Arti dhe kultura pengu i radhës i vendimmarjes politike

Feb 9, 2021 | 21:46
SHPËRNDAJE

Prof.asc. Taulanda Jupitaulanda Jupi

Mënyra si i konceptojmë, si  përvetësojmë, promovojmë dhe  investojmë në art, kulturë apo trashëgiminë e kulturës dhe të mendimit,  tregon shkallën e civilizimit së cilës i përkasim  si individ, si shoqëri dhe si komb.

Vendimmarrja politike në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore gjatë 8 viteve të fundit, nuk reflektoi dhe nuk u mbështet asnjëherë mbi premtimet elektorale të bëra nga Partia Socialiste dhe Edi Rama në dy programet parazgjedhore prezantuar respektivisht në vitin 2013 dhe në vitin 2017.

Kjo qeveri dhe ky kryeministër dështuan në mbajtjen e premtimeve për  rishikimin dhe hartimin në Standardet Europiane të paketës ligjore që përfshin :Ligjin për Krijimtarinë,  Ligjin për Sponsorizimet dhe Nxitësit Fiskalë, Statuset Specifike (për secilin institucion të krijimtarisë),  Kontratën Kolektive, Kontratën Individuale, etj. Në dy mandate qeverisës, kjo qeveri nuk arriti të miratojë asnjë paketë ligjore që mbron dhe standartizon të drejtat e individit krijues, asnjë ligj për krijimtarinë, nxitësit fiskalë apo hallka të tjera që do të  çlironin këtë sektor nga centralizimi, për të dhënë mundësi punësimi  për artistët, krijuesit dhe punonjësit e tjerë në fushat e artit dhe krijimtarisë, për të nxitur një treg konkurues, të drejtë ku produkti kulturor dhe kreativ të vlerësohet  mbi cilësinë.

Përkundrazi, si rezultat ndryshimeve në politikën fiskale prej më shumë se  shtatë vitesh çdo krijues, shkrimtar, përkthyes, artist i arteve pamore apo skenike, çdo punonjës i lirë në fushën e artit paguan tatimin në burim mbi të ardhurat në masën 15%, shumë e cila peshon rëndë në fondet dhe buxhetet e siguruara me shumë vështirësi. Përmendim këtu se të gjithë këta artistë, krijues apo punonjës në industrinë kreative që paguajnë taksa e detyrime për çdo fond që arrijnë të sigurojnë, në këtë periudhë të vështirë, të detyruar të mos punojnë për shkak të pandemisë COVID-19, nuk kanë marrë deri tani asnjë ndihmë, asnjë lehtësi fiskale apo mbështetje finaciare nga qeveria.

Vendimmarrja e centralizuar dhe vertikale, në mungesë totale të reformave, rigjenerimit, apo ristrukturimit i ka bërë  sot institucionet publike të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore më të varuara ndaj politikës dhe më hermetike ndaj individit krijues apo punonjësve të tjerë në fushën e artit e kulturës dhe si rrjedhojë, më pak efikase. Referuar të dhënave gjatë shtatë viteve e fundit 2013-2020 buxheti për Ministrinë e Kulturës ka qenë pothuaj i pandryshueshëm duke zënë një mesatare konstante 0.68 ~ 0,7% të buxhetit të shtetit  duke u radhitur e fundit për nga vlera e buxhetit e saj në krahasim me ministritë e linjës. Ministria e Kulturës në varësi të saj ka 28 institucione të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, të cilat përdorin 50% të buxhetit të kësaj ministrie kryesisht për rroga dhe sigurime shoqërore. Këto institucione nuk u kthyen kurrë në një realitet që gjenerojnë impaktin e duhur  në zhvillimin e artit dhe kulturës apo ruajtjes dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe pasurisë së mendimit shqip.

Vendimmarrja politike nuk pati si parakusht premtimet dhe projektet për zhvillim të qëndrueshëm në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, por axhenda personale në themel të së cilave qëndrojnë skema klienteliste. Si rezultat i kësaj vendimmarrje sot kemi dëme të pakthyeshme në objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Megjithëse në të dy programet edhe në vitin 2013 edhe në vitin 2017 ishte premtuar: “Rikonstruktim tërësor i Teatrit Kombëtar sipas standardeve europiane”; kjo ndërtesë u shemb përmes dhunës, terrorit dhe paligjshmërisë duke shpërfillur organizata prestigjioze që mbrojnë dhe vlerësojnë trashëgiminë kulturore si Europa Nostra dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët vazhdimisht ngulën këmbë për dialog dhe zgjidhje institucionale.

Për fat të keq Ministria e Kulturës edhe në “Strategjinë për Artin dhe Kulturën 2019-2025” pas më shumë se shtatë vite të qeverisjes së Partisë Socialiste, riciklon të njëjtat sfida dhe prioritete, të njëjtat qëllime dhe objektiva, pothuaj të njëjtat reforma që duhet të kryhen në këtë sektor.

Mungesa e vizionit, mungesa vullnetit për të reflektuar mbi çfarë është bërë gabim, analizat dhe arsyet, tregon paaftësinë, papërgjegjshmërinë por mbi të gjitha dështimin e plotë për të kryer reforma të vlefshme në kulturë, art dhe trashëgimi si një prioritet për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar përballë një diversiteti kulturor global që gjallon e zhvillohet  me shpejtësi, por edhe  si një parakusht për një realitet social më tolerant e më gjithpërfshirës, për të cilin sot kanë aq shumë nevojë shqiptarët.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura