Artistët denoncojnë peticionin fals kundër martesave gay: “Nuk jemi homofobë”

May 25, 2014 | 9:20
SHPËRNDAJE

Kjo javë ka qenë një përplasje mediatike mes 55 intelektualëve, emrat e të cilëve ishin përfshirë në një peticion kundër martesave gay dhe mbrojtësve të të drejtave të LGBT-ve në Shqipëri. Në listën me 55 emrat me influencë në publik nga Kosova e Shqipëria, përveç intelektualëve të një moshë mesatare mbi 50 vjeç, ra në sy dhe prezenca e disa artistëve të brezit të ri, të cilët janë etiketuar si homofobë e mendje
mbyllur, përderisa në këtë shekull që po jetojmë ata shprehen kundër të drejtave të homoseksualëve për të lidhur martesë si gjithë njerëzit e tjerë. Por, pas komenteve të shumta dhe ironive në rrjetet sociale nga përfaqësues të LGBT-ve mbi termin “intelektual”, që i përfaqësonte të gjithë personat e bashkuar në peticion, disa artistë kanë denoncuar falsitetin e këtij peticioni në lidhje me objektin e qartë kundër martesave gay. Shumë prej tyre kanë deklaruar se nga organizatorët u është kërkuar të bashkohen në këtë nismë nëpërmjet telefonatave, ndërsa të tjerë e kanë parë emrin thjesht në gazetë, pasi nuk kanë qenë aspak në dijeni. Aktori Julian Deda ka pohuar se peticioni thekson faktin e ngritjes së një kauze, që mbron familjen e shëndetshme ndaj çdo rreziku social, por në asnjë moment nuk është specifikuar diçka e tillë kundër komunitetit “gay”, pasi unë s’kam asgjë kundër tyre. Po ashtu, këngëtarja Jonida Maliqi ka pohuar se “nuk kam firmosur asnjë lloj peticioni, i cili është mediatizuar si i vërtetë, ndërkohë që firmat tona ju siguroj që janë inekzistente”.     
 
 Albano Bogdo: Më keqinformuan, se nuk do ta bëja, më pëlqejnë lesbiket
Edhe aktori i spektaklit “Apartamenti 2 Xl” në “Vizion Plus”, Albano Bogdo, është shprehur se nuk ka qenë i informuar në detaje për objektin e këtij peticioni dhe se përfshirja e tij në listën e 55 intelektualëve është bërë nëpërmjet një telefonate që ai ka marrë nga organizatorët, dhe se ai nuk ka hedhur asnjë firmë diku. Albano ka preferuar të denoncojë këtë keqkuptim, që i ka ndodhur me komunitetin LGBT me anë të kësaj deklarate: “Nuk kam pasur informacion të detajuar për natyrën e peticionit kundër martesave gay. M’u tha vetëm që intelektualët dhe artistët po mblidhen në një peticion “PRO FAMILJES”, por në asnjë moment nuk më është përmendur fakti që peticioni është kundër lëvizjes “LGBT”, kundër të drejtave të komunitetit gay, apo kundër çfarëdolloj të drejte në përgjithësi. Unë kam firmosur një peticion me mendimin se familja është e shenjtë dhe e shtrenjtë, por asnjë moment nuk kam qenë i informuar se përfshiheshin edhe palë të tjera, të cilat unë mund t’i kem fyer ose diskriminuar me anë të firmosjes së peticionit, të cilin as nuk e kam firmosur, por thjesht kam thënë një “ok” në telefon. Unë nuk jam homofob, jam shumë mendjehapur dhe mendoj që të gjithë njerëzit mund të jetojnë si të duan, ose si ta mendojnë se është e përshtatshme për ta. Nuk kam asgjë kundër ‘gay’-ve në fund të fundit edhe lesbiket janë ‘gay’, dhe mua më pëlqejnë shumë lesbiket. Dua të kërkoj ndjesë nëse dikush është ndier i diskriminuar nga përfshirja e emrit tim në atë listë, por e ritheksoj që kam qenë i keqinformuar”, shkruan Albano.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura