Artan Imami me një “Mashtrim” në Teatrin Kombëtar si regjisor e aktor

Nov 9, 2017 | 13:32
SHPËRNDAJE

Kur mes interpretuesve të një shfaqjeje teatrore, mëson të jetë edhe aktori artan Imami, pa dyshim që është një arsye më shumë për të shkuar në teatër.

IMAMI_ARTAN-(2)-(1)

Vitet larg teatrit, për t’u marrë me punët e veta, nuk ia zbehën sharmin aktorit që zbuste kryeneçet. Madje, dukej se skena kishte mall për të. Tanimë që është rikthyer, ai është një nga aktorët e preferuar të regjisorëve, edhe pse duket se mendohet shumë dhe mirë përpara se të pranojë rolet. Por kësaj here, duket se i ka marrë vetë në dorë gjërat. Artan Imami ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar, si regjisor dhe si aktor.

Në datat 17,18,19 nëntor, në skenën e TK do të ngjitet “Mashtrimi” (“Sleuth”), një nga veprat më të njohura të dramaturgut Anthony Shaffer, ngjitur në skenën e Broadway, fitues çmimesh, adaptuar tri herë si film dhe kandidat për çmimin “Oscar”. Një vepër e ndërtuar mbi një zinxhir intrigash, ku imagjinata dhe realiteti shkrihen në një.

imami1

Tradhti, pasion, gënjeshtra, pushtet, bindje, lojë… në rolin kryesor, atë të Wyke, luan vetë Artan Imami, në atë të Milo Tindle, të dashurit të gruas, interpreton aktori Indrit Çobani. I shtohet kastit të aktorëve Carolyn Murphy dhe Endrin Pastore. Ngjarja zhvillohet në shtëpinë e dinastisë Wiltshire të shkrimtarit të suksesshëm Andrew Wyke.

Shtëpia e tij duket si një reflektim i veprave që shkruan. Në dijeni të tradhtisë të së shoqes, fton në shtëpi të dashurin e saj, Milo Tindle, dhe e bind që të grabisë bizhuteritë e gruas. Që prej këtij propozimi, zë fill një zinxhir ngjarjesh që e mban lidhur publikun edhe në dilemën nëse ajo që po shohin është e vërtetë apo fryt i fantazisë së Wyke dhe fillon realiteti.

Shaffer është shprehur se vepra ishte pjesërisht e frymëzuar nga një prej miqve të tij, kompozitori Stephen Sondheim, i cili mishërohet në rolin e Wyke. “Sleuth” konsiderohet si një triller i klasit të parë, mbushur me intriga, kthesa të befta dhe një suspansë të vazhdueshme. Gjithashtu, është një lloj parodizimi i literaturës policeske dhe investigative, por nga ana tjetër përdor të gjithë elementet e zhanrit në fjalë për të arritur qëllimin e tij artistik. Praktikisht, vepra është një studim dramatik i betejës për seksualitet dhe xhelozi, midis një të riu dhe një burri në moshë.

AUTORI

Anthony Shaffer ka lindur në Liverpul, më 15 maj 1926, dhe i përket një familjeje dramaturgësh të suksesshëm. Ndonëse është diplomuar për drejtësi, ndoqi një rrugë tërë- sisht tjetër, por me gjasë, profesioni i hershëm e ka ndihmuar në veprën e tij si shkrimtar, skenarist, novelist, dramaturg etj.

Ai është vëllai binjak identik i shkrimtarit dhe dramaturgut Peter Shaffer. Vepra e tij më e njohur është “Sleuth” (1970), e vendosur në skenë më 12 shkurt 1970, në teatrin “St.Martin” dhe pasi mori çmimin si vepra më e mirë e vitit, u shfaq vazhdimisht në skenat britanike për tetë vjet.

Këtë vepër ai e përshtati për versionin filmik me aktorët Laurence Oliver dhe Michael Cane në vitin 1972, i nominuar për çmimin “Oskar”. Në vitin 2007, “Sleuth” u përshtat për një tjetër version filmik me regjisor Kenneth Branagh dhe me aktorë Michael Cane dhe Jude Law.

Po ashtu, vepra është shfrytëzuar si bazë për filmin “Tamanna” (2014), një prodhim britaniko-pakistanez, me regji të Steven Moore. Firmën e tij mban edhe skenari i trillerit të Alfred Hitchcock “Frenzy” (1972) si dhe “The Wicker Man”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura