“Artistët do të ndihmojnë, shpirtin e kemi të madh” – këngëtarët e njohur ndërmarrin nismë: Në ndihmë të familjeve Lala, Cara dhe Abazi

Dec 6, 2019 | 18:25
SHPËRNDAJE

Në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit kanë ardhur edhe artistët. Këngëtari i njohur i muzikës shqiptare, Arif Vladi i ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24 zbuloi nismën e tyre.

artiste

Artistët me famë në Shqipëri dhe Kosovë kanë vendosur të bashkojnë zërat në një koncert bamirësie, ku shuma që do të mblidhet do të shkojë për tri familjet e prekura më së shumti nga tërmeti, familja Lala në Durrës dhe familja Cara në Thumanë, si dhe për dy vëllezërit Abazi nga Gjilani i Kosovës.

Vladi tha se artistët jetojnë me pak dhe nuk mund të mbledhin fonde të mëdha monetare, por ama e kanë shpirtin e madh.

“Kemi dëme, fatkeqësi, viktima, por ne duhet ta mbledhim veten. T’iu japim njerëzve mesazhin që ne do t’i kujtojmë dhe do të nxjerrim mësime për solidaritet. Paralelisht të ndihmojmë në këtë fatkeqësi.

Diskutuam me Mondin e Kastriotin thirrëm këngëtarët elitë të këngës shqiptare, folëm me Shkurte Fejzën, Leonora Jakupin, Manjola Nallbanin, etj dhe të gjithë ishim të mendimit se duhet të bënim diçka. Vendosëm të bashkojmë zërat tanë për të ndihmuar në mënyrë humane.

Ne nuk mund të përballojmë financat, por u përqendruam te dy familjet që patën më shumë fatkeqësi, familja Lala dhe familja Cara, si dhe dy vëllezërit kosovarë.

Ai kontribut që do të mblidhet, sado të jetë do ua kthejmë atyre në mënyrë monetare. Ne nuk premtojmë të bëjmë shtëpi, por do t’i kthejmë ato para për këto familjarë. Pavarësisht nga kontributet, ne e kemi bërë koncertin, hyrja do të jetë falas, shqiptarët janë sederli dhe e dinë si të veprojnë në raste të tilla. Artisti do të ndihmojë, por ne jetojmë më pak për fonde të mëdha monetare, por shpirtin e kemi të madh”, deklaroi Arif Vladi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura