Artan Imami zbulon “mashtrimet”: Përse nuk e luajta vetë rolin e dashnorit

Nov 22, 2017 | 14:32
SHPËRNDAJE

Nuk është se Artan Imami nuk kishte besim te vetja apo partneri i tij në lojë, që nuk i bëri shfaqjes promovim përpara se të ngjitej në skenë.

imami

Nuk bëri asnjë konferencë për shtyp, por pasi ajo u shfaq dhe pa reagimin e publikut, vendosi të tregojë “të vërtetat” e veta që fshiheshin pas një “mashtrimi”. Pikërisht kështu, “Mashtrimi”, titullohet vepra që po shfaqet në Teatrin Kombëtar, me regji të Artan Imamit, ku ai luan një nga dy rolet kryesore, së bashku me aktorin Indrit Çobani, në një skenografi të realizuar nga Genc Shkodrani.

Nga loja në skenë, është e kuptueshme se Imami ka jetuar gjatë me këtë vepër, me rolin e shkrimtarit Andrew Wyke, por jo vetëm të tij, sepse siç do të tregojë edhe vetë, gjithnjë kishte dashur të luante rolin e Milo Tindle, djalit të ri, dashnorit të Wyke, por koha bën të vetën dhe ai duhet t’ia lërë vendin një aktori më të përshtatshëm për këtë rol. Kur e pyet se çfarë pa te “Mashtrimi”, ai përmend pa dyshim suksesin që kjo vepër ka pasur në botë, jetën që ka pasur në Londër, pastaj në Broadway, ku është shfaqur më shumë se 1400 herë, aktorët e mëdhenj që e kanë luajtur në film, si Lorenc Olivier, Michel Cane, Jude Law, etj.

imami1

Por, më së shumti është ngacmimi që provokon kjo vepër që ngrihet mbi konceptin e lojës. “Është një vepër që ka ngacmuar imagjinatën dhe fantazinë e regjisorëve për ato tema që kanë ngacmuar imagjinatën dhe jetën e njeriut në përgjithësi, siç janë dashuria, vdekja, hakmarrja, lufta për pushtet, konfliktet seksuale, racore, klasore…

Duket sikur janë shumë që t’i përmbajë të gjitha një vepër, por gjenialiteti i Anthony Shaffer qëndron pikërisht që t’i thotë të gjitha. Është e jashtëzakonshme, sepse spektatori nuk është vetëm në rolin e shikuesit dhe të gjykuesit, por merr pjesë aktive, sepse e gjithë kjo komedi thriller është ngritur mbi një intrigë. Publiku është i ftuar të marrë pjesë dhe të kuptojë çfarë është e vërtetë apo jo, kush po mashtron kë”, thotë Imami.

Dhe ai është i vetëdijshëm se përveç një teksti të shkëlqyer, është pa dyshim loja e aktorëve që i bën për vete shikuesit. Është një vepër që aktorin e nxjerr zbuluar nëse nuk është i sinqertë me rolin që luan, por ama është tepër sugjestionuese dhe është e ndërtuar në mënyrë të tillë, që ta përfshijë shikuesin në një lojë.

imami2

“Është një vepër që ngrihet mbi manipulimin e publikut, por edhe thënien e ca të vërtetave që janë esenciale dhe që e ndjekin spektatorin edhe pasi del nga salla”. Pjesë e manipulimit është edhe skenografia e Shkodranit, mbushur me metafora e alegori, një skenë e mbushur me simbole, që të shtyn drejt një loje.

“Është një shfaqje shumë e veçantë dhe skenografia në të duhet të ishte një skenë e lojës që ata luajnë me njëri-tjetrin. Kam futur disa elementë, që krijon gjithë ambientin e lojës së tyre. Përveç atmosferës së shtëpisë, ku ai jeton, ka gjithmonë një gjë që zbulohet”, thotë Shkodrani. Por manipulim është emri i aktores Carolyn Murphy, e cila është edhe nuk është në skenë. Kur e pyet se përse atë, Imami, ashtu si edhe në çdo përgjigje ku fut një batutë, pak ironi, një shaka, thotë se thjesht: “Sepse i pëlqen!”. Por elementi femëror nuk është i rastësishëm. Imami e ka një qëllim…

REGJISOR E SHQIPËRUES

“Mashtrimi” është hera e dytë që e ngjit në skenë Imamin, edhe si regjisor, por jo vetëm. Ai ka meritën e shqipërimit të tekstit, i cili vjen tërësisht natyrshëm te publiku, me batuta të pasforcuara, duke e bërë publikun edhe të qeshë, pa rënë në banalitet. E kështu me “mashtrimin” kishte marrë përsipër një peshë të trefishë.

“Unë nuk jam regjisor, kam vetëm një kulturë të përgjithshme, pas një përvoje të gjatë në teatër, për të vënë një pjesë, për ta treguar historinë në mënyrë korrekte, duke mos ndjekur shembullin e disa regjisorëve që për t’u bërë të dallueshëm nga të tjerët e transformojnë, e tradhtojnë autorin në një mënyrë të shëmtuar. Pata fatin që në regjinë e dytë pas “Don Zhuanit”, të vë një vepër që çuditërisht njerëzit e tjerë të teatrit nuk e kishin vënë në skenë. Është një vepër që e kam menduar ta vë në skenë prej shumë, shumë vitesh dhe në fakt doja të luaja rolin e dashnorit, por vitet kaluan dhe mjekra ime nga e zezë u bë e bardhë, por pastaj erdhi Indriti, që më tha: ky rol është i imi dhe unë rashë dakord. Kam pasur edhe ndihmën e kolegëve si një sy i tretë për të na kontrolluar, por unë si një shqipërues dhe përshtatës i veprës edhe nga një rishkrim që i ka bërë Harold Pinter, pra me pak fjalë, i kam bërë të gjitha…”.

PARTNERI

E nëse vetë nuk e luante dot rolin e dashnorit, duhet të gjente dikë që t’i përshtatej imagjinatës së autorit dhe të tijës, që të ishte një Milo Tindle sa më i besueshëm. Dhe u ndal tek Indrit Çobani.

“Indriti është një nga aktorët që është pjekur tashmë për të luajtur një rol të këtyre përmasave. Zakonisht luaj me aktorë që janë më të mirë se unë, në rastin konkret ai është po aq i mirë se unë. Jam shumë i kënaqur që luaj me të dhe nuk është thjesht një pjesë e zakonshme që ne e vëmë në skenë, por për mua është një ngjarje në karrierën time”, tha Imami.

Sa për Çobanin, ai nuk e veçon rolin e Tindle nga të tjerët për nga vështirësia, edhe pse në sy të spektatorit ai vjen jo pak i komplikuar. “Puna me rolin është po ajo, ndryshojnë vetëm specifikat, të dhënat, rrethanat. Kur raportohem me rolin, kam një marrëdhënie të veçantë me personazhin, lidhem me të, jetoj për një kohë të gjatë, jo vetëm kur punoj, por edhe kur nuk jam në teatër. Një raport që e ruaj si një gjë shumë të çmuar. Por ai nuk ndërhyn në jetën time dhe unë në jetën e tij, por përpiqem që historinë që ai ka për të treguar përmes meje ta tregoj në mënyrë sa më origjinale, siç di unë ta tregoj apo si mendoj që është ajo; të tregoj ëndrrat e tij, dashuritë, urrejtjet, frikërat, si unë mendoj. Bisedoj me të edhe kur nuk jam në skenë”, thotë Çobani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura