Artistët: Protestojmë jo më për Teatrin, por për tokën

Jun 18, 2018 | 13:31
SHPËRNDAJE

“Kjo është toka jonë, na e kanë lanë të parët tanë/ Kush mos ta preki se vdesim të tanë”. Ky ishte mesazhi që lëshoi dje aktori Vasian Lami përmes vargjeve të Pashko Vasës, në protestën e radhës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Teatri-Kombetar-600x338

Mes diskutimeve, recitimeve të poezive apo eseve të shkruara nga vetë aktorët, këta të fundit, bashkë me aktivistë dhe qytetarë të Tiranës u mblodhën sërish në mbrojtje të kauzës së tyre që është moslejimi i shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Të gjithë folësit në këtë takim u shprehën se tanimë kjo nuk është më një çështje për Teatrin, por për tokën. Ajo nuk duhet të preket. “Shyqyr që kryeqyteti nuk ishte në Berat, se do i kishim fshirë 2000 vjet histori”, ironizoi aktori Alert Çeloaliaj.

teatri

Ai edhe një herë i mëshoi qëndrimit të kësaj pakice që po i reziston presionit për shembjen e godinës së TK-së. “Thonë se ne jemi një pakicë, por kjo pakicë është e mbështetur nga shumë qytetarë të Tiranës që vijnë për ditë. Ne mund të jemi pakicë, por e themi qartë mendimin tonë: nuk duam që kjo godinë të shembet, duam të rikonstruktohet. Ndërsa ajo shumica e heshtur, kurrë nuk e ka artikuluar të shembet, sepse është një përgjegjësi e madhe ta mbajnë. Unë sfidoj të gjithë ata që janë për shembjen dhe të vijnë e ta thonë hapur këtë mendim”, tha Çeloaliaj, duke iu referuar edhe projektligjit që po gatitet, që tjetërson pronën publike në atë private.

“Nuk dua të diskutojmë për projektligjin, sepse teknikalitetet diskutohen kur pranohet një projektligj, ne nuk e pranojmë atë”, tha Çeloaliaj. Këtij mendimi i qëndroi edhe regjisori Robert Budina. “Kam kërkesë për ata që mendojnë ndryshe, a kanë mundësi të vijnë këtu dhe të artikulojnë mendimin e tyre dhe t’i flasim njëri-tjetrit. Cili është mendimi i tyre për pronën publike? A duan që ajo të shkojë në drejtim të paditur?”, tha ai, duke lexuar më tej një ese të titulluar “Ç’më panë sytë!”, për historinë e Teatrit Kombëtar, që në momentin kur u ndërtua 80 vjet më parë.

Shkruar në formën e një monologu të vetë Teatrit, që qëndron përballë godinave të rikonstruktuara, ndërsa vetë rrezikon të shembet e në vend të tij të ngrihen kulla. Pedagogu i gazetarisë Ervin Goci, duke renditur ecurinë e ngjarjeve të fundit, që nga takimi në “Plazza”, te deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në Prizren, pikërisht në Kinema “Lumbardhi”, që banorët e Prizrenit ia dinë për nder ekzistencën vetë Edi Ramës, që asokohe u shpreh kundër shembjes së Kinemasë mbi Lumbardh: me shembjen e Teatrit aktorët mbeten rrugëve, u shpreh edhe njëherë që arsyeja e protestës nuk lidhet me ndërtimin e një teatri të ri, sepse të gjithë duan një teatër modern, por është kundër manipulimit dhe tjetërsimit të pronës.

Aktorja dhe regjisorja Taulanda Jupi, duke kujtuar se Komuniteti Europian, ku ne po përpiqemi të aderojmë, e ka shpallur vitin 2018, vit të Trashëgimisë Kulturore, në Tiranë nuk gjenden para për të rikonstruktuar një teatër. Aktivisti Lavdosh Feruni e trajtoi çështjen nga pikëpamja ambientale, se sa e vështirë po bëhet jeta në Tiranë nën trysninë e kullave dhe dendësisë së banorëve. Të shumtë ishin edhe qytetarët e thjeshtë, që u shprehën kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, madje edhe të gatshëm për të kontribuar për mbledhjen e fondeve për rikonstruksionin e saj.

Stefan Çapaliku: Çështja e Teatrit, si në dramën “Arturo Ui”

stefan-capaliku

Dramaturgu dhe regjisori Stefan Çapaliku, bëri thirrje që kjo çështje të mos quhet më e Teatrit, por e tokës. Po ashtu ai u kërkoi të pranishmëve që të mos e ulin nivelin e diskutimit, duke u mbajtur fort pas parimeve. “Jam autor dramatik dhe e para gjë që më shkon në mendje kur bisedohet për Teatrin, është mënyra se si Bertold Breht nis dramën ‘Arturo Ui’. Janë disa zotërinj të “Trustit të lulelakrës” që pinë kafe për qejf të vet dhe shfaqet një burrë i panjohur, Arturo Ui, që ka ardhur nga një tjetër qytet, që u thotë që ‘ju jeni keq, keni probleme dhe keni nevojë për mbrojtje’. Ata shohin njëri-tjetrin se nuk ndihen keq, por ai ngul këmbë që janë keq, madje u prezanton edhe grupin e djelmoshave që ka pas vetes me të cilët do t’i mbrojë. Këmbëngulja e Arturo Ui-së ngjan si dy pika uji me mbrojtjen që kryetari i bashkisë ofron për Teatrin. Një ditë, aktorët ishin duke bërë punën e vet dhe ai vjen dhe thotë: ju nuk jeni mirë, se unë e di dhe do ju mbroj. Kjo është filozofia si lindin diktaturat. Diktaturat lindin kështu, nga një person që të thotë që kafeja që po pi është e ftohtë dhe unë jam njeriu adapt për ta ngrohur kafen”, u shpreh Çapaliku. Përtej metaforës, Çapaliku u shpreh se “problemi është shumë i thjeshtë. Këtu duhet thënë aleanca për tokën, jo për Teatrin, për tokën! Luftoj që këtej e mbrapa mos përdorni termin Teatër, por termin toka. Nëse ne përmendim termin toka, kemi në dorë kauzën më fatlume për të cilën ia vlen të luftosh, se toka është atdheu dhe nëse del dikush që thotë që ti nuk je mirë në atdheun tënd, është njëlloj si me thanë ti s’je mirë në tokën tënde. Loja politike bëhet parmes gjuhës, fjalës, përmes të cilave njohim dhe matim botën. Nesër-pasnesër do thonë dhe për godinën përballë: ju zoti ministër i Brendshëm nuk ndiheni mirë, keni nevojë për mbrojtje! Dhe nevoja për mbrojtje do shtrihet në të gjitha institucionet publike të këtij vendi. Ju lutem, mos e ulni nivelin e diskutimit. Kapuni pas parimeve. Parimet na bëjnë të fortë dhe kalorës të fitoreve”, tha Çapaliku.

“Të protestojmë, që të mos na trajtojnë si dele”

vasjan lami

Aktori Vasian Lami u kujtoi kolegëve se do të ndihen në turp, nesër kur t’i pyesin se ku ishin ata kur luftohej për Teatrin. “Jemi në mbrojtje të kësaj godine dhe tokës, sepse këtu kanë lindur të gjitha institucionet artistike dhe kulturore shqiptare. Kjo ka qenë shkolla e artit, e muzikës, e artit figurativ. Është një traditë që është turp ta humbasësh. Që në fillim të kësaj nisme u shpreha të ruhet dhe të rehabilitohet dhe e bëra këtë, sepse nesër do më vinte turp nga vetja kur të më pyesnin, ku ishe ti Vasjan kur flitej për Teatrin? Dhe nuk e di sa turp do t’i vijë aktorëve që nuk janë këtu. Bëj 40 vjet që kam filluar të punoj këtu. Kam pasur fatin të luaj me legjendat e Teatrit”, tha Lami. Ai u shpreh se të gjitha qeveritë janë treguar indiferentë ndaj Teatrit. “Jo vetëm kjo qeveri, por edhe ata që ishin 8 vjet, nuk ngulën asnjë gozhdë”, tha Lami, teksa shton se nuk bëhet fjalë për qëndrime politike dhe simpatizantë të majtë e të djathtë. “Indiferencë skandaloze nga të gjitha qeveritë. Duke protestuar, ne po veprojmë si qytetarë europianë. Nëse ne nuk mbrojmë interesat, do na trajtojnë si dele, si lecka për të fshirë lotët në fazë elektorale dhe kur fitojnë zgjedhjet si leckë për të fshirë këpucët. Është e papranueshme kjo arrogancë që përdor kjo qeveri, sikur të jemi miza. Sikur dikush të na fliste në rrugë si ai lart, do ta qëlloja me shpullë. Petro Marko ka thënë që të gjithë politikanët janë ish, vetëm aktorët nuk janë ish”, tha ai. Sipas tij, alibia se gjoja nuk ka para për restaurimin e Teatrit është e turpshme. Ai renditi institucionet e rikonstruktuara, muzetë e ngritur, me paratë e të cilëve, mund të ishte ndërtuar një teatër bashkëkohor. “Është proverbiale ajo që ka thënë Fuga: Kjo është mitra e artit shqiptar”, tha Lami, duke ngritur peshë të pranishmit me vargjet e Pashko Vasës, “O moj Shqypni”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura