Artizania Edlira Sulaj: Sekretet e një kostumi popullor

Apr 15, 2013 | 14:48
SHPËRNDAJE
Artizania duke treguar një kostum popullor të zonës së Elbasanit

Punimet artizanale, nga tezgjahu te makinat qepëse të ditëve të sotme, janë trashëguar ndër katër brezat e familjes së saj të vjetër tiranase. Mirëpo, këto 10 vitet e fundit, Edlira Sulaj ka zgjedhur ta ruajë dhe përcjellë traditën e familjes, por edhe ta bëjë funksionale. Përmes riprodhimit të veshjeve popullore nga të gjitha trevat shqiptare, veç përfitimit financiar nga shitja e tyre, kërkon të ruajë edhe vlerat tona tradicionale

E rritur me punimet e dorës së femrave të familjes, nga brezi i stërgjyshes deri në radhët e nënës dhe motrave, ajo nuk mund t’i shpëtonte traditës familjare të punës artizanale, e trashëguar ndër vite. Si fillim nisi si plotësim i nevojave personale për të kuruar dukjen e jashtme përmes veshjes, sidomos në raste specifike dasmash të fisit ose fqinjëve. Mandej, kërkesat e vazhdueshme të të njohurave për fustane hua, e kthyen pa dashur punën e të qepurit të veshjeve në një biznes familjar, pjesë e të cilit ishte edhe Edlira Sulaj. Por, për drejtuesen e shoqatës “Tradita Popullore” nevojitej një tjetër lloj gjetjeje për të dalluar nga gama e pafundme e mundësive për të blerë sot të gatshme një veshje të preferuar, qoftë nëpër dyqane, si edhe përmes internetit. Zgjedhja e profilit të ri pasoi njohuritë që ajo kishte marrë ndër vite mbi veshjet tradicionale popullore (disa syresh i kanë mbajtur në trup edhe paraardhësit e saj) thuajse të të gjitha trevave të Shqipërisë. Nisi si një nismë personale, ndërsa prej 10 vitesh është kthyer në angazhimin ditor të vet Edlirës si drejtuese e punishtes së vogël, që ajo ka ngritur në periferi të kryeqytetit, në zonën e Kasharit. Riprodhimi origjinal i një veshjeje popullore, përmes punës artizanale të dorës, të kombinuar me makinën qepëse, nuk kërkon vetëm punë intensive disamujore. Përtej përkushtimit, gjetja e lëndës së parë është një proces disi i vështirë për t’u përmbushur me përpikëri maksimale… Ndryshe, produkti final nuk do të ishte ai i kërkuar, tërësisht origjinal dhe me çmime diferencuese në treg, të cilat nisin nga njëmijë euro e sipër.

Edlira Sulaj duke punuar një veshje popullore të zonës së Lunxhërisë

Procesi i rikrijimit
Shqiptarë të të gjitha trevave, toskë dhe gegë, deri në Çamëri bëhen bashkë në atelienë e Edlira Sulajt. Veshje popullore tradicionale të rënda, me gajtanë për burra dhe gra, të qepura me fije ari dhe argjendi, xhoke të zeza dhe breza të rëndë, të vendosura mbi copat e mëndafshit apo të përpunuarat industriale janë lënda e parë me të cilën punon drejtuesja e shoqatës “Tradita Popullore”, Edlira. Jo gjithë herët është e lehtë për të gjetur këto materiale dhe elementë të nevojshëm për të realizuar kostumin e secilës zonë të Shqipërisë. Sekreti i veshjeve të Edlira Sulajt është pikërisht riprodhimi i veshjeve me përpikëri me ato origjinalet. Vështirësia më e madhe qëndron pikërisht në përvetësimin e lëndës së parë, fijet e arit dhe të argjendit, të cilat i blen përmes porosive të veçanta në internet, ose edhe me individë që udhëtojnë kryesisht në Indi dhe Dubai. Ndërsa, në tregjet e Turqisë e ka më të lehtë të gjejë elementët e tjerë të nevojshëm për të pasuruar veshjen, siç janë teminat, rruazat dhe medaljonet e vjetra në ngjyrë floriri. “Shumë të rëndësishme janë copat mbi të cilat punohet secila veshje e trevave të Shqipërisë. Copat janë përgjithësisht kadife zero, mëndafshi, ose copa industriale të përpunuara më parë në vegjë, si shajaku, pëlhura etj. Unë vendos kontakte me persona që punojnë nëpër zona të ndryshme të vendit, sepse të tilla copa punohen kryesisht nga gra të moshuara, të cilat i kanë ruajtur metodat e vjetra të përpunimit të copërave, duke krijuar bërthama artizanale, me materiale të kushtueshme”, thotë Sulaj. Riprodhimi i një veshjeje popullore nuk e pranon fantazinë apo gabimet. Nga kostumi tradicional në fotografi, deri në produktin final të rikrijimit të veshjes, mund të nevojiten nga tre muaj deri në një vit, por përmes angazhimit të grave të punësuara, mjeshtre të punës artizanale të dorës, bëhet i mundur përshpejtimi i procesit. Punimi i qëndistarisë bëhet i gjithi me dorë, dhe më pas fiksimi me makinë rrobaqepëse. “Gjetja e fijeve të arit dhe argjendit është pjesa më e vështirë e lëndës së parë, sepse secili kostum kërkon llojin e vet të perit, sipas trashësisë së duhur, nga 18 deri në 42 fije. Këto penj, pas blerjes, përpunohen në Kosovë, sipas kërkesave që ne si prodhues kemi. Secili kostum ka specifikën e vet, ndërsa nuk lejohet tjetërsimi i ngjyrave, nuancave. Gjithashtu, copat përpunohen me frazelinën e përshtatshme, për t’u qepur më pas në makinë”, vijon Edlira.
Blerësit VIP të veshjeve popullore shqiptare
Ata që doemos duan të kenë një të tillë në shtëpi, për kënaqësi personale, ose e menduar si një dhuratë dinjitoze, duhet realisht t’ua mbajë xhepi faturën, sepse kësi veshjesh popullore kushtojnë nga njëmijë euro e sipër. Edlira thotë se blerësit më të shumtë janë emigrantë shqiptarë që prej vitesh punojnë e jetojnë jashtë vendit, si edhe gratë e ambasadorëve të huaj që kanë selitë e tyre diplomatike në Tiranë. Përgjatë 10 viteve që puna e saj është bërë e njohur, ka mundur të bëjë prezantime nëpër evenimente të ndryshme artistike, ka ekspozuar gjithashtu krijime të sajat në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, nëpër aktivitete të realizuara nga Liri Berisha etj. “Të shumtë në numër janë edhe personazhet publike që kanë blerë veshje tradicionale popullore, kryesisht këngëtarë, por edhe politikanë, si kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Ndërsa Kryeministrit të vendit i kam dhuruar një jelek të zonës së Tiranës, të cilin ai e vlerësoi shumë”, përfundon Sulaj.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura