Artan Imami me rolin e jetës, një “mashtrim” ku ia vlen të biesh

Nov 20, 2017 | 11:37
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/Kush mund ta dijë se ajo që po jeton nuk është pjellë e mendjes sonë të sëmurë apo e një tjetër mendjeje edhe më të së- murë e djallëzore?!

Kush të thotë se një shtrëngim duarsh është një premtim, se nuk je futur në një lojë matrioshkash, që s’po jeton veçse një mashtrim të madh?! Epo, ndoshta asnjëherë nuk mund ta dimë dhe mund të ikim nga kjo botë me dilemën nëse u gënjyem… Me shfaqjen “Mashtrimi”, Artan Imami na thotë pikërisht këtë. Në Teatrin Kombëtar po shfaqet një nga veprat më të suksesshme të dramaturgut Anthony Shaffer, fitues çmimesh teatrore, tri herë i adaptuar si film dhe kandidat për “Oscar”. Përveçse një vepër që ka njohur shumë sukses kudo që është shfaqur, ajo çka e bënte (e bën) edhe më joshëse këtë vepër e që të nxit ta shohësh, është fakti që regjisor i kësaj vepre është pikërisht Artan Imami, që këtë herë e shohim në një rol të dyfishtë. Ai sprovon me regjinë dhe po ashtu “i ka besuar vetes” rolin kryesor, ose më saktë, një nga dy personazhet e veprës. Dhe kur sheh veprën, është e kuptueshme arsyeja pse. Me shumë gjasë, Imami e ka ëndërruar prej kohësh rolin e Adrew Wyke. Dhe me sa duket, tani ishte momenti dhe ai e ndiente veten tërësisht të gatshëm të vihej në rolin e një shkrimtari të suksesshëm librash thriller, pasunar, por i vrarë në sedër për shkak të tradhtisë së të shoqes, me një ekstrakomunitar, me një djalosh me origjinë italiane, që e kishte ndërruar mbiemrin nga Tindolini në Tindle.

23622057_10154833507112121_1743117131880367352_n

“Mashtrimi” (“Sleuth”), një projekt privat, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, është një dramë psikologjike, një duel i mendjes, një labirint, prej të cilit mund të dalësh vetëm tragjikisht. Vrasja/vetëvrasja është e vetmja dalje e sigurt. Një dramë që të mban pezull dhe peng deri në fund, plot të papritura që të shtangin, që përfshijnë publikun, i cili nuk ka se si të mos hamendësojë për vijimin e ngjarjes, teksa ndjek lojën e aktorëve. Përgë- zime i shkojnë shqipëruesit të veprës, që e solli atë aq shqip te spektatori. Roli i Andrew Wyke mund të quhet edhe roli i jetës së Artan Imamit, ndonëse nuk dimë se me çfarë mund të na surprizojë më pas. Ai është i përfshirë i gjithi në rol dhe ndihet mirë në të, edhe pse Wyke është një karakter kompleks dhe aspak e lehtë për ta realizuar. Imami arrin të zbërthejë në detaje karakterin e një njeriu të suksesshëm, po që ndihet i zhburrëruar nga një i ri që ka një parukeri. Ai është gjeniu i krijimit të situatave, kurtheve, i zgjidhjeve. Ai që ka në dorë fijet e marionetës. Si regjisor-aktor dhe aktor-regjisor, ai ka në dorë siguritë dhe pasiguritë e personazhit, ironinë therëse dhe frikën, gënjeshtrën dhe të vërtetën. Menaxhon një dialog të rrjedhshëm, të çlirët, me batuta të këndshme angleze. Dhe e përfshin spektatorin në metamorfozën e një njeriu, nga kapardisja dhe krijuesi i lojës, tek ai që shkrep këmbëzën e pistoletës në tëmthin e tij si shpëtim, jo thjesht nga një fund i turpshëm, ndërsa afrohen sirenat e Policisë, por nga vetja. Alteregoja e Andrew Wyke është Milo Tindle, një i ri që përballë një njeriu të pushtetshëm dhe të pasur, ka favorin e të qenurit i ri dhe që ka për të dashur, pikërisht gruan e shkrimtarit. Roli i Tindle interpretohet nga aktori Indrit Çobani, me një portret prej të riu të përjetshëm ala Leonardo DiCaprio apo Jude Law. Përgjatë gjithë shfaqjes, Çobani është i impostuar.

23722254_10154831616557121_2233334501215152475_n

Vetëm pak momente, ai del në zërin e tij të vërtetë. Fillimisht, pa hyrë ende në temë, është bezdisëse dhe thua me vete: Seriozisht e ka? Por më pas kupton se roli i tij është i tillë. Ai nuk është njeriu që duket. I ftuar në shtëpinë e Wyke për një ujdi të rrezikshme, ai sjell me vete arrogancën e rinisë dhe dashurisë. Ai ndihet superior përballë Wyke, të cilit i është zbardhur edhe mjekra tashmë. Ai ka bindjen se do të arrijë ta bindë shkrimtarin t’i japë divorcin së shoqes, por hap pas hapi zbulon se nuk është edhe aq i sigurt se ai s’është veçse biri i një italiani, që dëshironte që fëmijët e tij të integroheshin si anglezë të vërtetë, që është një aktor aspirant, por që ka një parukeri, që dikur do të mund t’i sigurojë aq të ardhura sa të mbajë një grua me kërkesat e Megit, së cilës një peliçe i kushton 5 mijë paund. Përballë një monstre si Wyke, i cili e ka ndarë mendjen që ta poshtërojë atë, ai kthehet në një palaço, që ka frikë për jetën e vet. Po ai aktor, po ai personazh, por me një tjetër lëkurë, atë të një inspektori policie me emrin Dopler, rikthehet në shtëpinë e shkrimtarit, për të marrë hak. Ai është qesëndisës, ironik, torturues.. Është ai që ka në dorë situatën tashmë… Nën maskë duket sikur Çobani e zotëron më mirë rolin. E gjithë ngjarja zhvillohet në shtëpinë e Andrew Wyke, realizuar nga skenografi Genc Shkodrani. Një strukturë që i përshtatej lojës psikologjike, duke futur në të edhe elementë që lidhen pikërisht me labirintet e mendjes apo mprehtësisë mendore, si në rastin e Kubit të Rubikut, të vendosur në dy anët e skenës. “Mashtrimi” i Artan Imamit është pa dyshim një nga veprat më të mira të ngjitura së fundmi në skenën e Teatrit Kombëtar dhe nëse dy personazhet nuk dolën gjallë nga kjo histori, publiku, i cili ka duartrokitur gjatë lojën e aktorëve, ka dalë me siguri i kënaqur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura