Artistët nuk e mbrojnë dot Teatrin në tryezat e qeverisë

Jul 18, 2018 | 11:56
SHPËRNDAJE

ergys mertiriERGYS MËRTIRI

Ka një sërë artistësh që, të kompleksuar nga  abstenimi ndaj rezistencës që po bëjnë kolegët e tyre në mbrojtje të Teatrit, me apo pa dashje, bëhen instrumente të qeverisë, duke u shndërruar në një gardh mes saj dhe protestuesve. Siç pohojnë shumë prej tyre, artistët kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre mbi këtë çështje, pavarësisht nëse ai korrespondon me atë të qeverisë, pro ndërtimit të një teatri të ri. Natyrisht, ata janë të pandershëm kur e shtrojnë këtë çështje kështu.

Nuk është një temë diskutimi nëse duhet apo jo një teatër i ri. Të gjithë e pohojnë se duhet, por a duhet bërë kjo duke prishur godinën e vjetër, duke shkatërruar zonën monumentale të qendrës së Tiranës dhe duke pranuar në këmbim shkatërrimin e mjedisit urban me kulla marramendëse në zemër të kryeqytetit? Ajo që duhet të na thonë artistët që distancohen nga protesta dhe indinjohen kur u thua se i janë dorëzuar pushtetit, është nëse janë dakord që teatri i ri të ndërtohet mbi një grabitje të truallit, që, sipas agjencisë Birn, do t’i jepet kompanisë “Fusha”, pa konkurs, për një vlerë prej 480 euro metri katror?

Për sa kohë ata nuk thonë asnjë fjalë për këto, por shigjetat i ruajnë vetëm për t’ua drejtuar kolegëve të tyre që i kanë dalë për zot kësaj kauze, ne kemi të drejtë të mendojmë se ata po mbajnë anën e qeverisë kundër teatrit, gjë që nuk është aspak në dinjitetin e një artisti. Regjisori Altin Basha, një zë ndryshe mes tyre, u shpreh këto ditë se është kundër qeverisë për teatrin, por edhe kundër radikalizimit të protestës, e cila, sipas tij, është jokonstruktive dhe dëmton dialogun.

Në fakt, në intervistën e tij për “News 24”, Basha i shpenzon 29 nga 30 minutat në dispozicion për të atakuar kolegët e tij protestues, e fare pak u mor me qëndrimin e tij ndaj projektit të qeverisë. Sado që i justifikuar me faktin se ia kanë keqinterpretuar veprimet, fakti që, pas disa javësh, ky debat rikthehet në vëmendje, menjëherë pas një marshimi mjaft shpresëdhënës të protestuesve në bulevard, tregon se reagimi i tij, me apo pa vetëdije, po përdoret për të zbehur suksesin e protestës.

Z. Basha u shpreh se godina e vjetër ka vlera historike, por duke qenë se arkitektët (që në fakt, janë të instrumentalizuar nga Rama) thonë se themelet nuk mbajnë, ajo edhe mund të shembet, për të ndërtuar një teatër të ri, por pa PPP, pa kulla, me konkurs dhe jo me ligje që kalojnë me procedurë të përshpejtuar.

Megjithatë, të gjitha këto, nuk e indinjojnë z. Basha më shumë se fakti që protestuesit qëndrojnë kokëfortë dhe nuk pranojnë negociata me qeverinë, e cila nuk pranon kurrsesi të heqë dorë nga ky plan. Ai e akuzon protestën se ka rrëshqitur në qëndrime radikale, që janë jokonstruktive dhe kundër dialogut, gjë që, sipas tij, po e dëmton kauzën. Pyetja shtrohet, për çfarë dialogu bëhet fjalë kur qeveria nuk pranon në asnjë rast të negociojë shembjen e teatrit dhe ndërtimin e kullave, ndërsa protestuesit, nga ana tjetër, po rezistojnë pikërisht pse nuk duan të prishet godina historike dhe nuk duan të ndërtohen kulla në këmbim?

Pra, teatri ose prishet, ose nuk prishet dhe kullat ose ndërtohen, ose nuk ndërtohen. Rrugë të ndërmjetme nuk ka. Të negociosh do të thotë të pranosh lëshime të dyanshme. Cilat lëshime mund të bëhen në këto kushte? Të prishësh gjysmën e teatrit dhe të tolerosh ndërtimin e gjysmës së kullave? Problemi themelor me regjisorin Basha është koncepti i tij mbi të qenit konstruktiv. Konstruktiviteti nuk ka kuptim kur i ofrohet dikujt që po bën një zullum. Të jesh konstruktiv në këto kushte, do të thotë të legjitimosh korrupsionin, për të cilin po bëhet ky projekt.

Të jesh konstruktiv këtu, do të thotë të gjesh një gjuhë të ndërmjetme midis grabitësit dhe të grabiturit, duke e njohur kështu grabitjen si një akt legjitim. Pra, ti duhet të ulesh në tavolinën e grabitësit dhe të negociosh sesi do të ndahet prona e grabitur, me shpresën se do të mund të shpëtosh një pjesë të saj.

Kjo mund të jetë në natyrën e politikës, por jo në atë të artistëve dhe qytetarëve dhe mbi të gjitha. Një fitore përgjysmë nuk na hyn aspak në punë. Por, përveç kësaj, ajo çfarë është edhe më e rëndësishme është fakti që gjithmonë në bisedime të tilla fiton qeveria. Nëse ka diçka që e ka mbrojtur deri tani këtë kauzë, është pikërisht protesta. Nëse qeveria e ka shtyrë për gjashtë muaj realizimin e këtij projekti, kjo ka ardhur pikërisht për shkak të presionit që ajo ka ushtruar.

Protesta është në vetvete një akt radikal, por është legjitime dhe madje e vetmja që ka efekt në kushtet kur pushteti abuzon dhe imponohet pa i përfillur qytetarët, gjë që është gjithashtu një akt radikal, sigurisht në kahun e gabuar. Po të ishte për konstruktivizmin e Altin Bashes, tashmë teatri do ishte shembur me kohë dhe ne do ishim duke parë katet e para të grataçelave të shtrijnë hijen mbi truallin e teatrit. E vërteta është gjithashtu se kjo protestë do të kishte triumfuar përfundimisht me kohë nëse të gjithë artistët do të ishin bërë bashkë për të mos e lejuar këtë barbari.

Pra, qeverinë e ka penguar deri tani protesta e artistëve, por e ka mbajtur në lojë heshtja dhe mbështetja e disa të tjerëve. Duhet të kuptojmë se qeveria nuk merr vesh me bisedime, për sa kohë nuk ka aspak vullnetin të konsiderojë kërkesat e qytetarëve, përballë interesave financiare, me të cilat është në ortakëri. Dialogu nuk mund të jetë një instrument që arrin të ndërgjegjësojë pushtetin.

Përkundrazi, ai është një instrument i qeverisë për të shuar zjarrin e revoltës dhe për t’i konvertuar protestuesit në kalkulues vlerash të trafikuara mes palëve, në tryezën e pokerit të pushtetit. I vetmi zë që ajo dëgjon është zëri i protestës dhe reagimit qytetar kur ai arrin të bëhet kërcënues për imazhin e saj publik. Pra, protesta mbetet i vetmi mjet që bën punë në këto raste dhe çdo angazhim që kërkon diskutime lëshimesh të dyanshme, është dobësim i të vetmit instrument që kemi për ta detyruar qeverinë të dëgjojë.

E vetmja mënyrë për të penguar shembjen e teatrit është solidariteti qytetar kundër këtij akti kriminal. Për këtë arsye, artistët duhet t’i kthehen protestës nëse e duan teatrin. Nëse nuk e bëjnë këtë, thjesht njollosin emrin e tyre, duke kompromentuar karrierën e tyre në dyert e pushtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura