Arti në komunizëm dhe një mesazh i gabuar për Biennalen

May 25, 2021 | 9:31
SHPËRNDAJE

jonila godole foto new

JONILA GODOLE

Shqipëria po prezantohet në Biennalen e sivjetshme me konceptin e fqinjësisë së mirë gjatë komunizmit përkundër tëhuajtjes së sotme.

Deri 20 vjet më parë, shprehen autorët e projektit, fqinjët ishin gati më të rëndësishëm sesa familja, dhe këtë e ilustrojnë me skena të filmit “Në shtëpinë tonë”, prodhim i ish-Kinostudios së vitit 1979.

Sepse siç janë shprehur ata në media të ndryshme, filmat e asaj kohe “na tregojnë më së miri jetesën në komunitet gjatë komunizmit”.

Në emër të një organizate që angazhohet për ndërgjegjësimin e rinisë dhe të shoqërisë shqiptare mbi krimet dhe pasojat e komunizmit, shprehim shqetësimin tonë mbi frymën e projektit të paraqitur, i cili duket sikur evokon nostalgjinë për regjimin, në vend të reflektimit kritik mbi të.

Gjithashtu, ne gjejmë të pavend cilësimin e një prej diktaturave më të egra dhe një prej shoqërive më të izoluara ndër vendet komuniste si model bashkëjetese paqësore siç kërkojnë ta shfaqin autorët. Natyrisht, nuk mungonte fqinjësia e mirë as dje dhe as sot, por të analizosh dallimet mes kohërave lypset thellim në rrafsh sociologjik, antropologjik, historik etj.

Por një gjë është e sigurt, që skenat idilike të një filmi propagandistik nuk rrëfejnë dot kurrsesi atë realitet të hidhur gjatë diktaturës, ku edhe muret kishin veshë, ku fqinji të denonconte, ku këshilli i lagjes të demaskonte dhe të priste “biletën” për burg a internim, dhe ku “patronazhistët” e caktuar nga Sigurimi apo partia vigjilonin edhe brenda anëtarëve të familjes.

Në respekt të qindra mijëra shqiptarëve të përndjekur, të spiunuar, të burgosur e të vrarë në vitet 1944-1990, projekti “In our home” që mbështetet nga Ministria e Kulturës do duhej të shoqërohej me një reflektim kritik mbi kontekstin dhe referencat e asaj kohe. Përndryshe, çdo qasje tjetër i ofron publikut ndërkombëtar, i cili e njeh pak ose aspak egërsinë e diktaturës shqiptare, një mesazh të gabuar, përveçse sipërfaqësor.

Për analogji, do të ishte e paimagjinueshme që të ashtuquajturit “filma kulturorë” (Kulturfilm) të propagandës naziste gjatë viteve 1930, si “Der Kampf um den Himalaya” (Beteja për Himalajën), “Der Berg des Schicksals” (Mali i fatit), “Olympia” etj., të përdoreshin sot si referencë për të treguar epërsinë fizike të gjermanëve!!

Fakti që autorët e këtij projekti mund të kenë lindur pas vitit 1990 dhe nuk e kanë përjetuar atë kohë, nuk e justifikon mungesën e njohurive mbi komunizmin dhe të reflektimit të tyre mbi rolin thelbësor që arti dhe filmi, ndër të tjera, luajnë si agjitatorë dhe propagandues në një regjim diktatorial.

Susan Sonntag vërtet shprehet se “qëllimi i artit nuk është të na ndihmojë që të gjejmë të vërtetën…”, por ambicia artistike në filmat e ish-Kinostudios synonte në mënyrë sistematike tjetërsimin me dashje të përmbajtjes së fakteve objektive, duke gjetur mënyra adekuate prezantimi të një realiteti gjoja autentik.

Ky keqinformim i qëllimshëm ka ndikuar në botëkuptimin e brezave të rinj gjatë komunizmit, dhe siç konfirmon qartë rasti i autorëve të këtij projekti, vazhdon të ndikojë edhe pas viteve 1990.

Në Shqipëri, institucione të shumta që angazhohen në fushën e kujtesës dhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë e kanë kritikuar me forcë shfaqjen e përditshme të këtyre filmave, shpesh shumë denigrues për një pjesë të madhe të popullsisë, në ekranet televizive, përfshirë edhe atë publik.

Ato kanë ofruar modele teorike dhe praktike sesi mund të transmetohet kjo prodhimtari e ish-Kinostudios në përputhje me praktikat e vendeve të tjera (shih ndër të tjera botimin e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë “Debati mbi filmat e ish-Kinostudio, propagandë apo pasuri kombëtare?!”).

Fatkeqësisht, asnjë hap nuk është ndërmarrë deri më tani nga Parlamenti shqiptar, nga Autoriteti Audioviziv, nga televizionet private dhe RTSH, si dhe nga Ministria e Kulturës për ta adresuar këtë problem siç duhet.

Duke përshëndetur mbështetjen financiare dhe logjistike që Ministria e Kulturës i jep përfaqësimit të Shqipërisë në aktivitete të tilla prestigjioze ndërkombëtare, kërkojmë që projekti “In our home” të pajiset me shpjegime adekuate mbi kontekstin e jetës në diktaturë, në mënyrë që historia tragjike e qindra mijëra shqiptarëve të mos tjetërsohet, si dje ashtu edhe sot, nga propaganda e regjimit komunist.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura