Artan Hoxha: Unë e njoftova Tom Doshin për atentatin, ja sa ishte paguar për eleminimin

Mar 3, 2015 | 8:18
SHPËRNDAJE

Pas deklaratave të deputetit Tom Doshi se është kërcënuar me jetë nga persona të paguar nga Ilir Meta, të tjera të dhëna zbardhen rreth këtyre akuzave. Gazetari i “News24”, Artan Hoxha, deklaroi në “Tv Klan” në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, se ai e ka njoftuar deputetin e Shkodrës për kërcënimin ndaj tij.

Gazetari Artan Hoxha i ftuar ne emisionin “Opinion”

Gjatë ditës së hënë gazetari Hoxha ka folur për disa media rreth kësaj ngjarjeje, por risia e deklaratës së tij për “Opinion” qëndroi tek fakti se sipas tij, pas paralajmërimit për kërcënimin që po i kanosej, deputeti Doshi rriti masat e sigurisë.
Hoxha tha se dy muaj pasi e kishte njoftuar për Doshin për atë se çfarë dyshonte se i kanosej, ky i fundit u pa se kishte rritur numrin e truprojave dhe në një makinë të re tip “Audi” të blinduar, të cilin ai e ka edhe sot. 

“Unë pata një informacion në korrik dhe vura në dijeni Doshin që kishte një kërcënim për jetën. Autorët që vranë Santon dyshohet se mund të vrisnin edhe Doshin. Në shtator vura re se kur hyra në Sheraton, Doshi ishte me makinë të blinduar dhe që është e regjistruar në vlerën 250 mijë euro”,-deklaroi Hoxha. Sipas tij, në atë periudhë deputeti kishte edhe katër persona në ekskordë, ndërsa një person ishte kontaktuar për të marrë përsipër ekzekutimin e 2 deputetëve, Tom Doshi dhe Mhill Fufi.

Duke folur për pagesën që ishte ofruar për vrasjen e mundshme të deputetëve, gazetari Hoxha u shpreh se vrasësit “I ishin ofruar 500 mijë euro për të vrarë Doshin dhe 100 mijë euro për Mhill Fufin. I ishin dhënë parapagim 30 mijë euro”,-tha ai.

Sipas gazetarit të “News24’, ky person edhe pse e kishte marrë përsipër këtë situatë “mesa duket është trembur, ka parë rrezikshmërinë dhe ka kontaktuar me Doshin”. Gazetari Hoxha deklaroi për “Opinion se në këtë moment Doshi vuri në dijeni Kuvendin, Prokurorinë e Përgjithshme, minitrin e Brendshëm dhe Kryeministrin. “Ka pasur hetim nga prokuroria dhe policia. Personi që do bënte vrasjen është me precedent penal. Ky person është tentuar të vritet me një minë të telekomanduar”,-deklaroi gazetari Hoxha.

Sipas tij, video e pretenduar nga deputeti Doshi duhet të sekuestrohet nga prokuroria dhe policia bashkë me personat e tjerë që pretendohen. Hoxha shtoi më tej se deklaratat e kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, vërtetuan deklaratat e tij. Gazetari Hoxha tha se video e xhiruar nga ish-deputeti Dritan Prifti, ishte “për të rrëzuar Metën, ndërsa sot po i ndodh Doshit ajo që i ndodhi Priftit atëherë”,-tha Hoxha. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura