Artistja Natasha Bega: Një film për dashurinë homoseksuale midis dy femrave

Feb 16, 2015 | 14:02
SHPËRNDAJE

Kërkon të sjellë “në një fokus hyjnor” lirinë, dashurinë dhe familjen. Artistja Natasha Bega duket se e ka shënjuar tashmë si rrugëtim të sajin edhe filmin, krahas pikturës dhe shkrimtarisë. Pas realizimit të filmit të parë, “Një biletë në Europë”, ajo ka realizuar një tjetër krijim filmik, të titulluar “Vrapoj diellin”. Filmi, i shfaqur fillimisht në kinemanë “Shapo”, një kinema e vogël e ngritur në studion e artistes Bega, do të vijojë të ketë edhe shfaqje të tjera. Por ajo çfarë e bën më të veçantë këtë film, është pikërisht tema që ai trajton: marrëdhënia homoseksuale në një dritë mirëpranuese dhe të hapur… “Ngjarjet nuk kanë lindur sot, janë po aq të lashta sa njeriu. Kanë lindur bashkë me njeriun, ndaj dhe nuk duhet t’i kemi frikë t’i pranojmë, t’i kurojmë dhe t’i shijojmë”, shprehet Bega, ndërsa thekson se e rëndësishme është liria e përzgjedhjes. “Njeriu ngrihet mbi dobësitë, ngrihet mbi trishtimin, ngrihet mbi dhimbjen dhe shijon atë që i mbetet, që në fund të fundit është liria dhe ndërton lumturinë”.

Foto nga filmi “Vrapoj diellin”
Filmi juaj synon të vijë me një gjuhë ndryshe, përmes simbolesh dhe metaforash. Pse zgjodhët këtë mënyrë rrëfimi?
Është një film me një perceptim ndryshe, sepse ai vetë e zgjodhi rrugën se si do të perceptohej: me një temë tabu, që mendoj se ishte zgjidhja më perfekte për të shprehur pikërisht ngërçin e një teme, në të cilën, në mënyrë fare pa sens, shoqëritë ndihen në kurth.
Kur thoni “tabu”, keni parasysh marrëdhëniet homoseksuale në shoqërinë e sotme shqiptare?
Këtu janë tabutë sociale, fetare, fizike, shpirtërore, erotike. Futen të gjitha llojet e ngarkesave brenda. Filmi i ka kapërcyer të gjitha këto dhe mban në qendër të vetvetes marrëdhënien me familjen, me lirinë dhe me dashurinë. Më duhet të them se është ndoshta nga filmat e parë shqiptarë që trajtojnë marrëdhënien e homoseksualitetit mes dy femrave. Është një atribut me shumë përgjegjësi. Filmi mori përsipër të transmetojë pjesën më delikate dhe më pozitive njëherësh të një marrëdhënieje homoseksuale midis dy femrave, për të drejtuar dhe ndriçuar mirë botën drejt ndjenjës së dashurisë pa gjini.
Titulli i filmit “Vrapoj diellin” ka të bëjë me këtë sens lumturie?
Është një sensacion i fuqishëm që më ka ndjekur dhe në Dubai, ku pata një ekspozitë pikture me temën “Vrapoj diellin”. Por nuk është se e mora nga Dubai këtë dritë… Unë shkova me këtë dritë në Dubai, shkova me tendencën drejt dritës. Shkova në Dubai, erdha me filmin “Vrapoj diellin” dhe është ndoshta një tendencë e imja të ndriçoj fenomenet, ngjarjet dhe njerëzit, për t’i futur në qenien e tyre, që quhet e vërteta njerëzore.
Foto nga filmi “Vrapoj diellin”
Duket sikur keni dashur të sillni një film për lirinë, dashurinë, ku në qendër është figura femërore. E shihni dashurinë të lidhur në mënyrë të posaçme, të veçantë me figurën femërore?
Këtu është historia midis dy femrave, është një histori dashurie që zgjat nga koha e faraonëve deri sot, por një histori që nuk funksionon. Në qendër janë dy femra, marrëdhënia midis dy femrave. Është histori e butë, shumë elegante, por edhe e trishtuar, që thjesht nuk funksionon për arsye kimie, jo për arsye koncepti. Dhe nëse nuk funksionon, do të thotë që bëri rrugën e saj dhe u stopua, për të nisur një rrugë tjetër, siç dhe personazhet e finalizojnë në film. Njëra lidhet me një burrë dhe bën dy fëmijë, tjetra shijon lirinë e vetvetes. Janë pra dy femra në qendër, që prodhojnë secila dashuri në formën e vet, por e rëndësishme është që ato e pranojnë dashurinë. Dhe këtu filmi gjithë sentencën e vet përfundimtare e ka: të dimë të duam. Pra, është në qendër dashuria njerëzore.
Shoqëria shqiptare sot mendoni se është e lirë në koncept?
Natasha Bega
Me çfarë kam hulumtuar, ngjarjet ndodhin në brendësi të njeriut, ngjarjet janë prezente, ndjesitë janë brenda femrave dhe meshkujve për njëri-tjetrin, janë dhe brenda të njëjtit seks. Ato ndodhin, puna është sa pranohen. Sa pranohet një ngjarje që është e vërtetë? Këtu duhet guxim, duhet përgjegjësi, duhet dashuri njëherësh. Për të mos paragjykuar atë që ndodh në një formë edhe hyjnore. Dashuria është hyjnore, nuk ka rëndësi se si vjen, midis dy gjinive apo të njëjtës gjini. Fakti që ajo është një dashuri, është hyjnore për mua.
Në film ka disa momente ku vajzat shfaqen nudo, gati duke realizuar një marrëdhënie seksuale, pavarësisht se sa realizohet ajo. Ka qenë e vështirë të xhironit këto skena?
Në momentin që do të xhiroheshin skenat nudo, vajzat nuk e dinin. Ato kishin një tekst pak a shumë të gjatë, por nuk ishin të përgatitura mirë për atë ditë. Në momentin që jepnin e merrnin për të nxjerrë tekstin dhe nuk e nxirrnin dot, u vunë para një përgjegjësie kundrejt meje, ndienin një lloj detyrimi ndaj filmit. Në ato momente, regjisori merr situatën në dorë dhe ndodhi që duhej të ndryshonte skena. U ndryshuan dritat, skena dhe në atë moment unë dhashë urdhër të zhvisheshin. Vajzat, që nuk e dinin se do të xhironin nudo në atë moment, nga detyrimi që ndienin për mua, u zhveshën me lehtësi të paparë dhe ishin gati të bënin çdo gjë. Por më mjaftonte të merrja aq prej vajzave. Ato ma dhanë me shumë elegancë dhe dashuri njëherësh ndaj punës. Ishte e vetmja gjë që funksionoi bukur dhe nuk kishte nevojë për fjalët e tyre. Në atë moment shkurtova skenarin dhe i dhashë dritë anës psikologjike, që ishte shumë e fuqishme dhe që ndriçoi bukur marrëdhënien e tyre femërore. Ishte diçka shumë e bukur dhe e kadifenjtë. Ato ishin gati të xhironin skena seksi, por nuk ishte e nevojshme. Unë mora pigmentin e marrëdhënies së tyre seksuale.
Çfarë ju ka ngacmuar për të realizuar një film për marrëdhëniet homoseksuale?
Më ngacmoi një shqetësim i një personazhi, klienteje, që më erdhi në studio për të bërë një psikoterapi astrale. Atje, asaj i doli që kishte një atribut të tillë, të një drejtimi homoseksual. Pasi e pranoi këtë lloj drejtimi, atëherë, për të çliruar jo vetëm këtë vajzë, por të gjithë ata që e kanë këtë drejtim, por e mbajnë të mbyllur brenda vetes, doli si domosdoshmëri, që të trajtohet artistikisht në dimension pozitiv dhe hyjnor kjo temë, kaq e vështirë dhe e rëndësishme njëherësh. Sepse çliron një energji që, po ta mbash të ndrydhur brenda vetes, është negative, shtyp dhe errëson mendje njerëzish. Dhe, po ta çlirosh, ka një sens pozitiv.
Sa e vështirë është të realizoni një prodhim filmik financiarisht? Si e keni “zgjidhur” këtë problem?
Këta filma janë realizuar me buxhet zero e megjithatë janë bërë me shumë përkushtim dhe dashuri për artin. Mua më financon piktura ime. Thjesht shes piktura dhe bëj filma. Arti financon artin dhe kjo më bën të jem e lumtur. Por një ditë sigurisht që do të doja të isha e financuar dhe të bëja filma ndryshe.

Pas birrave, nga një panine te Teatri i Operës
Pak muaj më parë, ju treguam se si piheshin birra të shoqëruara nga kikirikë e patatina në lozhën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Këtë herë (nuk është se ne e kërkojmë, pamjet na dalin vetë përpara), meqenëse edhe koha është e ftohtë e birrat nuk “tërhiqen” dhe aq, ishte menduar që opera Suor Angelica të shoqërohej me një panine. Sigurisht që kjo nuk ishte pamja e përgjithshme e spektatorëve, por kishte edhe kështu. Duhet theksuar që kjo fotografi nuk është shkrepur dje, kur ishte premiera, por ditën e enjte, kur provat gjenerale ishin të hapura edhe për publikun. Puçini nuk mundi ta bëjë më të shkurtër, e megjithatë stomaku do bëjë të tijën. Vlejnë për t’u përmendur edhe blicet e aparateve apo telefonave të zgjuar që nuk pushonin. “Kujdestarët” e teatrit këtë herë ishin më të kujdesshëm sesa në rastin e birrave, megjithatë dëshirat e lira vazhdonin… Ermonela, mbyll sytë!

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura