Artisti Vilson Kilica publikon 50 vite pikturë

Oct 15, 2012 | 14:54
SHPËRNDAJE
Artisti Vilson Kilica, Leningrad, 1956

Botohet albumi me veprat më të mira të piktorit.

Që nga koha e studimeve në Leningrad në vitet ’50, në vitet e diktaturës, deri më sot.

Mes tablove, penelatave, ngjyrave të ngrohta, peizazheve, pamjeve të qyteteve të largët, fshatrave të Tiranës, grumbullimeve në kohë të trazuara politike… fshihet portreti i një piktori.  Kur vjen fjala te “Piktori i Popullit” Vilson Kilica, mes kolegësh zor se sheh ato nënqeshjet dashakeqe apo ziliqare. Ndryshe siç i thonë, s’ia kemi ndier zënë e keq. Dhe dalja në treg e albumit me veprat e tij më të mira “Vilson Kilica – Një jetë në krijimtari”, pa dyshim që është pritur me kënaqësi. Tashmë, kur ka mbushur plot 80 vjeç dhe shëndeti ka filluar t’i bëjë ca “kapricio” të pakëndshme, duket se kishte ardhur koha për një vështrim pas, në gjithë ato vite krijimtari. Një punë, të cilën pasi të rikuperohet tërësisht nga ana shëndetësore, do të donte ta ndante vetë me miqtë e tij në një promovim. Edhe pse në moshën 80-vjeçare, Kilica ka vijuar të punojë intensivisht. Kompozimi i tij i fundit i kushtohej pikërisht 100-vjetorit të Pavarësisë. I kursyer në fjalë, autori ka lënë të tjerët të flasë, por më së shumti punën e tij. Kanë hedhur mendimet e tyre në këtë album, shkrimtari dhe miku i tij Ismail Kadare, ish-studenti dhe piktori Edi Hila, kolegët Nestor Jonuzi, Llambi Blindo dhe piktori francez Denis Picard. Albumi, një botim luksoz, i njeh të pasionuarit pas pikturës me krijimtarinë e Kilicës, qysh në fillimet e saj deri te punët e viteve të fundit. Thuajse të panjohura janë tablotë e realizuara gjatë viteve të studimeve në Leningrad. Përmes tablove na çon në qytetin e largët, në perëndimet e përskuqura të Leningradit (Shën Peterburgu), mes ndërtesave të larta që pasqyrohen mbi sipërfaqen e ujit dhe anijeve që duket sikur lëkunden mes dallgësh. Nuk mungojnë edhe portretet e shokëve të tij studentë, si ai i një studenti kinez… “E tërë krijimtaria e Vilson Kilicës në vitet e para fill mbas shkollës është plot ngjyrë, ajër, dritë. Ajo buronte e sinqertë, e frymëzuar nga motive të thjeshta jetësore. Tregon shumë për entuziazmin e tij krijues, ushqyer nga shembujt më të mirë të shkollës së impresionizmit botëror”, shkruan piktori dhe ish-studenti i tij Edi Hila.
Kthimi
Kthimi në Shqipëri do ta përballte me një tjetër realitet. Tashmë nuk ishte më student në qytetin e kulturës, ku shëtiste me borsalinë dhe pardesy lidhur në mes. Ishte koha e realizmit socialist. “Duke përballuar vështirësi të paimagjinueshme, Vilson Kilica duhet detyrimisht të ruante një ekuilibër midis dy kërkesave esenciale, por që binin ndesh me njëra-tjetrën: parimet e realizimit socialist, të egra, që dënonin me dhunë çdo shprehje të lirisë krijuese të artistit, pa të cilën nuk mund të kuptohet ekzistenca e artit. Në këtë kontekst, dua të tregoj për profesorin tim një moment të rëndësishëm që e vlerëson atë si njeri, pedagog dhe artist. Gjatë viteve të studimeve në Akademi jam gjykuar disa herë si student, që mbart tendenca dhe përcjell përmes detyrave të shkollës shfaqje të një arti me shije perëndimore. Por falë kurajës, vëmendjes ndaj meje, tolerancës dhe vlerësimit të tij, vit pas viti kam dalë i paprekur nga këto vërejtje për të vazhduar përsëri vitin akademik pasardhës… (Dhe kjo nuk ishte pak. Kush e ka jetuar atë kohë, i di mirë pasojat e një qëndrimi të tillë…)”, shkruan në parathënien e librit Edi Hila. Sigurisht Kilica duhet të hiqte dorë deri diku nga ëndrrat e tij krijuese, edhe pse adhuronte Modilianin e Pikason. Gjatë viteve të diktaturës do t’i duhej të pikturonte komandantë partizanë, punëtorë në kantiere, tablo nën frymën propagandistike të kohës, si “Denoncimi i traktatit të Varshavës” apo “Shpallja e republikës” (1983), e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, që ka në qendër figurën e Enver Hoxhës dhe të tjera figura të rëndësishme të kohës (Omer Nishani, Baba Faja Martaneshi, Myslym Peza, Gogo Nushi…). Nuk ishte e rastit që veprat e tij do të ishin më të kërkuarat nga institucionet e rëndësishme të kohës. Kështu, vepra “Punëtorët”, me të cilën ka fituar Çmimin e Republikës, pronë e Galerisë së Arteve, me urdhër të Mehmet Shehut është vendosur në Shkollën e Partisë. “U kthefsh me lirinë”, ndodhej në vilën e Mehmet Shehut. Ndërsa vijon të jetë edhe sot në Ministrinë e Financave tabloja “Studentët”. Ndërsa “Brigadierët” është një ndër punët-simbol të tendencave moderniste në artin shqiptar në vitet ’70. Por pavarësisht kontekstit ku u krijuan, ato ruanin individualitetin dhe vlerat artistike. “Pa dyshim që piktura e Kilicës është e ekuilibruar dhe e vërtetë në llojin e saj. Edhe në ato raste kur ruhen disa kritere të realizmit socialist, ajo pikturë kuptohet menjëherë që është bërë në Shqipëri. Nuk e përzien dot me asnjë tjetër realizëm socialist, bie fjala sovjetik, bullgar, rumun apo tjetër”, shton Hila, teksa përmend një prej punëve të Kilicës, “Denoncimi i Traktatit të Varshavës”, ku dallohen portrete marksistësh, portreti i diktatorit, nderimi grusht etj. Edhe në këtë trysni politike, Kilica e gjen hapësirën të pikturojë peizazhe me kolore të gjalla e portrete. Ndër këta të fundit spikat ai i violinistit Tedi Papavrami (1982), ish-shokut të dhomës, Kristaq Ramës dhe vazhdimisht ai i “Lenit”, bashkëshortes së tij “sybajame”, e bukur dhe melankolike. Pas viteve ’90, më në fund është i lirë të krijojë dhe të fitojë kohën e humbur. “Vilson Kilica, ky artist dhe mjeshtër i madh, përcjell me një stil të rreptë dhe me një gjuhë fine përjetimet e tij. Elegant i lindur dhe i kulturuar, me një shije të hollë estetike në vepra, ku ligjërata si artist figurativ është e plotë dhe e prerë, plot ngarkesa emocionale, duke strukturuar kështu një profil tashmë të përcaktuar dhe të spikatur qartë, model si artist dhe si njeri”, do të shprehej për të piktori Nestor Jonuzi.

Piktori
Vilson Kilica ka lindur në vitin 1932 në një familje patriotike. Gjyshi i tij, Tonç Kilica, ka qenë kryetar i Bashkisë së Fierit në vitin 1912 dhe ka ngritur flamurin e Pavarësisë në këtë qytet. Talenti i piktorit të ardhshëm do të shfaqej hershëm dhe në vitin 1949 do të niste liceun artistik “Jordan Misja”, nën drejtimin e piktorit Sadik Kaceli dhe do të përfundonte studimet me medalje ari. Në vitin 1952 do të niste studimet në akademinë e arteve “I.E Rjepin” në Leningrad, ku ka mundësinë të studiojë në atelienë me profesor B.V.Ioganson. Përveçse do të shquante ndër studentë të tjerë për kompozimet dhe vizatimet e tij, do të përfundonte studimet “Shkëlqyeshëm”. Pas diplomimit do të kthehej në Shqipëri dhe do të ishte një nga kontribuuesit kryesorë në ngritjen e Institutit të Lartë të Arteve, në mbledhjen e stafit pedagogjik dhe hartimin e programeve mësimore. Përveçse do të ishte drejtori i parë i ILA-s, sot Universiteti i Arteve, Kilica do të kishte edhe pozicione të tjera të rëndësishme drejtuese. Pavarësisht periudhës kur janë krijuar, të gjitha veprat e tij lidhen me njëra-tjetrën nga mjeshtëria e përdorimit të ngjyrës, dritës dhe energjisë pozitive. Ka hapur shumë ekspozita personale dhe në grup. Një pjesë e punëve të tij ndodhen në GKA dhe mbi 100 të tjera ndodhen në koleksione private në SHBA, Gjermani, Francë, Itali, etj.

Elegji për artin
Ismail Kadare
Pëlhurat e pambaruara, bocetet, ashtu sikurse sinopset. Thelbi i veprave që për arsye të ndryshme nuk u shkruan, dëshmojnë shpesh për artistin, po aq sa edhe veprat e kryera. Është një bocet i Vilson Kilicës që tërheq vëmendjen e veçantë në galerinë e tij: “Vdekja e piktorit”. Vëmendje e veçantë në këtë rast nuk do të thotë se ky bocet ia ndryshon natyrën veprës së tij, pikturave, e aq më pak se e sfidon atë ose e zbërthen në një dritë të re. Kjo spikamë e trishtë e një dite të zymtë e me shi, në të cilën është varrosur piktori dhe miku i tij, Jakup Keraj, është pjesë e veprës së Kilicës. Madje ndër ato që sundonin ndoshta qendrën e saj.
Jakup Keraj, ashtu si vetë Vilson Kilica, ashtu si Ksenofon Dilo, Danish Jukniu, Sali Shijaku e piktorë e artistë të tjerë, disa prej të cilëve kam pasur rastin t’i njoh e t’i kem miq, bënin pjesë në atë valë krijuesish të rinj, që u kthyen pas studimeve në Shqipëri, vendin më të ashpër të botës komuniste. Iluzionet e rreme të një zbutjeje, pas dënimeve të krimeve të Stalinit e, fill pas tyre, deziluzioni edhe më i hidhur i një zbutjeje e një europianizimi të rastësishëm të Shqipërisë pas shkëputjes nga kampi socialist, do të pahitnin në mënyrë të druajtur, por të vijueshme artin shqiptar.
Boceti “Vdekja e piktorit” do të ishte ndoshta një elegji e qetë për artin, që nuk arriti të kryhej, për mundësitë, për pengun e gjithçkaje, që nuk arriti të dilte në pëlhurë, në muzikë a në rrëfimin letrar. Ai që u quajt “art i realizmit socialist”, stinë pas stine dhe vit pas viti u përpoq të zinte e të sundonte gjithë hapësirën shqiptare. Këtë sundim e shpallte propaganda e kohës, krenohej me të, profetizonte përjetësinë e tij. Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Ashtu si gjithkund në ish-perandorinë komuniste, ashtu si në vitet e terrorit stalinist në Rusi, Hungari, Çeki e kudo, edhe në Shqipëri shteti nuk vuri dot plotësisht në gjunjë artin. Aty-këtu, midis klimës së ashpër, fare të papërshtatshme për art e aq më pak për hyjni, shfaqeshin papritur tekste letrare, pëlhura dhe muzikë, që herë haptazi, por më shumë tërthorazi, e sfidonin shterpësinë e kohës. Një brengë njerëzore, një ardhje dimri, një peizazh i pikëlluar apo portretet e gruas së dashur, ashtu si lulet e pakta, të mbira në truall të vështirë, na duken ndoshta edhe më të çmueshme sot. Ky album i Vilson Kilicës, piktorit të pajisur me finesë dhe vetëpërmbajtje dinjitoze, e dëshmon këtë.
(Marrë nga parathënia e albumit)

[portfolio_slideshow]
ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura