Artistët apel Qeverisë para se të ngujohen në Teatër: Tërhiqu, ose…

Jun 12, 2018 | 9:13
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ E premtja është afati i fundit për qeverinë që të tërhiqet, në të kundërt artistët nuk do të dalin më nga ambientet e Teatrit Kombëtar. Të nxitur nga nisma më e fundit e qeverisë “Rama” për të miratuar një projektligj që ligjëron shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ia dorëzon tokën e tij privatit, artistë e qytetarë u mblodhën sërish mbrëmë për të protestuar kundër këtij akti të paprecedentë.

ndrenika

Ata premtuan se rezistenca e tyre do të jetë e pandalshme dhe nuk do të lejojnë shkatërrimin e një tjetër prone kombëtare. Regjisori Robert Budina i bëri me dije të pranishmit se: “nëse deri të premten në orën 19 nuk do të tërhiqen, nuk do shkulemi më nga Teatri, do rrimë gjithmonë këtu, do rrimë me turne. Jo për Teatrin, por për pronën publike. Të japim një shembull që ne nuk do të mbyllim gojën kur veprohet në mënyrë arbitrare. Të mos lëmë të na vijnë në krye Erdoganër dhe Putin”.

Ai njoftoi se ditën e premte do të zhvillohet një tubim madhështor, për t’i kërkuar qeverisë të tërhiqet nga projektligji që shkatërron Teatrin Kombëtar. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe politikanëve të majtë e të djathtë, t’i bashkohen kësaj nisme.

Idesë për të “pushtuar” Teatrin Kombëtar iu bashkua edhe Sindikata e Përgjithshme e Artistëve.

Kryetari i saj, Reshat Ibrahimi, u shpreh se “jemi solidarë me propozimin. Do ta bëjmë me radhë ta gdhijmë dhe Rama të kalojë mbi trupat tanë. Çështja e Teatrit Kombëtar është kauzë e shenjtë. Nuk ka më kthim mbrapa. U bëj thirrje të gjitha artistëve të bashkohen sepse është moment historik. Duhet mbrojtur me trupat tanë”. Regjisori Kastriot Çipi u shpreh: “Teatri është një e mirë publike që nuk i takon asnjë ministri, asnjë kryetari bashkie, asnjë drejtori, por qytetarëve. Qytetarët duhet ta marrin nëse shteti nuk do ta mbajë. Nëse shteti ka ndër mend ta prishë këtë teatër, atëherë duhet të jemi ne të gjithë bashkë që duhet ta pushtojmë dhe të themi jo, sepse është e mira jonë dhe nuk do ta lëshojmë. Nëse shteti nuk e do, do ta administrojmë ne vetë, por do ta pushtojmë më përpara”.

THIRRJA SI ROBERT DE NIRO

Aktori Alfred Trebicka nuk u ndal gjatë në fjalën e tij. Ai iu referua shembullit të një prej aktorëve më të mëdhenj të kinematografisë botërore. “Nuk ka vend për të diskutuar më gjatë. Diktaturat moderne, diktaturat ‘e sofistikuara’ kanë shembuj jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë, po ka dhe shembuj kundërreagime, si ai kur Robert De Niro i tha ‘Fuck You!’, Trumpit dhe ne do të themi ‘Fuck YOU’!”, tha Trebicka.

Aktori Alert Çeloaliaj, kryetar i SASE, duke përmendur arrogancën e kartonëve të shumicës, e cila mund ta miratojë projektligjin në fjalë, si dhe mungesën e një përgjigjeje nga ana e Ministrisë së Kulturës për propozimin e shoqëruar me mbi 800 firma, për ta kthyer godinën e Teatrit Kombëtar në monument kulture, u shpreh se e vetmja zgjidhje është qëndresa.

“Të mos e lëmë vetëm teatrin. Të gjithë të jemi këtu”, tha Çeloaliaj. Të pranishëm në takimin e djeshëm ishin edhe avokatët e aktivistët Adriatik Lapaj dhe Enida Bozheku, që sqaruan se sa antikushtetues është projektligji i propozuar për miratim. Në fund, u njoftua edhe njëherë tubimi i së premtes, që me shumë gjasë do të përfundojë me “ngujimin” e artistëve rezistues në Teatrin Kombëtar.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura