekuri i ushqimeve bëhet më i përthithshëm nëse shoqërohet me vitaminë C, d.m.th. nëse ushqimeve i shtojmë limon dhe konsumojmë sasi zarzavatesh dhe frutash të pasura me vitaminë C. Marrja e sasisë së nevojshme të kalciumit nëpërmjet ushqimit është shumë e rëndësishme për të gjithë, për të mbajtur kockat të forta dhe të shëndetshme sidomos kur bëhet fjalë për të sëmurë që kurohen nga artriti. Këta persona janë më të rrezikuar të vuajnë nga osteoporoza.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të kenë pjesë të dietës së tyre ushqime të pasura me kalcium, si qumësht me pak yndyrë, kos, djathë të freskët dhe gjizë me pak kripë dhe yndyrë, zarzavate, bajame, peshk që mund t’ju hamë edhe shtyllën kurrizore, si sardelet. Thënë të gjitha këto, shohim që ndryshimet në mënyrën e të ushqyerjes janë shumë të rëndësishme. Rënia nga pesha dhe aktiviteti i rregullt fizik janë faktorë që ndihmojnë pozitivisht në përmirësimin e simptomave të artritit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura